Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Τρίτη 29 Αυγούστου 2017

Shoqëria babilonike – Edison Ypi

 
Shqipëria është vendi më i rëndësishëm i botës, ai vend që përcakton fatet e planetit, dhe shqiptarët janë njerëzit më inteligjentë, më puntorë, më trima, më heroikë të rruzullit.
Ky pohim është budallallëk. Megjithatë në shoqërinë babilonike lejohet ta thuash sa herë të vjen ndërment dhe ta përsërisësh sa herë të intereson.
Do shpallen emrat e spiunëve. Të thuash se në listat përkatëse është, ta zemë, emri im që me Sigurimin kam qënë më i largët se toka me galaktikën e Andromedës, është e sigurtë se nënën motrën, gruan, dhe të gjitha femrat e fisit deri në 17 breza i ke karaputana, vet’ je kurv, fëmijët nuk i ke të tutë por të komshiut qefli dhe gruas tënde lavire. Mirpo në shoqërinë babilonike që po e ndërtojmë me sukses të madh, s’ka pse të mos thuhet edhe kjo.
Po thonë se shumica e spiunave kanë qënë nga të përsekutuarit. Çka nënkupton se ideatorët dhe ekzekutorët e vërtetë të persekutimit të Shqipërisë diktatoriale, nuk paskan qënë ata që dinim, çeta e vrasësve që morën pushtetin më ’44-ën, por viktimat e tyre, të internuarit, të burgosurit, të pushkaturit. Zbulimi befasues mund të jetë tmerrues në një shoqëri normale. Por është më se i mundur në shoqërinë babilonike.
Nga stili inekzistent, fjalori i varfër, klishetë e neveritëshme që të nxjerrin mallin e Zërit të Popullit, kuptohet se jo pak nga ata që sot hiqen për konservatorë janë ca qesharakë ngrehalucë pa asnjë impakt në publik për të cilët Shqipëria nuk është më e madhe se kafeneja ndër të cilët shquajnë ca gjydyrymë që llomotitin nga jashtë, ca gomerë që hiqen për gjenialë. Le të jenë. Shoqëria babilonike ua lejon.
Ka në Shqipëri treva me dhjetra fshatra ku mijëra shqiptarë punojnë, mbjellin, korrin, ndërtojnë shtëpi, kultivojnë vreshta, pinë raki, dehen, dashurohen, martohen, bëjnë kalamaj, trashëgohen. Por kanë një të keqe; Nuk vrasin njëri-tjetrin. Duke mos u vrarë me sho-shoq, nuk prodhojnë lajm. Duke mos prodhuar lajm nuk dalin në media. Duke mos dalë në media nuk ekzistojnë. Për shoqërinë babilonike është më se normale.
Rrjetat sociale po shërbejnë si një mundësi e mrekullueshme për tu mundësuar budallenjve të krijojnë një të dytë, të tretë, të katër, të pestë, të njëqintë, identitet të paqënë por të dëshiruar. Dëshmon krizë identitare me përmasa gjiganteske. Rëndësi ka që shoqëria babilonike, mes shumë të mirave të tjera, edhe këtë e mundëson.
Sa qef të jetosh në shoqërinë babilonike. Ku s’të lypset të shohësh realitetin e ashpër, por vetëm ëndërra të buta me sy hapur duke u ngutur të vdesësh këndshëm.

Δεν υπάρχουν σχόλια: