Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!
Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα predikim. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων
Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα predikim. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων

Κυριακή 4 Φεβρουαρίου 2018

Prangat dhe Liria

 
 Αποτέλεσμα εικόνας για κυριακή ασώτου
“Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje” v. 12.
Trupi ynë është një mrekulli e strukturës arkitektonike. Të gjithë sa e studiojnë, dëshmojnë dhe shpallin urtësinë e Krijuesit. Por, shumë më i lartë dhe i pakrahasueshëm se trupi, është shpirti ynë, sepse është i paprishshëm dhe i përjetshëm. Që të dy këta, përbëjnë njeriun, që është kulmi i veprave të Perëndisë. Dhe të mendojë dikush se Perëndia, si Atë i dhembshur, na pajisi me shumë dhunti të shkëlqyera dhe unike! Nuk do ta tepronim nëse do të thoshim, se më e larta nga të gjitha këto dhunti është vullneti ynë i lirë. Domethënë, Gatuesi ynë, ka vendosur brenda nesh aftësinë të zgjedhim të lirë dhe pa dhunë, atë që gjykojmë të drejtë dhe të dobishme. Dhe këtë aftësinë tonë ka parasysh dhe shën Pavli, në pjesën e sotme të apostullit, kur thotë: “Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje”. Dhe këto fjalë të urta të Apostullit, duhet t’i studiojmë tani, që të zgjidhim shumë dilema tona dhe të të tjerëve.
I
E gjithë struktura e krishterë mbështet mbi themelin, që quhet vullnet i lirë. Perëndia nuk detyron asnjë të bëjë të mirën. Prandaj dhe në Dhiatën e Vjetër thotë: “Unë marr sot si dëshmitarë para jush qiellin dhe tokën, që unë ju kam vënë përpara jetës dhe vdekjes, bekimit dhe mallkimit; zgjidhni, pra, jetën që të mund të jetoni të lumtur ju dhe pasardhësit tuaj” Ligji i Përtërirë 30, 19. Dhe në Dhiatën e Re, vetë Zoti Krisht thotë: “Kush të dojë të vij pas meje...” Matheu 16, 24.
Ngaqë jemi të lirë të zgjedhim dhe të bëjmë të mirën apo të keqen, prandaj dhe do të shpërblehemi për virtytet tona ose do të dënohemi për të këqijat tona. Përndryshe, nëse e bënim të mirën ose të keqen të detyruar, si qenie të pavullnetshme, do të ishte e padrejtë të na shpërblejë ose të na dënojë Perëndia.
Pra, t’i bëjmë të gjitha të lirë. Por, të gjitha sa janë të lejuara nga ana e etikës. Të lirë të hamë, të pimë, të flemë, të punojmë, të vëmë pasuri, të informohemi me të rejat nga gazeta apo nga radioja, të argëtohemi, të kemi miq, etj.
* * *
Po, kam mundësinë të bëjë çfarë të dua, çfarë të mundem. Por nuk është e dobishme t’i bëj të gjitha, sepse ka edhe gjëra të padobishme dhe të dëmshme për mua, ndoshta dhe për të tjerët. Dhe këto janë, gënjeshtra, betimi, paragjykimi, shpifja, sharja, argjenddashja dhe pangopësia, dehja, imoraliteti, dhe të gjitha mëkatet në përgjithësi.
Do të dalin, ndoshta, disa të cilët do të shfaqin kundërshtimin, se shumë nga të këqijat e ndaluara, që përmendëm më lartë, janë të dobishme për njeriun. Do mbështesin mendimin se, pa gënjeshtrën tregtari nuk mund të bëj pasuri. Dhe betimi është i domosdoshëm, që të bëhemi të besueshëm. Se akuza dhe sharja duhen, që të dënojmë të këqijtë, se dehja dhe dëfrimi përbëjnë një lloj çlodhjeje dhe argëtimi për njeriun e munduar.
Por të gjitha këto janë sipërfaqësore dhe nuk i shërbejnë interesit tonë të vërtetë. Dhe i vërtetë është interesi shpirtëror dhe i përjetshëm, i cili as që krahasohet me atë materialist dhe të përkohshëm. Sepse u pyes: Ç’ dobi do të kenë paratë, që i fitova me paudhësi, kur, për shkak të tyre, rrezikoj të humbas thesaret qiellorë? Ç’ dobi do të kenë pozitat e larta të botës, të cilat i fitova në mënyrë të paudhë, kur, me këto, mund të humbas Mbretërinë e Perëndisë? Të gjitha janë të lejuara. Por të gjitha sa nuk i ndalon Ligji i Perëndisë dhe ndërgjegjja. Sepse të ndaluarat, nuk janë të dobishme as për mua, as për të tjerët.
Ajo që lejohet është njësi matëse. Hamë që të jetojmë, nuk jetojmë që të hamë. E lejueshmja është shkalla e parë që, nëse nuk do kujdesemi, do kalojmë në të ndaluarën. Na duhet një rrip sigurimi. Ka njerëz, të cilët bëhen skllevër të ushqimit, dhe bien në mëkatin vdekjeprurës të pangopësisë. Shën Joani Shkallës, ndez dritën e kuqe, dhe na vë para përgjegjësisë: “Të ngrënit pa masë, është babai i kurvërisë”. Të tjerë pinë deri sa velen, dhe dehen e tregohen skllevër të pijes; kështu bien në mëkatin e dehjes, i cili është fatal dhe shkatërrues.
II
Por, ja që edhe njëherë tjetër na e vërteton shën Pavli: “të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje”. Njeri i lirë me të vërtetë, ishte apostull Pavli. Dhe në pranga, dhe në burgje, shpirti i tij mbetej i lirë, vullneti i tij ishte i lirë. Bashkimi i tij me Zotin dhe Perëndinë e tij, e bënte të ndjehej i lirë nga sundimi i njërit apo tjetrit.
“Ku është Shpirti i Zotit, atje ka liri” 2 Korinthianëve 3, 17. “Në ju çliroftë pra Biri, me të vërtetë do të jeni të lirë” Joani 8, 36. Jisu Krishti Perëndinjeri është i vetmi, që na dhuron lirinë e vërtetë. Brenda etikës së krishterë farkëtohen trupa të fortë dhe shpirtra të fortë. Atëherë njeriu jeton lirinë brenda bindjes së Ligjit të Perëndisë.
Kjo është rruga e vetme për njeriun e epokës sonë. Vetëm kur të ndjejë dhe të besojë ku ekziston liria e vërtetë, atëherë do të shikojë të mënjanen pushtuesit, që e mbanin nën këmbët e tyre. Kjo nuk është e lehtë. Është nga arritjet e vështira shpirtërore... Me Hirin hyjnor dhe fuqinë hyjnore dhe vendosmërinë e tij, lufton kundër pasioneve dhe mënjan idhujt e mëkatit...
Brenda një bote të robëruar nga “hyjnitë e reja”: moda, ndonjë sistem apo ndonjë teori -dhe ekzistojnë shumë idhuj, që nga fundi i shekullit që kaluam dhe në fillim të shekullit që po ecim: aktorë, futbollistë dhe aq të tjerë- besimtari e ngre i lirë kokën e tij, lëviz i lirë, jeton dhe vepron si një personalitet i lirë.
Lum, që këtë trumbetim të lirisë, ta dëgjonin të gjithë njerëzit, të cilët, ndërkohë që dëshirojnë të jenë pa kufij, katandisen robër të varësive të tmerrshme: të alkoolit, të duhanit, të drogës apo në zakone të tjera mëkatare dhe ndikime të botës. Le të mos na ndikojnë, pra, parrullat e botës, që na ftojnë të jetojmë të lirë nga “jo-ja” dhe “duhet”, të çlirohemi gjoja nga kufizimet që vendos Ligji i Perëndisë. Ligji i Perëndisë, jo vetëm që nuk na e privon lirinë, por në realitet, është ai, që e ruan lirinë tonë dhe na siguron.
Shën Pavli, me të gjithë fuqinë e shpirtit të tij të shenjtë, godet mëkatet e tmerrshme të trupit, të kurvërisë, të kurorëshkeljes... dhe kërkon t’i rrëmbejë të krishterët nga flakët e këtyre pasioneve të mjerueshme. Trupi juaj, thotë, “është tempull i Shpirtit të Shenjtë, që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk jeni të vetvetes” 1 Korinthianëve 6, 19. Trupi është prona e Perëndisë. Si e rrëmbeni trupin e Perëndisë dhe e vërvisni në baltë? Ejani në vete, pra, o të krishterë, kujdesuni, kini frikë, dhe ndaloni çdo vepër mëkatare dhe hidhni tej çdo dëshirë të keqe.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Ka ardhur koha të fillojmë të jetojmë sipas dëshirës së Perëndisë. Të bashkojmë dëshirën tonë me dëshirën e Perëndisë. “Ai që bashkohet me Zotin është një shpirt me atë” v. 17. Kështu, me të vërtetë i lirë është ai që jeton si rob i Jisu Krishtit. Një klerik i shquar bashkëkohor thoshte: “I çlodhur ndjehesha, kur punoja pa ndërprerë për lavdi të Perëndisë, dhe i lirë u ndjeva nga momenti, që u bëra skllav i Jisu Krishtit”. I krishteri, që lufton fortë, është i vetmi i lirë nga tiranët e brendshëm dhe të jashtëm. Dhe kështu mund të thotë bashkë me Apostullin e madh: “Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje”.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
IGNATI
Berat me 04.02.2018