Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Τετάρτη 7 Φεβρουαρίου 2018

Kauzë të drejtash apo teatër politik "antigrek"?

Ka një reagim emocional por edhe të llogaritur nga akrobatë të njohur të protagonizmit mediatik shqiptar, pas deklaratave të presidentit grek, Prokopis Pavlopoulos për çështjen çame. Siç raportoi së pari ResPublica, Pavlopoulos I bëri këto deklarata në një vizitë pranë shtabit të ushtrisë greke në Larisa ku u shpreh se çështja çame nuk ekziston dhe se çamët bashkëpunuan me nazistët.
Te ky qëndrim konstant i Greqisë mund të dallojmë disa gjëra.
Së pari se Greqia është serioze me historinë e saj të afërt të cilën e respekton atë - ashtu siç e kupton- përtej dallimeve politike. Është tjetër punë vërtetësia historike e një teze, për sa kohë që kur një poitikan grek akuzon një komunitet për bashkëpunim me nazistët, përveçse luan me stereotipet, në thelb i përmbahet një qëndrimi etik për historinë e vendit.
Në analogji, në Shqipëri nuk dihet mirë se çfarë qëndrimi ka njëra palë apo tjetra për Luftën e Dytë Botërore dhe nuk dihet nëse historia politike e këtij vendi udhëhiqet nga ndonjë korpus normash që përputhen me rendin ndërkombëtar të pasluftës. Për ta sqaruar më mirë, nëse diskutimi për çështjen çame do të kalojë në debat historik mes të dyja vendeve, është e udhës që nga Shqipëria të sqarohet se cili është qëndrimi i saj për sa i përket LIIB dhe bashkëpunëtorëve. Kjo sepse pas vitit 1990 kjo konstante është vënë në diskutim seriozisht.
Së dyti aty dallojmë një këmbëngulje për ngjarje për të cilat duhen hedhur dritë. Greqia nuk e ka akuzuar kurrë Shqipërinë për represion ndaj minoritetit grek në Shqipëri, por në fakt akuzon vazhdimisht shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës në masakra, duke synuar të delegjitimojë çdo kërkesë shqiptare.
Në fakt z. Pavlopoulos i përket një brezi që pikërisht këtë do thotë, pasi shkëputja nga ngarkesat historike kërkon kohë. Por këtu çështja për aq sa i takon Shqipërisë nuk është kjo, por mungesa e seriozitetit në përgjigje ndaj një teze që duket se është e palëkundur në Athinë. Le të vëmë në dukje paradoksin e madh që ndodh te ne: nga njëra anë kemi mosbesim absolut për insititucionet dhe politikën tonë, nga ana tjetër mesatarja e informimit për çështjen çame janë deklaratat e politikanëve apo ndonjë shkrim në media që thjesht bën tym.
Në këtë kuadër edhe mungesa e reagimit politik dhe institucional në Shqipëri, pas deklaratës së fundit të presidentit grek, flet më shumë sesa teatri i kaçaflaqëve që duan të shfaqen si agjitatorë flamujsh. Këtu është e udhës që akuza greke të skualifikohet me fakte historike dhe jo me teza histerike, që nuk i hyjnë kujt në punë. Do të duhet të pranojmë po ashtu se çamë që kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve ka patur, pasi ky ka qenë fenomen i përgjithshëm, ndonëse duhet sqaruar terreni historiografik për arsyet dhe motivet e vrasjeve dhe dhunës së ushtruar.
Ky është një shteg në të cilin në Shqipëri askush nuk po do të kalojë, sa kohë që për çështjen çame flitet me nuancën e një kauze antigreke, më shumë sesa për një projekt që synon vendosjen në vend të drejtësisë, por ama edhe pranimit të përgjegjësive.
Për një grek duket se është e lehtë që të asociojë shqiptarin me një të keqe historike. Një herë më osmanët, siç rrëfente edhe Konica e së fundmi edhe me nazistët apo me larminë e kreativitetit të emigrantëve.
Por sidoqoftë problemi qëndron te raporti ynë me historinë përveç se te loja greke dhe kjo mund të shihet te fakti sesi tallemi vetë me LIIB apo Luftën Nacionalçlirimtare, njëherë e glorifikuar e mandej e përbaltur. Dhe një shoqëri që nuk ka qëndrueshmëri apo ndershmëri me veten në rreshtimin historik, nuk arrin që bindjet dhe emocionet apo idetë e një kohe për të drejtën dhe të mirën t’i kthejë në norma referuese dhe orientuese. Nga kjo pikëpamje për një shqiptar të rritur në vitet e tranzicionit mbetet i pakuptueshëm, në mos dredharak dhe i lig ky “sentimentalizmi” grek për kohën e nazizmit dhe çamët pse jeta dhe formimi ynë ndahet mes një kohe ku të gjithë këndonim këngë partizane dhe një tjetre kur gjuanim me gurë dhe pshurrnim në lapidarë.
Siigurisht që çështja çame ekziston, do apo nuk do presidenti grek. Por që palët të arrijnë të mirëkuptojnë pozicionet reciproke, pra të lehtësojnë apo fusin në shteg objektiv zgjidhjen, kërkohet patjetër më shumë punë në zbardhjen e historisë dhe edukimin me të vërtetat e saj. Përndryshe parti politike dhe ahengxhinj mediash ka plot dhe madje nuk mbarojnë.


Δεν υπάρχουν σχόλια: