Himara mes grabitjes së pronave dhe pashaportizimit të patriotëve

Çfarë po ndodh në Himarë? Dikush mund të lexojë historinë e të nxjerrë konkluzionet vetë, dikush tjetër lexon mediat dhe politikën, ka ndonjë tjetër që bën patriotin me kurs historie. Ka disa qëndrime të cilat po cikojnë një tension artificial kur trajton terma etnikë, por real për atë që fsheh: pronën.
Nikollaq Neraxni, biznesmen nga Himara postonte dje këtë status:
Meqenëse komuniteti ynë ka qenë i paragjykuar, por edhe i anatemuar, (kjo edhe për përdorimin që shpesh i kanë bërë disa individë, vetëm për interesa personale), iu kërkova himarjotëve që kësaj here do të protestonim vetëm me parrulla shqip dhe anglisht. Dhe iu a spjegova se këtë do e bënim, që mediat më pas, të mos merreshin me parrullat greke, por me thelbin, që ishte grabitja e pronave që po iu bëhej himarjotëve. Atë ditë, me 14 gusht parrullat ishin të gjitha në shqip dhe në anglisht, ndërkohë një zonjë, kishte shkruar në greqisht mbi një çarçaf “Prona është jeta jonë” dhe e mbante fshehur. Sapo e pa një gazetar, e filmoi direkt, dhe atë darkë, lajmi në një tv të rëndësishme, ishte; “Banorët e Himarës protestojnë me parrulla greke.” dhe në kamera ishte vetëm zonja me çarçaf. Në këtë mënyrë lajmi u kopsit dhe disinformimi u realizua sipas porositësit të anti-lajmit. M’u kujtua sot kjo histori, sepse ky televizon kishte bërë pikërisht këtë lajm fjalë për fjalë edhe sot. Në fakt unë gabova duke iu imponuar himarjotëve vullnetin tim. Ai komunitet që mban në xhepat e tyre pasaporta greke, amerikane e franceze etj, me siguri më ka parë si një provincial mendjembyllur, sepse unë nuk kam të drejtë t’i ndrydh ata. Ashtu sikurse asnjë politikan, qeveri, pushtet vendor e qendror, nuk mund të tundë kartën e patriotit e nacionalistit, për të fshehur pas saj një grabitje masive, duke e shkatërruar përfundimisht Himarën, që më pas kriminelët me paratë e drogës, të ndërtojnë aty resortet e tyre. Unë i bëra sot një thirrje Jorgo Goros; “Kthe paratë që iu ke marrë kriminelëve në këmbim të hedhjes së firmës, për të ndërtuar buzë detit, në tokën tonë. Ke mundësi ta rregullosh fajin e madh. Përndryshe ti nuk do kesh asnjë ndryshim nga çdo lloj vrasësi me pagesë, sepse kjo që po i bën komunitetit tënd, është një vrasjeNë fund dua të falenderoj nga zemra patriotët e vërtetë, myzeqarët dhe dukatësit të cilët kishin ardhur në mbështetjen tonë. Parrullat e tyre “Mos ma prek Himarën!” ishin prekëse, sepse Himara është e të gjithëve, por kurrsesi e hajdutëve, kriminelëve dhe mafiozëve! Beteja vazhdon!”.
Një tjetër personazh, Aleksandër Çipa, me origjinë nga Piluri dhe i angazhuar shpesh në betejat mediatike për Himarën, ka dalë sot me zë të “dridhur”, duke folur për manipulim, mashtrime etj., me konkluzionin se në Himarë janë minoritarë vetëm ata që vijnë nga Vurgu dhe Dropulli. Kjo patjetër që është e vërtetë në atë kuptim për të cilin flet Çipa, pra të origjinës. Por identiteti është edhe çështje personale, qoftë edhe kur instrumentalizohet dhe askush nuk ka caktuar gjykatës që të na certifikojë shqiptarinë, as të na provojë zërin dhe rracën. Pasi edhe kur mendon ndryshe nga polifonia e patriotizmit rrezikon margjinalizimin dhe cinizmin karakteristik për minoritetet.
Çipa thotë se në këtë lojë ka hyrë edhe Greqia, emri dhe shteti që më shumë sesa një rrezik real, mundëson klimën ku gjallojnë patriot dhe patriotizmi mediatik. Zotëria nuk meriton asnjë rresht për këtë çështje pasi edhe sikur viti të kalojë me eklips diellor, dallohen shenja pasinqeriteti. E mira e punës dhe korrektesa gazetareske kërkon që kur flitet për Himarën të mos nxiren vetëm gravura e të kërkohet me sy ndonjë Bollano I radhës, por të flitet edhe për pronat. Dhe për pronat flet ku ke ose kur je parimor. Me pronat nuk rrezikon as të dukesh proletar apo sindikalist, më së paku rreshtohesh në anën e duhur të historisë, atë të Autoktonëve. 
http://www.respublica.al/2016/11/01/himara-mes-grabitjes-s%C3%AB-pronave-dhe-pashaportizimit-t%C3%AB-patriot%C3%ABve

Σχόλια