Μετάβαση στο κύριο περιεχόμενο

JOAN PELUSHI – NJË APOSTULL I RI

Kontakti i parë me besimin ishte në vitet 1974-1975, ku u bë pjesë e një kishe të nëndheshme. Karriera që nga kungimi, kërkimi i lirisë, shkollimi në Amerikë dhe rikthimi në Kishën Ortodokse Shqiptare, deri në postin e lartë të Mitropolitit të Korçës. Këndvështrimi i teologut të njohur rreth dilemave të njerëzimit mbi ekzistencën dhe lirinë.

Nga Sebi Alla
Fati i tij mes emrit Fatmir dhe atë të pagëzimit Joan, i ndan dy botët mes ndjesisë së predikimit e më pas ngjitjes deri në shkallët më të larta të klerit.


I ardhur nga Amerika pas një studimi të gjatë, nga një bursë e ofruar nga diaspora në kujtim të Peshkop Fan Nolit, Mitropoliti i Korçës Imzot Joan Pelushi, është mes atyre klerikëve që e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja mbesin ngushtësisht të lidhura me teologjinë.

Mund të ishte klerik në Amerikë, pranë Shqiptarëve që jetojnë atje, ca të hershëm që gjenden që nga vitet 1920 e disa më të vonë të mbërritur me lotari, apo forma të tjera emigracioni.

Padyshim që do qe po aq i njohur sa edhe këtu, në botën e lirë që ofron SHBA, por zgjodhi kthimin në vendlindje. Ku varfëria, frika për të besuar dhe regjimi totalitar ishin kthyer në “ikonën” e stampuar për 45 vite. Dëshira mposht frikën, ideali trazon jo vetëm shpirtin, por çdo sistem, sado i egër të jetë.

Takimi i para me besimin për Imzot Joanin janë që në vitin 1975, kohë kur të merreshe me fe, të kushtonte edhe jetën.

“Kontakti im i parë me besimin ishte në vitet 1974-1975. U bëra pjesë e një grupi të vogël, të një kishe të nëndheshme dhe u pagëzova fshehurazi në 24 Qershor të vitit 1979, dita e festës se Shën Joan Pagëzorit (nga ku vjen edhe zgjedhja e emrit Joan), pagëzim i bërë në Bestrovë të Vlorës, nga prifti i devotshëm dhe i patrembur At Kozma Qirio, i cili pas hapjes së kishave u ngrit në gradën peshkopale dhe njihet si Imzot Kozmai. Në Vlorë kam marrë edhe kungimin e parë”, -kujton sot Imzot Joani.

Ishte kohë kur predikonte besimin mes një grupi të vogël, por i sapopagëzuari Joan, asokohe mjaft i ri, nuk e mendonte se një ditë do vishte lirshëm veladonin e klerikut.

Qëmtonte në ato pak libra të shenjtë që qarkullonin dorë më dorë fshehurazi dhe për të erdhi dita e lirisë së madhe, kur u përmbys sistemi komunist dhe u rivendos besimi fetar.

Pak e “shijoi” atë moment të lirë, pasi Imzot Joani, kleriku “autodidakt” vendosi të merrte mësime teologjike e filozofike në vendin e ëndërruar, në Amerikë.

Kush do bënte kthim pas kur gjendesh në vendin me demokracinë më të zhvilluar, me objekte kulti të ngritura, me njerëz që besimin e kishin në deje, pas frikën e persekutimit?

Pakkush vë në pah idealizmin mbi të mirën personale, e një prej tyre është Imzot Joan Pelushi.

“Në vitin 1990 shkova në SHBA dhe pas përfundimit të studimeve teologjike në Boston, vendosa të kthehem në Shqipëri dhe t’i shërbej kishës si klerik, duke menduar se në Amerikë një prift me shumë a më pak do të ishte njësoj, ndërsa në Shqipëri, nevoja ishte mjaft e madhe” -thotë Mitropoliti i Korçës.

Shkallët hierarkike të klerit i ngjiti një e nga një, por me shpejtësi të admirueshme, duke i “ushqyer” vetes edhe studime të tjera shtesë po në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në ndjekje të gjurmëve të klerikut të njohur e atdhetarit Fan Noli.

Edhe Imzot Joani la gjurmë në vendin tonë si pjesë e Kishës Ortodokse Shqiptare.

“Sot pas 20 vitesh mendoj se bëra zgjedhjen e duhur” -thotë Mitropoliti.

E ndjesia atdhe-kishë, nuk ka ndarje.

Mban meshë të veçantë çdo 28 nëntor, në kujtim të ditës së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë.

Kushdo që ka tentuar “trazirën” se Kisha Ortodokse është e lidhur fort dhe gati në varësi të Greqisë, Imzot Joan Pelushi e ka hedhur poshtë këtë pretendim, për më shumë që meshat bëhen në gjuhën Shqipe. Dhe Imzot Joani është një Peshkop Shqiptar. I

angazhuar në Këshillin Botëror të Kishave, (një nga organizmat më të mëdha të botës së krishterë) ai ka ditur të lërë pas dije si në konceptin teologjik, ashtu edhe filozofik, të lidhur ngushtësisht me të. Në qershorin e këtij viti, një tjetër eveniment i madh për Ortodoksinë e pret.

Emri i tij shkoi në listën e atyre klerikëve të njohur si pjesë e përgatitjeve për Sinodin e Madh të Shenjtë që do të mbahet në Kretë.

Nuk është vetëm në nderin e tij personal, por do të prezantohet edhe si Mitropoliti i Korçës dhe kleriku Shqiptar që “mbolli” besimin personal në diktaturë, duke marrë risqe mbi supe dhe krijoi formimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ndihmësen e Fondacionit Fan Noli, për tu kthyer në ditët e sotme, ku sfida e të ardhmes për të është që të ndikojë qoftë edhe modestisht në afrimin e të rinjve pranë Kishës Ortodokse dhe kthimin e besimit në Zot.

Kapërceu oqeanin jo vetëm fizikisht, por mbi gjithçka në mendime, tashmë ka ç’të tregojë.

Mban një post të lartë në hierarkinë kishtare Ortodokse dhe përtej petkut të klerikut, Imzot Joan Pelushi qëndron mendon se dy temat që në botën ku jetojmë janë koncepti i lirisë dhe ekzistencës.

Nuk janë çështje “vetëm Shqiptare”, por Mitropoliti i Korçës Imzot Joan Pelushi dëshirën dhe luftën njerëzore me veten mbi lirinë dhe ekzistencën e sheh si vijimësi të qenies njerëzore për ti dhënë kuptim këtyre dy termave.

“Qëllimi i ekzistencës është i thellë, ai është brenda nesh. Për fat të keq jetojmë në një qytetërim që nuk i ka dhënë përgjigje qëllimit të ekzistencës. Vizioni fetar e përshkruan botën për hir të njeriut, ku e vendos njeriun në plan të parë. Ndërsa vizioni materialist e konsideron, që as universi nuk është mbi njeriun dhe as njeriu mbi universin” -nënvizon Pelushi.

Shpenzojmë energji pa fund, për gjëra që në thelb rezultojnë të kota. Nëse e mbushim jetën me qëllime të mëdha, pritet edhe një qëllim më i madh, ai i ekzistencës.

Kthimi i njeriut për kuptim fillon kur përjeton ndjenjën dhe nevojën bazike, një arsye për të jetuar dhe një për të vdekur. Ecim në jetë të shoqëruar me gëzimin, hidhërimin dhe ndjenjën e kotësisë. Duhet të jesh i ditur për të dalluar kotësinë.

Solomoni shkroi: kotësia e kotësive dhe e gjitha kotësi’. Duke humbur qëllimin e ekzistencës, humbim edhe veten tonë.

“Sipas doktrinës së krishterë njeriu është krijuar i lirë. Kjo është një nga shtyllat e kësaj doktrine dhe pika kryesore nga ku ajo shpjegon antropologjinë e saj. Ai nuk u krijua thjesht pasiv, as si një qenie që nuk kishte nevojë për zhvillim, por, që të përmbushte veten për atë që ishte krijuar. Një përmbushje e vetëdijshme kërkon domosdoshmërisht një qenie të lirë dhe të përgjegjshme për veprimet e saj. Shën Vasili i Madh thoshte se dogmat qëndrojnë jo për të penguar lirinë tonë të mendimit, por për të na mbrojtur ne nga mendja jonë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kufizimet morale; ato janë jo për të penguar lirinë tonë, por për ta mbrojtur atë. Ato janë si ato muret mbrojtës në rrugët malore. Kush do të ishte ai i marrë që do të thoshte të hiqte muret mbrojtëse sepse pengojnë lirinë e shoferit” -thotë Imzot Joani.

Liria dhe ekzistenca për të janë dy çështje që e kanë ndjekur gjithnjë qenien njerëzore dhe për t’i dhënë kuptimin të dyjave, vetë njeriu është i lirë të zgjedhë, por mes kësaj lirie ka edhe kufizime, ato që na i dikton besimi, apo i krijojmë vetë.

“Dinjiteti njerëzor ngrihet pikërisht mbi lirinë e tij. Të gjitha arritjet më të larta njerëzore janë bërë nga mirushtrimi i lirisë. Nga kequshtrimi i saj, tragjikisht, janë bërë edhe fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit. Ajo është në themel të qenies njerëzore dhe ushtrimi i saj, për mirë apo për keq, ka patur gjithmonë pasoja të jashtëzakonshme për njeriun. Parë si dhuratë apo si barrë, ajo nuk mund të shmanget dot. Ne nuk mund të shpëtojmë dot nga ajo, por ajo mund të na shpëtojë ose të na humbasë. Ne nuk mund të lirohemi nga të qenurit të lirë. Nuk do të kishte vlera njerëzore nëse nuk do të kishte liri; ato janë ngritur mbi atë” -kujton Mitropoliti.

Sipas tij, si çdo gjë tjetër ajo ka disa nivele kuptimi dhe disa nivele përjetimi. Niveli i parë është niveli instiktiv i çdo gjallese për të kundërshtuar kufizimin. Çdo njeri e ka tendencën për ta kundërshtuar atë që e ndalon apo e kufizon.

“Nëse bebeve të porsalindura u lidhen duart dhe këmbët, ato fillojnë të nervozohen dhe përpiqen të lirohen. Kjo nuk është vetëm për njerëzit. Kur i thanë njëherë Xhon Adamsit se njerëzit janë lindur me një ndjenjë të thellë të brendshme për të qenë të lirë, ai u përgjigj: ‘Po është e vërtetë, ashtu janë dhe ujqërit’. Edhe ujqërit po t’i kufizosh do të kundërshtojnë. Tendenca për të kundërshtuar kufizimin shihet në të gjithë universin. Ky është një impuls instiktiv i rrënjosur në çdo gjë të gjallë, qoftë njeri, kafshë apo bimë. Gjithçka që ka jetë e rritje e kundërshton kufizimin”-argumenton Imzot Joani, duke iu referuar edhe Shën Agustinit ku thotë: “O Zot ne jemi krijuar sipas ikonës Tënde, dhe asnjëherë nuk do të gjejmë prehje, derisa të pushojmë te Ti.” Ndonëse ai nuk e përmend fjalën liri, ajo shfaqet qartë. Për vetë faktin që ne nuk gjejmë prehje, do të thotë se nuk e përmbushim qëllimin e ekzistencës” -thotë Pelushi.

Linja e tretë, materializmi, duke përjashtuar ekzistencën e një inteligjence në formimin dhe drejtimin e universit, e përjashton në vetvete ekzistencën e një qëllimi.

Për njeriun e sotëm, jo vetëm që bota nuk është për hir të tij, por as ai për hir të botës. Për atë, fatkeqësisht, universi nuk ka ndonjë qëllim. Sepse nëse nuk do të kishte një arsye në krijimin e universit, atëherë si do të kishte një qëllim në jetë?

Ja si shprehet një ateist i madh, por fatmirësisht i sinqertë.

“Pyetja, ‘Kush është qëllimi i jetës njerëzore?’ është bërë shumë herë; kurrë nuk ka marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme… Kështu, përsëri, vetëm feja është në gjendje t’i përgjigjet pyetjes së qëllimit të jetës. Vështirë se do të ishte gabim të konkludoj, se ideja e një qëllimi në jetë qëndron apo bie me sistemin fetar.” Duke rënë ky sistem fetar, çdo njeri me një logjikë normale do të mendonte, në një mënyrë të natyrshme, se nuk ka më një qëllim në jetë. Vetëm feja, e cila e shikon jetën si një udhëtim drejt një destinacioni përfundimtar, mund t’i japë njeriut një qëllim në ekzistencën e tij dhe nëse humbet feja, atëherë humbet edhe destinacioni përfundimtar. Duke humbur destinacioni përfundimtar ka humbur edhe qëllimi i ekzistencës dhe kështu ka humbur edhe vetë jeta e njeriut” -argumenton Imzot Pelushi.

Ky është kleriku Shqiptar që sot drejton Mitropolinë e Korçës, ndërsa njohuritë e tij dhe thellësia e të menduarit dhe shprehjes i kanë bërë nder edhe vendit, duke e afruar në një kohë të shkurtër pranë mendimtarëve të Ortodoksisë.

Ky shkrim u botua në kuadër të projektit “Udha e Shkronjave”

Σχόλια

Δημοφιλείς αναρτήσεις από αυτό το ιστολόγιο

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν 950 τεθωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία.

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν εσπευσμένα 70 θωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία (πρώτη  αποστολή) ενώ τους επόμενους  μήνες θα αποσταλούν άλλα 180 τα οποία  θα ανέλθουν συνολικά σε  950, εξοπλίζοντας τον αλβανικό στρατό για χερσαίες επιχειρήσεις . Πρόκειται για μια σαφή και κατηγορηματική κίνηση της Ουάσιγκτον στα τεκταινόμενα στο Κοσσυφοπέδιο και την ένταση  που έχει αναπτυχθεί τις τελευταίες ημέρες.

Ηπειρώτες Ευεργέτες της Τουρκοκρατίας και Ελληνοκρατίας

Το Ισλαμικό Κράτος στρατολογεί «φουρνιές» Αλβανών από Σκόπια και Κοσσυφοπέδιο