Hymni i Ëngjëjve
“Lavdi Perëndisë më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit
mirëdashje” (Lluk.2:14)
Po afron, të dashurit e mij, festa e madhe, Krishtlindjet! Duhet të përgatitemi për këtë festë. Si do të përgatitemi?
Le të dëgjojmë ato që n’a thotë Kisha, “Le të largojmë
prej nesh tërë kujdesin për jetën”. Le
të dëbojmë larg nesh çdo mendim të kotë.
Le t’i bëjmë mendimet tona më të lehta duke eliminuar ato të kotat. Le të zbresim nga stratosfera në tokë. Le të themi dhe ne ato që thanë barinjtë
gjatë asaj nate të paharruar “le të vemë
tani gjer në Vithleem...” (Lluk.2:15).
Edhe ne le të udhëtojmë deri në Vithlehem. Mëndërisht atje do të shohim çudinë. Do të shohim shpellën ku u lind Zoti
Krisht. Do të shohim të kulluarën dhe
gjithmonë-virgjërën Mari. Do të shohim
Foshjën Hyjnore. Do të shohim gjithashtu
edhe kafshët e padjallëzuara të cilat me frymën e tyre përpiqen të ngrohin sado
pak atmosferën e ftohtë të dimrit. Do të
shohim yllin që ndriçon sipër shpellës.
Do të shohim barinjtë që rendin, të cilët ishin të parët që iu falën
Shpëtimtarit Krisht. Do të shohim magët
të cilët erdhën nga larg për të ofruar si përfaqësues të shkencës dhuratat e
tyre të çmuara. Por në të njëjtën kohë
do të shohim edhe Irodhin, i cili mprehu thikat për të therrur foshnjën
Hyjnore.
Nga të gjitha këto, të cilat janë plot kuptim, ju lutem
në këtë moment le t’i mbyllim veshët ndaj çdo gjëje tjetër dhe le të dëgjojmë
një këngë. Është kënga më e ëmbël se çdo
këngë tjetër. Sapo, thotë kënga,
kryeëngjëlli iu tha barinjve “ja tek ju sjell lajm të mirë për një gëzim të
madh,... se sot u lindi juve një shpëtimtar” (Lluk.2:10-11), menjëherë, jo një
ëngjëll, apo dy apo tre, por një ushtëri e tërë e panumurt ëngjëjsh dhe
kryeëngjëjsh të shënjtë formuan një urë qiellore, dhe njëri skaj i saj prekte
tokën ndërsa skaji tjetër prekte galaksitë qiellore. Dhe nëpër shkallët e kësaj ure ngjiteshin dhe
zbrisnin ëngjëjt me kitara të arta dhe
psallnin. Dhe shtresat e larta tokësore
tundeshin dhe qielli përqafohej me tokën.
Dhe atëherë u dëgjua ajo kënga e shkëlqyer “Lavdi Perëndisë më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit
mirëdashje” (Lluk.2:14).
Sipas këtij himni, foshnja Hyjnore është “lavdia” e
Perëndisë, foshnja Hyjnore është “paqe” mbi dhe’, foshnja Hyjnore është
“mirëdashje mbi njerëzit”.
***
- “Lavdi Perëndisë më të lartat”. Pikë së pari foshnja Hyjnore është “lavdi” e Perëndisë. Sepse përpara Krishtit, përveç popullit të Israelit i cili kishte një ide për Perëndinë e vërtetë, gjithë bota tjetër ishte e zhytur në padije dhe nuk e njihte Perëndinë e vërtetë. Gjithçka adhurohej, ashtu siç thotë një filozof i lashtë, përveç Perëndisë së vërtetë. O Krisht Perëndi, nga çfarë errësire n’a nxorre!
N’a mësoi foshnja Hyjnore që
ekziston një Perëndi vetëm, që Perëndia është përdëllimtar, zemërgjërë dhe
mëshirëplotë. N’a mësoi që duhet t’i
drejtohemi Perëndisë duke thënë “Ati ynë...” (Matthe 6:9-13). N’a mësoi që Perëndia është Atë dhe e do
krijesën e tij – Perëndia është mirëdashës, Perëndia interesohet akoma edhe për
gjërat më të vogla dhe pa vullnetin e tij asnjë zogëz, asnjë fije gjethe nuk
bie mbi tokë. Na mësoi gjithashtu edhe
mësimin më të lartë, që “frymë është
Perëndia, dhe ata që i falen duhet t’i falen me frymë e me të vërtetë” (Joan
4:24). Dhe jo vetëm që na mësoi, por
ishte vetë Ai, ashtu siç thotë dhe Pavli i shënjtë, “i cili është shëmbëllesë e Perëndisë” (Let.II Pav. mbë
Korinthianët 4:4; Kolos.1:15), “ndriçim i lavdisë” së Perëndisë
(Hebr.1:3). Ishte “dritë prej drite,
Perëndi e vërtetë”. Ishte pra foshnja
Hyjnore “lavdia” e Perëndisë.
- “Dhe mbi dhenë paqe”. Ishte foshnja Hyjnore gjithashtu edhe “paqe” mbi dhe’. Por në këtë pikë dëgjoj kundërshtime.
-Paqe mbi dhe’? Dheu tundet nga luftrat. Që nga momenti që u lind Krishti deri më sot
vetëm luftra dëgjohen. Toka është larë
nga lumenj gjakrash. Si mundet që
Krishti të jetë “paqe” mbi dhe’?
Po, është paqe. Nuk është paqe për ata që nuk besojnë tek Ai,
nuk është paqe për ateistët. Por është
paqe për ata që besojnë. “Shumë paqtim kanë ata që duan nomin tënd”
(Psallm 118:165).
Kush është kjo paqe që solli
Krishti në botë? Paqja që solli Krishti
është paqe e botës së brendëshme të njeriut.
Është një lloj paqeje të cilën mund t’a shijojë çdo njeri që beson tek
Zoti. Prej çfarë ndjenjash përshkohet
njeriu? Të gjithë ndjejmë agoni. Kjo agoni dhe ankth e ka rrënjën në mëkatat
që kemi bërë dhe na vijnë ndërmënd, dhe për të cilat ndjehemi fajtorë, kjo
agoni vjen nga zëri i një prokurori të padukshëm i cili na thotë “Mëkatove, je
fajtor!”...
Dhe njeriu kërkon falje. Kush do të na i japë faljen? Ndonjë njeri? Apo ndonjë ëngjëll a
kryeëngjëll? Vetëm një mund të n’a
dhurojë faljen e mëkatave, ai që ka pushtet dhe fuqi “të falë mëkatat” (Matthe
9:6, Mark 2:10, Lluk. 5:24). Dhe ky
është Zoti Krisht.
Pranë Krishtit gjejnë prehje
mëkatarët më të mëdhenj të botës. Të
shthururit, vjedhësit, të korruptuarit, kurvarët, gjithë ata që mëkatuan dhe
kryen krime, vetëm pranë Krishtit mund të gjejnë prehje. Krishti është “Ai që fal mëkatat e botës” (Joan 1:29).
Lavdi Perëndisë! Paqe në zemrat e njerëzve. Dhe rezultati i paqes?
- “Mbi njerëzit mirëdashje”. Rezultati i paqes është mirëdashja ndër njerëzit. Çfarë është “mirëdashja”? Është një zë. Cili zë? Një shkrimtar i madh Rus, i cili bënte jetë ateisti dhe nuk besonte dhe pasi i provoi të gjitha në këtë botë tha: “Vetëm një herë ndjeva në zemër paqe dhe qetësi. Kur? Kur ashtu siç isha i zhytur në mëkatat e Petrogradit, shkova tek një asket Rus, u gjunjëzova përpara tij dhe i rrëfeva mëkatat e mia. Lotë rridhnin nga sytë e mij dhe zemra ime tronditej fort. Oh atëhere, kur sipër shpatullave të mia shtriu petrahilin e tij dhe më tha “të falen mëkatat e tua”, parajsa lulëzoi në zemrën time.
“Dhe mbi njerëzit
mirëdashje”. Ti
që po më dëgjon në këtë moment, qofsh burrë apo grua, dhe që ke 10, 20 apo 30
vjet pa u rrëfyer, si do t’i kalosh Krishtlindjet? Në qoftë se do që të ndjesh “mirëdashje”,
nëse do që të ndjesh ngazëllim qiellor, dhe nëse do që të dëgjosh zërin i cili
të lajmëron se një botë e re lindi brenda teje, nxito tek ati shpirtëror, hapi
fletët e zemrës sate, rrëfe mëkatat e tua, dhe në emër të Krishtit të Kryqëzuar
dritë, bekim dhe mirëdashje do të lindë brenda zemrës sate.
***
Me pak fjalë u përpoqa t’ju jap
një analizë të himnit të mrekullueshëm ëngjëllor të Krishtlindjeve. Ky himn vazhdon të psallet deri më sot. Por lind pyetja: janë buzët tona të denja për
të psallur këtë himn? Janë të denja
buzët e priftërinjve, kryepriftërinjve, psalltëve dhe predikuesve tanë? Jemi të denjë t’a psallim këtë himn? Duhet t’a lajmë mirë gojën që të mund të
përsëritim ato fjalë që psallën ëngjëjt atë natë: “Lavdi Perëndisë më të
lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”.
Ju pyes vëllezër: Zoti ishte Lavdi
e Perëndisë. Po ne a jemi lavdi e
Perëndisë? Krishti ishte paqja e
botës. Po ne a kemi brenda zemrave tona
atë paqe e cila buroi nga grazhdi i Krishtit?
Krishti ishte mirëdashja dhe ngazëllimi.
Po ne a kemi brenda nesh atë mirëdashje dhe ngazëllim?
Le të hapim krahët e të fluturojmë
sipër botës lëndore dhe le të arrijmë lart në qiejt që të dëgjojmë himin
ëngjëllor të Krishtlindjes.
Çfarë kërkon Krishti prej
nesh? Zemrën n’a kërkon. Biri im, thotë, “m’a jep mua zemrën
tënde”. Më jep zemrën tënde ashtu siç e
ke, me të metat e tua, me mëkatat e tua, me pasionet dhe ëndrrat e tua. “Më jep mua zemrën tënde”, thotë. Dhe nëse ia japim zemrën Krishtit atëhere
zemra jonë do të bëhet grazhdi dhe shpella e Vithlehemit, dhe brenda saj do të
lindë Krishti. Dhe kur Krishti të lindë
në zemrat tona atëhere përsëri ëngjëjt do të zbresin nga qielli dhe ne
mëkatarët do të dëgjojmë përsëri të psallet himni “Lavdi Perëndisë më të
lartat, dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”.
† Episkop Avgustini
Predikim i mbajtur në një nga Kishat e Athinës
përpara vitit 1967
Përktheu nga Greqishtja,
Aleksandër P. Filip
Ia
përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të
nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të
ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të
palodhur të fjalës së Zotit, Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas at
AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim uratat dhe bekimet tuaja Hirësi!
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου