Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Πέμπτη 20 Ιουλίου 2017

Ëndërrtar – Edison Ypi

Me sy mbyllur pashë disa djem dhe vajza veshur e mbathur, mbaruar universitete të famshme të botës duke folur me zjarr si bëhet Shqipëria Zvicër.
Me sy hapur pashë po ata djem dhe po ato vajza të pispillosura në një kafene duke dërrdëllitur për postime në rrjete sociale dhe të tjera broçkulla që s’i rrok mendja.
Me sy mbyllur lexova një libër të mirë që më lumturoi.
Me sy hapur pashë promuovimin e librit të palexueshëm të një ish-spiuni pa asnjë talent dhe asnjë frymëzim.
Me sy mbyllur pashë një adoleshent që i lëshoi një të moshuare vendin në autobuz.
Me sy hapur pashë në televizor dy adoleshenta në spital duke ngacmuar një mikeshën e tyre pa ndjenja shtrirë mbi një shtrat.
Me sy mbyllur pashë një djalë që i bëri një vajze një kompliment të bukur, dhe vajza u skuq nga kënaqësia.
Me sy hapur pashë një djalë që i tha një vajze “je derr femre” dhe vajza i tha “faleminderit”.
Me sy mbyllur pashë një pllajë mahnitëse në Skrapar me ujvara që rridhnin në Osum.
Me sy hapur pashë një kazan plehrash brenda të cilit një i rreckosur në bashkëpunim me disa mace kërkuan me ngulm diçka që nuk e gjetën dot.
Me sy mbyllur pashë se si i lodhur dhe i lumtur arrita të ngjitem më këmbë në majën e një mali.
Me sy hapur pashë një obez tek të tridhjetat brenda një makinë të madhe me xhamat mbyllur duke ngrënë si i babëzitur një hamburger.
Me sy mbyllur, pasi hëngra groshë dhe piva dhallë në një katund, j’a futa një sy gjumë në një livadh.
Me sy hapur pashë në një restorant në Bllok ca karaputana OJQ-sh nga ato që në ’91-in ishin të reja dhe fukaresha, ndërsa tani janë plaka me zinxhira floriri dhe rruaza nëpër qafa duke ngrënë e duke pirë me paret e taksapaguesve tanë dhe të huaj.
Me sy mbyllur pashë Voskopojën magjepsëse plot me kisha dhe monastere.
Me sy hapur pashë lumin e Ishmit plot me minj të mëdhenj si gica.
Me sy mbyllur pashë një prift të urtë duke mbajtur meshë para besimtarëve kokulur.
Me sy hapur pashë në Youtube një imam Kosove duke predikuar hajvanllëqe me ulurima.
Me sy mbyllur mu bë sikur diktatura kishte mbyllur nëpër burgje vetëm Poetët.
Me sy hapur pashë se diktatura bashkë me poetët kishte futur nëpër burgje edhe plot rrugeçër.
Me sy mbyllur mu faneps sikur dosjet u hapën, u hodha përpjetë nga lumturia, dhe bërtita; Shpëtuam nga mutërit që po na mbahen për të pastër.
Me sy hapur mora vesh se manipulimi i dosjeve nuk ka filluar pas ’90-ës por, që viktimizimi i viktimave të vazhdojë pa pafund, qyshkur janë përpiluar.
Me sy mbyllur pashë Djallin duke u lodhur ta bindi Zotin të heqi dorë nga mirësitë, butësitë, urtësitë, dhe të fillojë të zbatojë strategjira perverse por kurative për shpëtimin e shqiptarëve nga veset.
Me sy hapur pashë Zotin duke u përpjekur t’i bindi njerëzit të mos kenë frikë nga asgjë sa kohë është e vërtetë thënia e Shekspirit; “Ferri është bosh, të gjithë djajtë janë midis nesh”.
Me sy mbyllur mu duk se Shqipëria hyri më së fundi atje ku është, në Europë.
Me sy hapur më zuri gjumi.

Δεν υπάρχουν σχόλια: