Δευτέρα 25 Δεκεμβρίου 2017

Vizitori i Lartë Lindja e Shpëtimtarit Krish



Vizitori i Lartë
Lindja e Shpëtimtarit Krisht
25 Dhjetor, 2008

Predikim gojor i mbajtur nga ish-Mitropoliti i Follorinës At Avgustin Kantioti
në Kishën Katedrale të Shën Pandelimonit më 25 Dhjetor, 1978.

“Na vizitoi së lartazi Shpëtimtari ynë, lindja e lindjeve, populli që rrinte në errësirë gjeti dritën dhe të vërtetën, prej barkut të Virgjëreshës u lind Zoti”


Related imageMendoj se në mënyrë të veçantë kjo ditë nuk duhet të kalojë pa predikim.  Por kush është i denjë dhe i vyer të psallë madhështinë e kësaj dite?!  Ngjarja që feston sot Kisha jonë nga njëri skaj i botës në tjetrin është ngjarja më e madhe e historisë botërore.  Lindja e Krishtit, mishërimi i Fjalës së Zotit, është një mister i pakuptueshëm nga mëndja njerëzore, është një mister përpara të cilit mëndja jonë vjen vërdallë, është një mister i cili vërteton që mëndja jonë është tepër e vogël, qoftë edhe mëndje filosofi apo shkencëtari të madh.  E kam thënë dhe herë tjetër, nëse një kupë mund të nxerë detet dhe oqeanet e tëra, atëherë dhe vetëm atëherë është e mundur që intelekti njerëzor, kjo kupë pra, mund të nxerë misterin e pakuptueshëm të Lindjes Hyjnore.  Më mirë, le të pushtohet shpirti ynë nga qetësia dhe lutja.  Por dëshira për të mos kaluar kjo ditë pa predikim n’a nxit të themi disa fjalë.

Të gjithë e dimë që planeti ynë është një nga miliardat e yjeve të tjerë.  Në krahasim me universin e tërë nuk është tjetër veçse një kokrrizë rëre.  Në këtë kokrrizë rëre banon krijesa e shkëlqyer, korona e gjithë krijesës, njeriu pra.  Lind pyetja, vallë vetëm në tokë ka jetë dhe qënie të llogjikshme?  Në planetet e tjerë nuk ka jetë apo qënie të tjera të llogjikshme?!
Edhe pse personalisht besoj që vetëm planeti ynë ka jetë – ndaj dhe një austronaut i famshëm e quajti diamanti i gjithë krijesës universale – për një moment, për qëllime retorike, bie dakord dhe unë dhe pranoj ipotezën që edhe në planete të tjera ekzistojnë qënie të llogjikshme. 
Le të supozojmë pra që një banor i një planeti tjetër ia del mbanë të udhëtojë në hapësirën e pafund, të përshkojë distanca të tëra, të kalojë atmosferën, dhe në një çast të arrijë mbi tokë.  Një qënie jashtë-tokësore do t’i afrohet planetit tonë?!  Oh çfarë surprize, çfarë lajmi!  Është një lajm më i madh se ai që transmetuan stacionet e vitit 1969, që njeriu arriti në hënë.  Tani, një qënie tjetër, nga një planet tjetër, krijesë jashtë-tokësore, të arrijë mbi tokë?!  Pa dyshim që do të konsiderohet si një ngjarje jashtëzakonisht e madhe.
Por sot unë do t’ju tregoj një ngjarje akoma më të madhe se ajo.  Dhe kjo ngjarje nuk ka të bëjë me hipoteza apo krijesa fantastike, por me një ngjarje të vërtetë.  Dita e sotme na tregon se jo krijesa jashtë-tokësore – ashtu siç fantazojnë disa – as ëngjëll dhe kryeëngjëll, por vetë Krijuesi i gjithësisë – duhet t’a besojmë këtë gjë që t’a njohim më thellë – vetë Krijuesi pra i tërësisë, Ai që bëri gjithë galaksitë, Ai erdhi këtu poshtë në tokë dhe “u bë njeri”.
Perëndia mbi dhe’.  Po e përsëris, jo krijesa jashtë-tokësore, siç do të mund të fantazonte Jul Verni, por vetë Perëndia zbriti mbi tokë.
Si do të mundja të dashur vëllezër t’ju pershkruaja atë gjë që shkakton marramëndjen tonë?  Nuk do të bëj këtu meditime theologjike apo filosofike; do të them vetëm disa fjalë duke sjellë dy-tre shembuj të cilat do të n’a japin një ikonë apo një pamje të misterit.

****
Në historinë e popullit të lartë dhe besëtar të Rusisë bëhet fjalë për një nga monarkët më të mëdhenj të këtij vendi të paanë, bëhet fjalë pra për Ivanin e Tmerrshëm (1533-1584), i cili i neveritur nga komplimentat e mjedisit të tij rrethues, vendosi një ditë të zbresë shkallët e lavdisë dhe t’i afrohet popullit të varfër Rus.  Por si?  Me paraqitjen madhështore të një perandori?  Nuk do t’ia arrinte qëllimit të tij në këtë mënyrë.  Vendosi atëherë t’a heqë kurorën mbretërore nga kreu i tij, të heqë dhe rrobën dhe stemat e tij mbretërore dhe kështu me një shkop në dorë, si lypsar rus, të shkojë të vizitojë kalibet e nënshtetasve të tij të varfër.
E tha dhe e bëri pra këtë gjë.  I panjohur, i leckosur, i fëlliqur, filloi me këtë paraqitje të trokasë nga dera në derë.  Shkoi në shumë shtëpi.  Askund nuk e pranuan.  Të gjithë e dëbonin tutje, bile i lëshonin dhe qentë që t’a ndiqnin duke lehur.  Më së fundi, një natë, kalibja e një të varfëri ia hapi portën.  Fshatari i varfër që i hapi portën nuk do t’a imagjinonte kurrë që nën ato rroba të leckosura fshihej vetë madheria e tij perandori i gjithë Rusisë.  Të nesërmen Ivani i Tmerrshëm pasi e përshëndeti fshatarin e varfër u largua.
Pas disa ditësh mbërriti atje tek kalibja e varfër një grup i tërë inxhinjerësh dhe punëtorësh.  E shkatërruan kaliben krejt dhe në vend të saj ndërtuan një pallat madhështor me mbishkrimin “Përmendore dashurie dhe vlerësimi prej perandorit ndaj fshatarit të varfër si shenjë mirënjohje për mikpritjen e tij”.

Ka dhe plot shembuj të tjerë si ky.  Më kujtohet nga jeta e prindërve të mij dhe paraardhësve të mij, që atje në ballin e luftës ku gjendeshin gjatë luftërave Ballkanike, u afrua tek ata dikush me një veshje prej ushtari të thjeshtë.  Ishte mbreti Konstandin stratillati (1868-1922).  Kur e kuptuan që ishte ai mbetën gojë-hapur.  Nuk e harruan kurrë atë pamje të një mbreti të lavdishëm stratillat i cili u ul së bashku me popullin për të ngrënë një kafshatë bukë.
Por unë nuk admiroj këta njerëz të cilët lanë ritet e tyre dhe komunikuan me këtë lloj mënyre me popullin.  Admiroj dikë tjetër.  Ky dikush tjetër nuk është thjesht vetëm një mbret, një mbret i këtij apo atij vëndi, por “Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve” (I. Tim. 6:15).  Ai pra – nëse besojmë – vizitoi dheun.  Erdhi pranë nesh vetë Biri dhe Fjala e Zotit.  Na u afrua.  E deshi popullin sa askush tjetër.  Pësoi tepër, dhe me vuajtjet e Tij hyjnore na hapi horizonte të reja.  Nuk i dha vetëm kuptim jetës njerëzore, por i vuri krahë njeriut të fluturojë, krahë shpirtërore, në mënyrë që njeriu i cili kishte katandisur mos më keq si kafshë, të arrijë të ngrihet lart prej dheut dhe të arrijë deri në lartësitë qiellore.
Krishti mbi dhe’, Foshnja Hyjnore!  Si sillemi ne ndaj Tij? Mos nodshta e festojmë Lindjen e Tij vetëm formalisht, si një festë ku shtrohemi për të ngrënë dhe për t’u argëtuar?

Do të shtoj edhe një shembull tjetër nga traditat e lashta të brezit tonë.  Të gjithë kini dëgjuar për Odisenë e Ithakës, heroin e Trojës.  Mungoi për një kohë të gjatë nga atdheu i tij.  Lundroi në dete dhe pellagë, dhe pas njëzet vjetësh, kur ndodhej në Korfuz, shpëtoi nga anija që mbytej dhe shkeli përsëri tokën e Ithakës ku e çoi me anijen e tij personale mbreti i Korfuzit.  Ashtu siç ishte mplakur nuk mund t’a njihte askush.  Nuk i jepnin rëndësi atij plaku të varfër.  Vetëm dikush e njohu, dhe ky që e njohu nuk ishte njeri por qeni i tij i mplakur Argosi.  Oh çfarë mistere o Zot!  Sapo e pa u ngazëllua qeni dhe e kuptoi që ishte zoti i tij, dhe ngaqë ishte i mplakur dhe s’mund të rendte tundi bishtin me gëzim dhe ngordhi.
Kjo është një skenë jashtëzakonisht e bukur, të cilën n’a i përshkruan Homeri.  Qeni pra njeh të zotin e vet, por njeriu nuk e njeh Zotin e tij, Perëndinë e tij.  Diçka e tillë pra ndodhi edhe gjatë asaj nate të Krishtlindjes.  Brenda në grazhd nuk u njoh Krishti nga njerëzit, as nga Irodhi, apo shkronjësit, farisenjtë dhe kryepriftërinjtë – u njoh nga gomari i përulur dhe kau i raskapitur.  Këto dy kafshë me frymën e tyre ngrohnin atmosferën e asaj nate dimri.

*****
Vëllezërit e mij, sado që të flasim dhe themi misteri është i madhe dhe i pakapshëm nga mëndja jonë.  Hymni i shkëlqyer i Kishë sonë thotë: “Na vizitoi së lartazi Shpëtimtari ynë, lindja e lindjeve, populli që rrinte në errësirë gjeti dritën dhe të vërtetën, prej barkut të Virgjëreshës u lind Zoti”.  Nuk e di nëse në shtëpitë tuaja pritët ndonjë vizitor të lartë e të rëndësishëm.  Në raste të tilla në shtëpinë ku u mikprit kujtohen ata persona duke thënë me nderim: ja, këtu u ul, këtu u mbështet etj...
Sa prej nesh të dashur vëllezër që besojmë, le t’i hapim sot zemrat tona dhe le të bëhen zemrat tona grazhdi i Vithleemit, me besën tonë, me thjeshtësinë tonë, me vetmohimin tonë, me mikpritjen tonë, dhe mbi të gjitha me dashurinë tonë.  Ashtu sikundër Krishti u lind në grazhd, kështu le të lindet edhe në zemrat tona.  Dhe kur Ai lindet brenda nesh atëherë do të ndiejmë madhshtinë e asaj dite dhe ëngjëjt do të psalin: “Lavdi Perëndisë më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Luk.2:14).

+Episkopi Avgustin

Përktheu nga Greqishtja
Aleksander P. Filip
25 Dhjetor, 2008

Ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas at AVGUSTIN KANTIOTIT.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1415) Αλβανία (904) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (372) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (311) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (277) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (251) Β Ήπειρος (237) ορθοδοξία-orthodhoksia (231) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά-Korçë (118) Κορυτσά Β Ήπειρος (103) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (75) διωγμοί - përndjekje (60) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (56) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) ανθελληνισμός (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) πολιτισμός - kulturë (43) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (42) besimi orthodhoks (40) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (39) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (37) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (34) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (23) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) πολιτική-politikë (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)