Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Τρίτη 28 Μαρτίου 2017

AGRON GJEKMARKAJ/ “Lila u tall me priftërinjtë, Mavraj s’i jep dorën kardinalit. Pse luajnë në Greqi e Gjermani dhe jo në Libi e Iran?”


agron gjekmarkaj, vogelAgron Gjekmarkaj


 Kur para dy vitesh në stadiumin e Beogradit luhej ndeshja Serbi – Shqipëri, i gjithë kombi shqiptar përjetonte krenarinë, zemërimin dhe shqetësimin që ai eveniment sportiv i shndërruar në ngjarje krijoi. Mënyra se si luante skuadra, mënyra se si reaguan për të mbrojtur një simbol kuqezi, i ngjashëm me flamurin e mbi të gjitha agresioni fizik me të cilin u përballën, na i alternoi ato ndjesi. Një krenari legjitime stampohej në aurën e çdokujt për përfaqësimin dinjitoz të Kombëtares, në një fushë që i trajtoi ata si njerëz të armatosur e jo si sportistë.
Nuk guxon askush të dyshojë se me të njëjtin emocion e kanë përcjellë gjithësa edhe imami Elvis Naço, edhe prifti Dom Gjergj Meta, edhe hirësi Anton Merdani, apo baba dervish Mikeli për faktin se ajo ishte Kombëtarja e vendit tonë, e vendit të tyre, që u jep, siç ndodh prej shekujsh, emrin e përbashkët ilirë, arbëreshë, shqiptarë! Po kaq të trazuar nga mbështetja pa kushte për këta djem ishim të gjithë edhe gjatë Kampionatit Europian të qershorit në Francë. U pritën si heronj rrugëve të Tiranës.
Askush nuk pyeti çfarë feje kanë ata! Na mjaftonin e na mjaftojnë si bashkëkombës deri në momentin kur nuk e njohin veten si të tillë. Kështu ka qenë gjithmonë, edhe kur në shkallët e stadiumit njerëzit përqafoheshin pas golave që shënonte Kryeziu, Borici, Pano, Zhega, Bajko, Bizi, Rragami, Zmijani, Kushta, Majaci, Demollari, Vata, Kacaj, Kola, Bogdani, Tare, Rraklli, Lala e shumë të tjerë.
E admiruam me ankth Lilën kur në fush- ën e Beogradit përleshej me huliganët për të ndihmuar shokët me trimëri dhe kameratizëm gjenuin. Por do të ishim hipokritë nëse nuk do të thoshim që video ku ai, Sadiku dhe imami Kalaja shfaqeshin së bashku, nën një gaz të ndezur e hukame fundore, duke tallur priftërinjtë ishte skandaloze dhe e turpshme. Ato minuta dhe ato rrëfenja shfaqin një tablo tejet shqetësuese. Në ato ka urrejtje fetare e racore deri në kufijtë e fondamentalizmit. Në ato sekuenca zbulohet një dyfytyrësi në raport me fenë e tjetrit me vendin që e paguan dhe e mban me bukë, pse jo edhe me famë Greqinë. Pse u shqetësuaka Lila kaq shumë nga klerikët e vendit helen dhe nga ritet apo zakonet e tyre, kur atë nuk e ka shtrënguar askush të bëjë diçka jashtë dëshirës së tij?
Ndonjë patrioti birrarie që i gufon xhani, tërbimi, për hesap të Erdoganit, me të drejtë mund të thotë se grekët kanë shtrënguar shumë emigrantë të ndërrojnë fe, por nuk thonë se pse shqiptarët pranuan nëse ndiheshin kaq besimtarë dhe të vendosur!? Ata edhe mund të iknin duke rezistuar, ndonëse të varfër por krenarë për besimin e tyre! Nuk e bënë, ndaj qëndruan dhe pranuan për interes për një pragmatizëm të pastër rrogat, punën, shtëpitë, plazhet, spitalet dhe ajodhimat e Greqisë dhe kështu Mehmeti u bë Kristo e Kristoja me të kaluar Kapshticën bëhet sërish Mehmet. Në këtë rast faji përpjesëtohet!
Zgërdhirjet dialektale të imamit në këtë rast dëshmojnë se sa i pavërtetë është ligjërimi i tij mbi vëllazërinë, harmoninë dhe tolerancën, nëse ato i ka predikuar ndonjëherë. Sigurisht, një individ nuk përfaqëson më shumë se vetveten, por ndez indikatorin e hipokrizisë, fatmirësisht ende sporadik për çështje fetare. Si do të sillej ky klerik me të ndryshmit, nëse shumica absolute e shoqërisë nuk do të respektonte një kod shekullor vëllazërie?!
Rasti i fundit i Lilës e Sadikut nën hijen e Kalasë ishte më i zhurmshmi sepse ishte me zë dhe figurë, me të cilin je i shtrënguar t’i bësh llogaritë. Por ky nuk ishte i pari. Para disa kohësh, njëri prej lojtarëve të Kombëtares sonë që luan në Gjermani, Mërgim Mavraj, tregonte me mburrje se si kishte dalë nga rreshti dhe nuk i kishte dhënë dorën kardinalit të Këlnit, i cili kishte shkuar t’i takonte në prag Krishtlindjesh, paç- ka se beneficet e tjera të Gjermanisë lojtari nuk i refuzon. Një gjest ky i pastër intolerance i provincializmit fetar ballkanik, që zotërisë i bëhet bashkudhëtar në jetë. Çudi se si ky lojtar apo ndonjë tjetër nuk gajreton të shkojë e të luajë në Afganistan, Libi, Siri, Iran etj., por vetëpersekutohet në zemër të Europës? Dramë e madhe luhet brenda ndërgjegjes së tij. Po ky lojtar kërkonte që për të të bëhej birra “hallall” dhe fabrika e Pejës ia plotësoi dëshirën, duke shmangur “haramin”, madje duke e lajmëruar atë me një reklamë. Tjetër është të besosh dhe krejt tjetër ta veshësh apo ta tallallisësh besimin.
Enver Robelli me të drejtë në një shkrim të para do kohëve i kërkonte Shkodran Mustafit se si ka mundësi një shqiptar, lojtar i Kombëtares gjermane, në “Facebook”-un e tij ka vetëm flamuj jeshilë, citate në arabisht, shpata të kryqëzuara dhe asgjë për të promovuar Kosovën dhe Shqipërinë, historinë, artin dhe kulturën e tyre. Po ashtu, të tjerë futbollistë shqiptarë të lindur në Europë në rrjetet e tyre sociale nuk kursejnë hapësirat e nderimit për imamë radikalë si Shefqet Krasniqi, por janë tepër të kursyer të shkruajnë dy rreshta për Kadarenë, Rugovën, pse jo edhe për Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Ermal Metën, apo Ermonela Jahon e Saimir Pirgun. Mes luksit të merituar prej talentit e punës të tyre që u mundësoi Perëndimi, nuk do të ishte keq që t’i shpenzonin dy fjalë për kampionin e Europës në kërcim për së gjati, Izmir Smajlaj, i cili në qytetin e Shkodrës sot paguhet me 400 mijë lekë të vjetër rrogë në muaj dhe stërvitet në rrugë.
Nuk është vetëm Kombëtarja e Kosovës që shkon në xhami para ndeshjes, paçka se edhe ekipi nacional është një institucion laik që nuk do të duhej kurrsesi të bënte gjeste publike religjioze e të kujdesej që ato të njoftoheshin publikisht, por edhe ekipi ynë kombëtar. Televizionet tona kujdeseshin që të na shfaqnin ekipin në xhami para ndeshjeve në Elbasan dhe Xhani De Biazin në kishë. Dy shfaqje qesharake dhe përçarëse. Në asnjërën prej të dyjave pamjeve nuk ishte Shqipëria e vërtetë dhe e plotë. Gazetari Berat Buzhala pak ditë më parë shprehte një shqetësim kësodore për ekspozimin e Kombëtares së Kosovës, duke u falur në xhami në prag të ndeshjes me Islandën, të cilën e humbi 2-1, duke e konsideruar këtë si një manipulim dhe abuzim me rregullat e një shoqëri multifetare, multietnike e mbi të gjitha laike. Nëse secili lojtar shkon në xhami apo në kishë privatisht, e keqja do të qëndronte te çdo kritikë apo kritik real e hipotetik ndaj tyre. Kur kjo vajtje shndërrohet në akt-propagandë, e keqja është tek ata dhe nxitësit e tyre.
Droja se fashizmi fondamentalist islamik, siç e quante ndonjë vit me parë Baton Haxhiu, josh dhe kërcënon në mënyrën e vet pikërisht aty ku imazhi është më ndikues e trokitës mbetet.
Personalisht do t’i bashkohesha thirrjes së Buzhalës që nëse ka një vend ku duhet të bëjmë peligrinazh është varri i Skënderbeut prej të cilit kemi kombin, pse jo edhe shtetet. Por në këtë vend askush nuk kujtohet për betejat dhe fitoret e tij, teksa arbëreshët në Itali mallëngjyeshëm i kujtojnë ato thuaj çdo të diel me këngë e valle nga njëra qytezë në tjetrën. Nuk mendojnë për asnjë çast se 25 vitet e tij të qëndresës na mbajtën në histori dhe në Europë. Falë kujtimit të tij, sot, si shqiptarë mund të jemi lirshëm të krishterë e myslimanë, të barabartë e në vëllazëri.
Tendencat religjioze që po shfaqin haptas disa eksponentë të kombëtareve tona dëmtojnë imazhin e tyre, ulin entuziazmin dhe sjellin përçarje mes shqiptarësh. Ato nuk janë kombëtaret e xhamive të Shqipërisë dhe Kosovës, por të dy shteteve e mbi të gjitha të kombit shqiptar, i cili i njeh njësoj për të vetët, si të krishterët, ashtu dhe myslimanët. Nëse kombëtaret tona, partitë politike, shkollat, krahinat, rrugët dhe kodrat shndërrohen vetëm të Kishës e të Xhamisë Shqipërisë dhe Kosovës i vihet çelësi dhe shqiptarët shkojnë në drejtim të paditur.
http://droni.al 

Δεν υπάρχουν σχόλια: