Τρίτη 29 Αυγούστου 2017

Parashikimet e pabesueshme të Shën Kozmait për Shqipërinë dhe pse Ali Pasha e adhuronte profetin e krishterë

Fundi i viteve 1700 do të ishin të një rëndësie shumë të veçantë për sa i përket gjithë mbarëvajtjes së çështjeve shqiptare.
Historia e vrullshme e Ballkanit në shekullin e XVIII ka lënë gjurmë të pashmangshme edhe në ndërgjegjen popullore të këtij vendi të veçantë që zinte një sipërfaqe shumë të vogël krahasuar me atë që më parë ka pasur.
Në atë kohë do të spikasnin dy figura shumë të rëndësishme, ajo e Shën Kozamit të Kolkondasit, i cili lindi në 1714 dhe vdiq në 1779,  dhe pashait të madh, Ali Tepelena, lindur në 1740 dhe vdiq në 1822.
Ajo që të bën më shumë çudi është që ata ishin si nata me ditën për sa i përket mënyrës së mendimit, jetës që bënin, funksionit që kishin dhe veprës së jetës së tyre, por ja që jeta iu bashkua në një pikë, jo pak të rëndësishme.
At Kozmai ishte prift murg ortodoks shumë i respektuar dhe i dëgjuar në zonën e tij megjithëse ishte i varfër, por predikues i zjarrtë i dashurisë sublime për Zotin dhe familjen.
E në anën tjetër qëndronte krejt i kundërti i tij, Ali Pashai, kaçaku që u bë një pasha shumë i pasur, po kjo nuk i ndryshoi tiparet e tij për të cilat njihet tashmë, njeri i dhunshëm.
Gjakatar, lakmitar i papërmbajtshëm  dhe shkaktar i shumë krimeve makabre, vetëm e vetëm që të mund të mbante pushtetin e tij. Megjithatë jeta e martirit dhe kaçakut do të takoheshin në një ditë gushti të vitit 1779, vit i cili do të shënonte dhe vdekjen e Atit.
At Kozmai nga Etolia, i cili nderohet edhe sot si shenjt nga Kisha Orthodhokse, kishte që nga viti 1760 nën bekimin e patriarkut Serafimi i II-të, “shqiptarit” me origjinë nga Delvina, nga ku edhe ka bërë tre udhëtime ieroapostolike e radha ishte e të katërtit udhëtim, i cili kalonte nga Kostandinopuli (Stambolli), Greqia, Maqedonia, Epiri, Shqipëria duke arritur deri në Durrës e Tiranë, me qëllimin e vetëm, ndalimin e prozelitizmin islam tek rajat e munduar prej shekujsh nga perandoria Osmane, të cilët për t’i mbijetuar trysnisë të dhunës fizike, të taksave e çdo keqtrajtimi dhe përçudnimi të Perandorisë së madhe Osmane, detyroheshin të mohonin fenë e stërgjyshërve tyre.
At Kozmai duke predikuar dhe hapur shkolla, për të cilat duhet të themi se ishin gati 240 të tilla, ndaloi konvertimin e mëtejshëm në fenë islame dhe zgjoi ndërgjegjen e përgjumur dhe të frikësuar të rajas për të filluar kryengritjen popullore për fitoren e të dëshiruarës (çlirimin nga Turqia), ashtu siç ai predikonte me Profetsi: “E dëshiruara do të vij, kur do të vijnë dy Pashkë bashkë”.
Dhe në të vërtetë, në 1912-ën kur u shpall pavarësia ranë dy festa bashkë: Ungjillizimi dhe Pashka.
Në këtë kohë, Aliu që ishte biri i një familje feudalësh ushtarak nga Tepelena, i mbetur jetim nga vdekja e babait të tij u detyrua për mbijetesë të bashkohej me një grup grabitësish dhe të bënte jetën e kaçakut, duke qenë përgjegjës për bastisje të ndryshme. Në gusht të vitit 1779 at Kozmai udhëtonte nëpër Epirin Verior.
Ai kishte arritur afër Tepelenës. Në kohën kur u predikonte turmave të popullit, e sulmuan qehajallarët e koxhabashëve dhe hebrenjve.
Ata filluan të zihen me grushta me njerëzit. Aty u bë një përleshje e madhe, dhe shenjti shpëtoi duke u larguar. I ndjekur hyri në Tepelenë.
Atje në një rrugë pa derën e hapur të një shtëpie dhe një grua që i bëri me shenjë, që të hynte për ta fshehur.
Kur mbas pak arritën përndjekësit, duke iu marrë fryma nga lodhja, e pyetën gruan: “A e kishte parë Shën Kozmanë?” Ajo u tregoi rrugën duke thënë: “Po tani sa kaloi këtej, vraponi dhe do ta arrini”.
Ajo grua ishte Hankoja me famë, nëna e Aliut. Në mbrëmje erdhi Aliu, ishte rreth 35 vjeç, kusar dhe kryetar çete.
I vunë përpara një qengj të pjekur dhe bukë gruri. Në kohën e ngrënies at Kozmai i dha këshilla të mira. Ndërsa Hankoja që e dinte dhuratën profetike të shenjtit, e nxiti Aliun ta pyes at Kozman për rrugën e karrierës së tij.
“Do të ta marr Beratin?” – e pyeti Aliu? – “Do ta marrësh” – i tha at Kozmai. Aliu u kënaq, sytë e tij vetëtinë. Mbas pak ai pyeti përsëri. “Po Përmetin dhe Janinën a do t’i marr?” Siç e shihni oreksi vjen duke ngrënë.
Shën Kozmai e pa drejtë e në sy, dhe prapë iu përgjigj: “Dhe Përmetin dhe Janinën do t’i marrësh. Do të marrësh edhe Prevezën.” Por shenjti shtoi: “Të mbash mend gjithmonë, që t’i duash dhe t’i mbrosh të krishterët, po deshe që pushteti yt t’u mbetet trashëgimtarëve të tu.”
Ditën tjetër Aliu e përcolli shenjtin, që do të shkonte në veri. Por para se të ndaheshin, e pyeti përsëri për të ardhmen e tij. “A do të shkoj në qytet?” Shën Kozmai u përgjegj me sy të menduara.
“Edhe në Kostandinopojë do të shkosh, por me mjekër të kuqe”. Aliu mbeti i kënaqur, por nuk e kuptoi profetsinë që do të thoshte, se koka e tij do të shkonte e gjakosur, siç e dërguan me të vërtetë mbas vrasjes së tij, te sulltanit në Kostandinopojë.
Mbas pak ditësh at Kozmai u vra nga njerëzit e Kurt pashës të Beratit në Mujalli, fshat afër Fierit në 24 gusht 1779.
Aliu u hidhërua shumë dhe mori hak duke vrarë shumë njerëz. Më 1788 Aliu u bë komandant i rrethit të Janinës dhe zot i Beratit.
Atëherë kujtoi profecinë e at Kozmait dhe ngriti një manastir madhështor në vendin e vrasjes së tij. Ai vetë dha shumë para për manastirin, po gjithashtu bëri dhe fushatë ndihmash në Epir e në Etolo-Akarnani.
Në urdhrat përkatëse ai shkruante: “Nga unë më i larti vezir Ali Pashai”. Ju të krishterët të rrethit të Beratit, Myzeqarë dhe Vllehë, Grabovarë, fshatra dhe çifliqe, ju lajmëroj se vura një kujdestar që të më ndërtojë manastirin e at Kozmait, ndihmova edhe unë me aspra.
Të ndihmoni edhe ju siç do t’ju thotë dhespoti, që të ndërtojë këtë manastir. Dhe kush të mos ndihmojë, do të më mbetet hatri dhe pastaj do të kërkoj të paguani dyfish. Prandaj vazhdoni siç ju urdhëroj. Ali Pashai e shkroi këtë letër më 12 Shtator 1813 në Gjirokastër.
Më 1814 ai dha edhe një urdhër të dytë për Mitropolitin e Beratit, ku shkruante: “U gëzova shumë që u interesuat për plakun Kozma. Ja tani që vjen Igumeni bashkë me kryemjeshtrin, ta vini të ndërtojë dhomat dhe kubenë e manastirit, që do të mbetet e veçantë dhe më e bukur nga të gjithë manastiret.
Dhe me ardhjen time, dua ta gjej gati. Vetëm se duhet të mundoheni të gjithë për ta ndërtuar. Dhe të ndihmojnë gjithë të krishterët e Beratit, të vegjël dhe të mëdhenj. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit që t’ju ndihmojë në çdo punë. Bëni siç ju shkruaj”. ( Në Janinë më 12 shtator 1814)
Ali Pashai ndërtoi gjithashtu një këllëf argjendi për kafkën e shenjtë të at Kozmait, të veshur me ar dhe me diamante të ngjitura përsipër. Vendosi gjithashtu edhe të kremten përkujtimore të Shën Kozmait.
E kremtja e Shën Kozmait filloi që në vitin 1815, sipas urdhrit të Vezir Ali Pashait, i cili i shkroi gjithë kryepriftërinjve që të urdhërojnë popullin, të mbyllet tregu ditën e 24 gushtit, dita e martirizimit të shenjtorit.
Biografi i Aliut Davenport na ka lënë shumë informata që kishte mbledhur nga njerëzit të cilët e kishin parë me sytë e tyre këtë nderim të madh që i kishte bërë pashai i tmerrshëm “plakut Kozma”.
Po më mirë na e ka përshkruar këtë litani francezi Jeraume de la Lance, i cili gjithashtu ka bërë biografinë e Aliut më 1822.
Aliu organizoi në Janinë një litani madhështore për nder të shenjtit. Ai solli nga Kolkondasi Lipsanet e tij të shenjta, të mbajtura nga murgjit, i priti gjithë kleri i Janinës, të veshur me petrahile të çmuara dhe me lambadhe.
Njerëz të panumërt djathtas e majtas rrugës bënin kryqin gjatë kalimit të proçesionit. Nga psaltët, kleri dhe populli, bashkë me temjanin e shumtë ngjitej në qiell një lutje me zë të lartë: “Mëshirona o Zot, mëshirona o Zot…”.
Kur Litania arriti në pallat afër sheshit të sotëm, njerëzit panë të vërshojë një re e bardhë nga largësia e shkallës së madhe. Ishin 150 fëmijë të veshur me të bardha që mbanin temjanica të argjenda.
Mbas tyre vinin 300 gra të pallatit me ferexhe të bardha. Së fundi u duk Ali Pashai me zonjën Vasiliqi të veshur me të zeza, që shikonte me turp përtokë. Dhe ndërsa murgjit ngrinin Lipsanet dhe ngjiteshin në shkallët prej guri, gjithë ai popull ra në gjunjë. I pari dha shembullin Aliu…
Mijëra njerëz të gjunjëzuar i faleshin shenjtorit. Atëherë zëri i priftit u dëgjua i qartë: “nga murtaja, nga sëmundja dhe nga lufta o Zot shpëtona”. Aliu dhe Vasiliqia u ngritën dhe puthën Lipsanet e Shenjta me respekt të thellë fetar.
Fëmijët tundnin temjanicat e tyre, që mbushnin atmosferën me re të bardha tymi. Nderin që Ali Pashë Tepelena, besimtar i një feje tjetër, i bëri të krishterit Kozma, disa myslimanë fanatik e kritikonin. Por Aliu mbrohej me guxim duke thënë: “Sillmëni një mysliman si ky i krishteri dhe do t’i puth këmbët”.
Një herë tjetër që puthi me respekt arkën me Kafkën e Shenjtit, një sheh fanatik e konsideroi mëkat dhe i thirri: “Bëre mëkat”!
Por Pashai pa u tronditur, iu përgjigj: “Po ti je i çmendur, o shehu i gjorë. Ta dije, nuk flisje kështu.
Ky murg ore haxhi, ishte profet i vërtetë. Erdhi në shtëpinë time në Tepelenë dhe më dha uratën dhe më tha të gjitha ato që bëra, sikur t’i kishte të shkruara në qitap. Por, për një gjë harrova ta pyes, dhe po ta kisha gjallë do ta pyesja dhe do t’i jepja 10.000 qese me flori. Por, nuk e kam…”
Aliu kishte harruar ta pyeste se ç’do të thoshte Shën Kozmai duke profetizuar se do të shkonte në Stamboll me mjekër të kuqe?
Ali Pashë Tepelena pavarësisht nderimit që i bëri shën Kozmait ai nuk ja mbajti këshillën që ju tha me profetsi “Të mbash mend gjithmonë që t’i duash dhe t’i mbrosh të krishterët, po deshe që pushteti yt t’i mbetet trashgimtarëve të tu”.
Pavarësisht se Aliu në oborrin e tij mbante të krishterë dhe u përpoq të zbatonte në shtetin e tij legjislacionin frëng të barazimit ku të krishterët të ndjeheshin të barabartë si myslimanët, po ashtu dhe gruaja e tij e fundit Vasiliqia që ishte e krishterë.
Ai nuk e detyroi atë të ndryshonte besimin, por përsëri ai dhe të afërmit dhe njerëzit e tij janë përgjegjës për shumë krime që u bënë në zona dhe fshatra të krishtera, duke bërë masakra në burra dhe gra dhe fëmijë të pafajshëm, dhe kështu duke i detyruar të largohen nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ose të pranonin konvertimin në fenë islame, që disa herë bëhej me dëshirë për shkak të privilegjeve që fitonin në pashallëkun e Aliut.
Historianë vendas dhe të huaj na kujtojnë fakte tragjike dhe të trishtueshme të dhunës të urdhëruar nga Aliu dhe me vetë dorën e tij tek banorët e Hormovës, Kardhiqit, Libohovës, Picarit, Lazaratit, Sulit. Këta historian na kujtojnë për hakmarrjen me dredhi të Aliut tek burrat dhe gratë hormovite.
Burrat i poqi të gjallë në hell. Grave ia rrojti kokën, i çnderoi me ushtarët dhe i shiti skllave. Po ashtu në Kardhiq në atë kohë kishte 1000 shtëpi, të cilat u shkatërruan kur Aliu vrau 700 burra të krishterë dhe kur popullata u tkurr në 300 banorë.
Mbas këtyre masakrave, fshatrat dhe krahinat i nënshtroheshin pa asnjë pushkë pushtetit të tij. Aliu me të gjithë makinacionet, intrigat, ryshfetet, vrasjet, aleancat, por edhe me guxim të madh, arriti të bëj karrierë.
Në vitin 1784 fitoi gradën e pashait si komandat ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofie. Në këtë kohë fitoi me luftë qeverisjen e Sanxhakut të Delvinës dhe në vitin 1786-88 u bë derbendpash dhe qeveritar i Saxhakut të Thesalisë, shtriu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjese të trojeve jugore shqiptare.
Rreth viteve 1787 u thirr në Stamboll si dervince Ali Pasha Tepelena, marshall për gjithë Thesalinë.
Ai u përpoq të mënjanote pushtetin qendror osman dhe duke rënë në bashkëpunim me çifligarë të rinj dhe borgjezinë tregtare, të shndërroj trevat e pashallëkut të tij në një formacion shtetëror në fakt autonom nga porta e lartë.
Për hir të së vërtetës këto vise që qeveriseshin prej tij me dorë të fortë, ku edhe dallonin nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomiko-kulturor dhe duke nënshtruar me luftë qeveritarët, rivalë të sanxhaqeve fqinj, të vetëqeverisura të Sulit dhe të Himarës, ai arriti të zgjeronte pushtetin e vet nga gjiri i Prevezës deri në lumin Shkumbin.
Bëri aleancë me francezët, rusët, anglezët. Por me shumë kujdes për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, Portën e Lartë.
Ai u përpoq për bashkimin e krahinave shqiptare në pashallëkun e Janinës duke i bërë rezistencë të hapur sulltanit dhe kështu u bë shkak për një lëvizje çlirimtare antiosmane të popullit shqiptar.
Por orvajtjet e tij për t’i bashkuar feudalët e Shqipërisë së Veriut nuk dhanë rezulatat dhe kështu në vitin 1820-1822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e pashallëkut nga forcat e Perandorisë Osmane dhe për ta shkëputur nga vartësia e Perandorisë.
Ali Pasha kërkonte të përfitonte dhe nga aleanca e kryengritjes greke të Etolisë dhe Akarnanisë, por kjo aleancë nuk mundi të zhvillohej më tej.
Aliu mbeti i vetëm, i tradhtuar nga fëmijët e tij, ushtria dhe aleatët e huaj. I bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë deri sa i ngujuar në një ishull të liqenit të Janinës u vra më në fund nga turqit me pabesë më 24 janar 1822.
Koka e tij u pre dhe u çua në tepsi në Stamboll dhe trupi ju varros në Janinë ku është edhe sot e kësaj dite dhe kështu u realizua profetsia e fundit që i tha shën Kozmai 43 vjet përpara se “Do të shkosh në qytet (Stamboll) me mjekër të kuqe.”
Dështimi i përpjekjeve të Aliut për të fituar pavarësinë e pashallëkut të tij e shtyu dhe për shumë kohe çlirimin e trevave të Shqipërisë nga robëria turke ndryshe nga ajo që ndodhi në vendet e tjera fqinje.
Fatkeqësisht jo vetëm Aliu, por dhe të tjerë që morën pushtetin për të qeverisur këtë vend nuk ju përmbajtën “aksiomës” profetike që Shën Kozmai i tha Aliut: “T’i duash dhe t’i trajtosh mirë të krishterët që pushteti yt të mbetet”.
Bazuar në shkrimin e Miron Çakos

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1415) Αλβανία (904) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (372) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (311) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (277) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (251) Β Ήπειρος (237) ορθοδοξία-orthodhoksia (231) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά-Korçë (118) Κορυτσά Β Ήπειρος (103) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (75) διωγμοί - përndjekje (60) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (56) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) ανθελληνισμός (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) πολιτισμός - kulturë (43) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (42) besimi orthodhoks (40) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (39) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (37) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (34) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (23) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) πολιτική-politikë (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)