Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!
Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα αλβανικά. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων
Εμφάνιση αναρτήσεων με ετικέτα αλβανικά. Εμφάνιση όλων των αναρτήσεων

Πέμπτη 21 Σεπτεμβρίου 2017

SHBA zgjedh Greqinë si shtyllë strategjike në Ballkan, çon si ambasador 'buldozierin' Hoyt Brian Yee

SHBA zgjedh Greqinë si shtyllë strategjike në Ballkan, çon si ambasador 'buldozierin' Hoyt Brian Yee
Greqia është shtylla e strategjisë amerikane në rajonin e Ballkanit. Këtë pohon në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt, referohet Respublika.
Sipas tij caktimi si ambasador në Greqi i zv.ndihmës sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europën, Hoyt Brian Yee tregon se SHBA po synon të investojë në këtë vend që e shikon me përparësi në Ballkan. Pyatt është treguar shumë optimist kur vjen puna për investimet amerikane: ai ka folur për Selanikun, për gazsjellësin TAP dhe seksionin greko-bullgar (IGB). Pyatt po ashtu ka shprehur gatishmërinë e biznesit amerikan për të investuar në portin e Alexandroupoli që është terminal në këtë kontekst. Bëhet fjalë për shprehjen e interesit nga Exxon Mobile dhe nga Energean; ky i fundit ka marrë së fundmi miratimin për të nisur kërkimet në detin Jon dhe aktualisht operon në Greqinë e Veriut.
I pyetur mbi rolin e Turqisë në Mesdheun Lindor, ambasadori amerikan ka përcjellë si pikë të parë, kundërshtimin amerikan për një gazsjellës të dytë për Turkish Stream.
“Ne e shohim atë si një tjetër rrugë, njësoj si Rryma Veriore për Europën, për të zgjeruar varësinë nga gazi rus në një mënyrë që është keq për sigurinë europiane dhe për rritjen ekonomike të Europës. Turqia me përkufizim është pjesë e Korridorit të Jugut. E vetmja rrugë që gazi të vijë nga Azerbajxhani në Greqi për TAP është duke kaluar në territorin turk, kështu që këtu ka një rol natyral…Kjo është arsyeja që ne kemi qenë mbështetës kaq të mëdhenj të TAP, sepse krijon dinamika për Greqinë, Italinë dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor”, shprehet ambasadori amerikan në Greqi.
Ai ka shprehur vlerësime për qëndrimin grek në raport me Turqinë, duke konsideruar se Turiqa, duhet, ashtu siç propozon Greqia, të qëndrojë në institucionet perëndimore dhe me Perëndimin./Syri/

Τρίτη 29 Αυγούστου 2017

Shoqëria babilonike – Edison Ypi

 
Shqipëria është vendi më i rëndësishëm i botës, ai vend që përcakton fatet e planetit, dhe shqiptarët janë njerëzit më inteligjentë, më puntorë, më trima, më heroikë të rruzullit.
Ky pohim është budallallëk. Megjithatë në shoqërinë babilonike lejohet ta thuash sa herë të vjen ndërment dhe ta përsërisësh sa herë të intereson.
Do shpallen emrat e spiunëve. Të thuash se në listat përkatëse është, ta zemë, emri im që me Sigurimin kam qënë më i largët se toka me galaktikën e Andromedës, është e sigurtë se nënën motrën, gruan, dhe të gjitha femrat e fisit deri në 17 breza i ke karaputana, vet’ je kurv, fëmijët nuk i ke të tutë por të komshiut qefli dhe gruas tënde lavire. Mirpo në shoqërinë babilonike që po e ndërtojmë me sukses të madh, s’ka pse të mos thuhet edhe kjo.
Po thonë se shumica e spiunave kanë qënë nga të përsekutuarit. Çka nënkupton se ideatorët dhe ekzekutorët e vërtetë të persekutimit të Shqipërisë diktatoriale, nuk paskan qënë ata që dinim, çeta e vrasësve që morën pushtetin më ’44-ën, por viktimat e tyre, të internuarit, të burgosurit, të pushkaturit. Zbulimi befasues mund të jetë tmerrues në një shoqëri normale. Por është më se i mundur në shoqërinë babilonike.
Nga stili inekzistent, fjalori i varfër, klishetë e neveritëshme që të nxjerrin mallin e Zërit të Popullit, kuptohet se jo pak nga ata që sot hiqen për konservatorë janë ca qesharakë ngrehalucë pa asnjë impakt në publik për të cilët Shqipëria nuk është më e madhe se kafeneja ndër të cilët shquajnë ca gjydyrymë që llomotitin nga jashtë, ca gomerë që hiqen për gjenialë. Le të jenë. Shoqëria babilonike ua lejon.
Ka në Shqipëri treva me dhjetra fshatra ku mijëra shqiptarë punojnë, mbjellin, korrin, ndërtojnë shtëpi, kultivojnë vreshta, pinë raki, dehen, dashurohen, martohen, bëjnë kalamaj, trashëgohen. Por kanë një të keqe; Nuk vrasin njëri-tjetrin. Duke mos u vrarë me sho-shoq, nuk prodhojnë lajm. Duke mos prodhuar lajm nuk dalin në media. Duke mos dalë në media nuk ekzistojnë. Për shoqërinë babilonike është më se normale.
Rrjetat sociale po shërbejnë si një mundësi e mrekullueshme për tu mundësuar budallenjve të krijojnë një të dytë, të tretë, të katër, të pestë, të njëqintë, identitet të paqënë por të dëshiruar. Dëshmon krizë identitare me përmasa gjiganteske. Rëndësi ka që shoqëria babilonike, mes shumë të mirave të tjera, edhe këtë e mundëson.
Sa qef të jetosh në shoqërinë babilonike. Ku s’të lypset të shohësh realitetin e ashpër, por vetëm ëndërra të buta me sy hapur duke u ngutur të vdesësh këndshëm.

Πέμπτη 24 Αυγούστου 2017

BE me qëndrim zyrtar, nazizmi dhe komunizmi ideologji terrori

 

"Dita evropiane e përkujtimit për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare përfaqëson vlerat e përbashkëta të Evropës dhe shteteve anëtare të saj”- ka shkruar në Twitter nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans duke i vënë kapak diskutimit të hapur nga qeveria greke, e cila kontestoi shenjën e barazisë mes nazizmit dhe komunizmit.
Deklaratat e zyrtarit europian erdhën gjatë  konferencës ndërkombëtare të mbajtur në Estoni me rastin e Ditës Evropiane të përkujtimit për viktimat e komunizmit dhe nazizmit, ku ishin të pranishëm të gjithë ministrat e Drejtësisë së vendeve të Bashkimit Europian. Konferenca mori karakterin e një konflikti, pasi  ministri grek i Drejtësisë kritikoi nismën e presidencës së estoneze të BE-së. Nga ana e tij, Ministri i Drejtësisë i Estonisë, Urmas Reinsalu, premtoi se do t'i përgjigjet me shkrim homologut grek, i cili argumentoi se nazizmi dhe komunizmi nuk mund të barazohen.
"Çuditërisht, kjo letër do të japë një shpjegim shumë të qartë për faktin se këto aktivitete janë jetike dhe të domosdoshme për të ardhmen tonë dhe kujtimin e miliona viktimave. Do të thosha se kjo nuk është çështje politike, por e bazuar në vlera dhe në ligj. Baza e kësaj është dinjiteti njerëzor " shtoi Reinsalu. Presidenti i Platformës Evropiane të kujtesës dhe ndërgjegjes (PEMC) Goran Lindblad, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencën për shtyp, theksoi rëndësinë e dënimit të të gjitha regjimeve totalitare.
"Nuk është e nevojshme të krahasohen apo barazohen regjimet e ndryshme totalitare. Nuk ka nevojë. Ne vetëm duhet të shohim rezultatet e aktivitetit të tyre. Të dy tekstet -The" Mein Kampf " i Hitlerit dhe Karl Marx përfshijnë idenë e përdorimit të terrorit, në mënyrë që  diktaturat mbeten në pushtet. Komunistët janë në qeveri në Greqi, por nuk ka shumë qeveri të tilla. Nëse do të kishte më shumë, ata do të mendonin ndryshe. Prandaj shpresoj që t'i përgjigjeni me vendosmëri", iu drejtua tha Lindblad ministrit estonez.
Vlen të përmendet se grupi i së Majtës së Bashkuar Evropiane / Nordik Gjelbër (GUE / NGL) Parlamenti miratoi të martën një deklaratë në mbështetje të ministrit grek, duke e akuzuar Estoninë për politizim të Presidencën e BE-së, dhe akuzuar Talinin se konferenca që do të mbahej ishte "një fyerje ndaj kujtesës historike evropiane".
Nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timmermans tha se Komisioni Evropian duhet të miratojë plotësisht temën e konferencës së presidencës së Estonisë. "Bashkëpunimi evropian, patriotizmi dhe vlerat tona na bëjnë të jemei ku ndodhemi. Le të hedhim poshtë nacionalizmin ekstrem që na dobëson të gjithëve. Kjo është BE, e themeluar mbi vlerat e respektit dhe dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë” - thekson Timmermans.

Τετάρτη 19 Απριλίου 2017

I kishte kërkuar Enverit të mos i mbyllte kishat, por nuk do të besoni se çfarë i kishte bërë ai

Mihal Davidhi, nga fshati Zhukë i Novoselës në Vlorë, në vitin 1967 ishte 19 vjeç kur mori guximin dhe i shkroi një letër të thjeshtë udhëheqësit të madh e të lavdishëm të popullit shqiptar, shokut Enver Hoxha. “Të madh, të lavdishëm…” e quanin të gjithë në atë kohë Enver Hoxhën.
Mirëpo kjo letër e shkruar me shpirt, në kërkim të dritës, do të ishte fatale për Mihal Davidhin. Kërkoi dritë dhe gjeti errësirën. I hapi zëmrën partisë dhe ajo i mbylli të gjitha dyert e jetës. Ishte gënjyer keq. Ishte mashtruar akoma më keq nga propaganda komuniste. I kishte besuar sloganit të partisë “se cilido mund të shkruajë me shkronja të mëdha ç’mendon për punën dhe njerëzit”.
Pas këtij slogani, të mëdhenj e të vegjël filluan t’i shkruajnë partisë dhe shokut Enver, pavarësisht se punonin në uzinë apo fabrikë, pavarësisht se punonin në fermë apo kooperativë, pavarësisht se mësonin në bankat e shkollës, apo militonin në ushtri. Kushdo mund t’i hapte zëmrën partisë dhe shokut Enver.
Nga të katër anët e Shqipërisë vërshuan letrat e popullit drejtuar partisë dhe shokut Enver, Komitetit Qendror dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor. Aq shumë letra shkruheshin nga populli, sa një gjë e tillë u kthye në epidemi. Shumë nga këto letra botoheshin në gazetë. Për shumë të tjera bëheshin komente pa fund. Më të zgjedhurat lexoheshin publikisht në uzina, fabrika e shkolla.
Në atë kohë nuk kishte televizion, po Radio Tirana, e vetmja në Shqipëri buçiste nga mëngjesi në mbrëmje duke lexuar letrat që populli i shkruante partisë.
Në Komitetin Qendror kishte një sektor të veçantë që lexonte letrat e popullit. Ishin këta njerëz që zgjidhnin me kujdes letrat që do bëheshin publike. Ishin këta njerëz që vendosnin se cilat letra do t’u kalonin komiteteve të partive në rrethe për shqyrtim, cilat nuk kishin interes e do hidheshin në kosh pa i parë e pa i lexuar njeri, dhe të tjera që do t’i kalonin Sigurimit të Shtetit për verifikim. Këto ishin letra të zeza, letra me spec, që kërkonin të shqetësonin udhëheqjen e lartë të partisë, prandaj ata që i shkruanin, duhet të jepnin llogari. Pse e kishin shkruar këtë letër, si e kishin shkruar, kush i kishte mësuar, me kë bashkëpunonin, a kishin kryetar, e të tjera e të tjera.
Ndërkohë që punonte një armatë e tërë për të nxitur njerëzit që të shkruanin letra, një armatë tjetër, dy herë më e madhe, punonte për t’i seleksionuar këto letra.
Në këtë atmosferë, Mihal Davidhi e kuptoi se ishte i vonuar për të shkruar letrën e tij. Më kot ishte përpëlitur për net të tëra me dilemën për ta shkruar apo jo letrën e tij.
Prindërit e tij ishin kooperativistë të thjeshtë. Ata punonin në bujqësi. Nuk kishin arsim, po ishin njerëz të ndershëm. Si të tillë, besonin në Zot, besonin te Jezu Krishti. Një gjë të tillë e bënin me shpirt.
Me besimin te Zoti i edukuan edhe të gjashtë fëmijët e tyre, Mihalin, vëllain e tij, si dhe të katër vajzat e tyre. Kur vendosi t’i shkruajë letër Enver Hoxhës dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, Mihali ishte 19 vjeç. Ishte viti 1967, kur në të gjithë Shqipërinë po prisheshin kishat dhe xhamitë. Ishte koha kur rinia shqiptare, nën udhëheqjen e partisë, me mësimet e shokut Enver, ishte vënë në ballë të aksionit për të shkallmuar nga themelet këto vatra të obskurantizmit që helmonin njerëzit e i largonin ata nga partia dhe mësimet e saj.
Duke iu kthyer atyre viteve të largëta, Mihal Davidhi kujton: Ne jetonim në një vend të mbyllur. Ishim krejtësisht të izoluar dhe çuditërisht kujtonim se dinim shumë, po nuk dinim asgjë. Kujtonim se ishim të pasur, po në fakt ishim shumë të varfër. Ëndrra jonë ishte të mbaronim shkollën. Të ishim sa më të rregullt në jetë e të bëheshim kooperativistë të mirë. Shumë-shumë të bëheshim traktoristë, shoferë, brigadierë.
Në atë kohë, për ne të provincës nuk hapej kollaj drita jeshile. Kështu, pasi mbarova shkollën e mesme, më morën ushtar.
Kam qenë në rrethin e Korçës, në një repart artilerie me topa 192. Aty kam dëgjuar në radio vendimin e qeverisë, ku me ligj, në Shqipëri ndalohej besimi fetar. Kjo ishte një dhimbje shumë e madhe për mua që besoja te Zoti. Duke prishur të gjitha kishat e xhamitë, gjithçka që lidhej me besimin te Zoti, për mua kjo ishte absurde, një vendim i kobshëm.
Unë isha i hapur. Madje thosha: “Ne duhet ta kundërshtojmë këtë. Si është e mundur të na heqin Zotin?! Kujt duhet t’i besojmë? Një udhëheqësi! Po ai është si ne”. Ushtria më kishte burrëruar, më kishte zhvilluar. Aty kisha lexuar shumë libra, shumë autorë të ndryshëm. Pra, isha më i formuar.
Ndërkohë në kooperativë shihja se njerëzit punonin për një copë bukë. Po kuptoja izolimin, varfërinë, gati-gati skllavëruese. Ç’mund të bëhej më tutje? Pasi kaloi viti i ri, në atë kohë nuk kishte Krishtlindje. Asgjë. Madje, nëse zbuloheshe se festoje Krishtlindje, mund të futeshe në burg. Gjithë muajin janar po mendoja se çfarë mund të bëja. Nuk shikoja hapësirë, nuk shikoja dritë. Me vete mendoja se vetëm Zoti mund të më ndihmonte.
E përse të mos i shkruaj partisë, vetë shokut Enver dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor?
Unë jam thjesht një njeri, një ortodoks, një i ri kooperativist. Nëse nuk do ta ngrinim zërin, ne që besonim në Zot, kush do ta ngrinte?
Përse u prishën kishat dhe objektet e kultit?
E përpunova këtë vendim, e përpunova… dhe shkrova një letër.
Ishte një letër e hapur, drejtuar Enver Hoxhës si Sekretar i Parë i Partisë dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor me president Haxhi Lleshin. Unë mendoja se partia duhet ta rishikojë këtë vendim. Pse? Sepse pa besimin te Zoti, ç’do të bëjmë? Plus kësaj, ne nuk mund të ecim përpara si komb, si shoqëri, si familje pa Zotin. Kujt do t’i drejtohemi ne e kujt do t’i themi Zot? Për këto pikëpyetje, unë doja shpjegim. Për këtë letër që po ju shkruaj, ju mund të më burgosni, mund të më vrisni, mund të bëni ç’të doni, por gjyqit të fundit, gjyqit para Zotit, askush nuk i shpëton. Në fund, me respekt Mihal Thoma Davidhi. Kjo ishte letra ime e hapur, një letër individuale.
Nuk u konsultuat me të tjerë, në mënyrë që letra, veç firmës suaj, të mbante edhe firma të tjera?
Jo, një gjë e tillë për atë kohë ishte e rrezikshme. Nëse nuk i pëlqente partisë kjo letër, atëherë gjithë firmëtarët do trajtoheshin si grupazh, madje si grupazh i organizuar. Nuk do merrej në qafë një njeri, po gjithë grupi, familjet po e po.
Mirëpo unë isha i bindur se letra ime do të pëlqehej nga partia, se ajo do të hapte polemika, po më në fund do të ndërhynte partia, vetë shoku Enver e do thoshte: “Ndaluni pak! Ky djalë i ri ndoshta ka të drejtë. Pa të mendohemi mirë. Të vjetrit, prindërit tanë kanë besuar në Zot, e ky djalë i edukuar nga partia mendon dhe i sugjeron partisë që të mos i lëndojmë njerëzit tanë të dashur. Ata që duan të besojnë në Zot, le të besojnë. Ata që nuk duan, le të mos besojnë”.
Në këtë mënyrë Enver Hoxha kënaqte të dyja palët. Unë kthehesha në hero të ditës, sepse me letrën time kisha ndihmuar partinë. Kështu mendoja atëherë.
Pasi e shkrova letrën, e futa në një zarf dhe u nisa për në Vlorë.
Në këtë moment, vjen motra.
– Ti ke shkruar diçka të fshehtë, – më thotë ajo. Kërkoi të ma marrë letrën, por unë refuzova. Erdhi edhe nëna. Kur më pyeti, i thashë:
– Asgjë, moj nënë. Kërkoj të bëhem burrë, e kaq, – pa i thënë se ç’kisha bërë.
Ku e postuat letrën, në fshat?
Jo, në fshat nuk kishte postë. Vajta në Vlorë. E postova rekomande dhe po prisja. Sigurisht që do të më kthenin përgjigje.
Pasi kaloi një muaj e kuptova se letra ime ishte një thirrje e shuar, një zë në shkretëtirë. Ajo ishte një lule që kërkonte të çelte në acar, para se të vinte pranvera. Ajo letër ishte e destinuar të thahej nga ngrica e regjimit. Megjithatë, përsëri thosha me vete: Jo, patjetër do të vijnë të më pyesin.
Madje, do të më marrin mendim sepse unë nuk kisha bërë asgjë të keqe ndaj pushtetit popullor, as ndaj atdheut tim, as ndaj shoqërisë. A mund të dënohesha thjesht se kisha shkruar një letër, ku shprehja pikëpamjet e mia, ashtu siç na mësonte partia dhe shoku Enver?
Ditët kalonin e asgjë nuk po ndodhte.
Një ditë më thërret kryetari i Këshillit e më thotë: “Dëgjo Mihal! Kooperativa jonë ka nevojë për elektricist dhe ne kemi menduar t’ju çojmë juve në një kurs në Vlorë për t’u bërë elektricist. Jeni familje komunistësh, familje dëshmori, kështu që ju takon kjo bursë. Nëse jeni dakord bëni një kërkesë me shkrim”.
I entuziazmuar për besimin që kishin ndaj meje e bëra menjëherë kërkesën me shkrim.
Unë nuk e dija se letra ime drejtuar shokut Enver ishte seleksionuar nga sektori i letrave si letër e zezë. Sigurimi i Shtetit kish ditë që punonte për të. Përgjigjja nga operativi i zonës kish shkuar deri lart se Mihal Davidhi nuk mund të shkruante një letër të tillë, pasi babai i tij është komunist. Vëllai i tij është dëshmor, madje edhe vëllai i nënës është dëshmor. Vetë Mihali është ushtar shembullor në të gjitha drejtimet. Një njeri i tillë si Mihali, nuk mund të dalë kundër vijës së partisë.
Mirëpo ata më lart, në ministri, që u shkonin punëve deri në fund, dhanë urdhër të verifikohet shkrimi. Kursi për elektricist ishte një sajesë. Sigurimi i Shtetit donte shkrimin tim, në mënyrë që ta krahasonte origjinalin me letrën.
Pse duhet ta bënin një gjë të tillë, kur ju kishit vënë emrin tuaj?
E kisha vënë, por ata dyshonin se mos e kishte bërë njeri tjetër, pasi unë vija nga një familje dëshmorësh, të luftës.
Verifikimi nëse ishte i njëjti shkrim, për ta ishte më se normal. Pas verifikimit të shkrimit më arrestuan.
Çfarë ndodhi me ju, pasi ju arrestuan? Ku ju çuan?
Më futën në izolim, në Degën e Punëve të Brendshme. Në një birucë të veçantë. Aty e kuptova se çdo të thoshte diktaturë dhe sa e vështirë ishte për ta përballuar. Besimi te Zoti që më kishin kultivuar prindërit më jepte motiv për të qëndruar.
Pas tri ditësh, në mes të natës, më merr polici e më ballafaqon me hetuesin. “Letrën e ke bërë ti, por ne duam të dimë kush të mësoi, në cilin grup bën pjesë, me kë je lidhur, kush ju drejton?”.
Kur hetuesi e pa se unë nuk kisha gjë për të thënë, se letrën e kisha shkruar vetë, me emrin tim, se nuk kisha lidhje me asnjë grup, me asnjë drejtues, madje as me imperialistët amerikanë, as me revizionistët sovjetikë dhe as me monar kët grekë, siç aludonte ai.
Hetuesi u egërsua.
“Pse duhet ta heqim Zotin me ligj?,- i thashë unë.- Nëse dikush do që të besojë, le të besojë! – Ose do të nxjerrësh grupin dhe njerëzit që të kanë shtyrë, ose do të kalbesh në burg!,- më tha hetuesi.- Nëse ju kërkoni vdekjen time, lavdi Zotit, ja ku më keni, por unë nuk po ju gënjej. Përse më detyroni të gënjej? -Kush ju frymëzoi?,- më pyeti hetuesi. – Ungjilli, Bibla, leximet e shenjta. -Sot po të lë të lirë,- më tha hetuesi,- por herë të tjera, mendohu mirë”.
Pas disa ditësh më mori përsëri në pyetje, natën. Më hodhi në tavolinë një kryq dhe një libër të Shën Kozmait që unë i kisha fshehur në baxhanë e shtëpisë në fshat. Çështja u komplikua edhe më shumë, pasi rrezikoja 3 deri në 10 vjet burg për agjitacion e propagandë.
Dolët në gjyq?
Jo, nuk dola në gjyq. Vendosa të bëja vetëflijim. Vendosa të mos ha e të mos pi. Një ditë, dy, tri, katër. Ditën e pestë erdhën e më thanë: “Pse nuk ha?”.
Doja të vdisja. S’kisha motiv të jetoja më, por kjo ishte dobësia ime.
Ditën e gjashtë më vjen prokurori i qarkut. Ai ishte njeri me potencë. Kish qenë në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë, pastaj meqë i kishte dhënë të drejtë një gruaje Enver Hoxha e kishë kritikuar. Drejtësi partie. Kështu që e hoqën nga Tirana dhe e sollën prokuror në Vlorë. Ky ishte nga fshati im, mik i familjes tonë. U pa qartë se donte të më shpëtonte. Nuk donte që unë të bëja burg.
Ky hetues më vjen në birucë, më gjen të shtrirë në dysheme e më thotë” “Pse nuk ha? Pse bën grevë urie? Pse do që të vdesësh?”.
Duke vazhduar bisedën më thotë: “Unë e japë jetën për partinë, ti për kë e jep jetën? -Për Zotin,- i thashë. – Mua më bëhet qejfi që një djalë nga Myzeqeja është trim, por këtë trimëri ta vëmë në dispozicion të partisë e të shokut Enver e jo për Zotin. Që të luftosh duhet të bëhesh burrë. Që të bëhesh burrë duhet të hash”. Me këto fjalë ai më dha kurajë. Bëra kryq e falënderova Zotin. Fillova të ha bukë.
Për fat kisha një prokuror nga anët e mia, Spiron, mik i familjes sonë, i cili kishë dëshirën të më ndihmonte, por pa u kuptuar nga të tjerët, ndryshe do të dënohej vetë si kundërshtar i partisë dhe pushtetit popullor. Spiro i njihte mirë ligjet. Ai e dinte se sistemi komunist nëse falte këtë mund të bënte vetëm për një të sëmurë mendor. Por edhe këta i fusnin në psikiatri. Unë s’kam qenë asnjëherë i sëmurë. Nuk jam as sot. Ai më dërgoi në Burgun e Tiranës. Përpiloi një raport mjekoligjor të gjatë e indirekt më la të kuptoja se si duhet të sillesha.
Në Burgun e Tiranës ndenja 3 muaj. Aty njoha të burgosurit politikë, siç ishte Panajot Buzuku nga Belahova e Delvinës, i cili ishte dënuar për tentativë arratisjeje. Ai kishte krijuar grupin e Delvinës, mirëpo ishte zbuluar dhe e kishin futur në burg. Ai më mësoi e më drejtoi bëj kështu e ashtu. “Ji shumë i kujdesshëm se edhe këtu brenda ka spiunë e të fusin në kallëpe që nuk del dot më”. Edhe ai besonte shumë te Zoti. “Bëju i zgjuar, përdor pak taktikë”. Pastaj më pyeti: “Ju je më mirë, të jesh jashtë, apo të jesh brenda? Unë jam dënuar me 20 vjet burg. 20 vjet nuk do t’i japë asgjë shoqërisë. Këtu edhe mund të vdesësh e të mos dalësh i gjallë, kurse jashtë ke mundësi të bësh diçka të dobishme”. Kur dola në komision bëra ato që më kishë thënë shoku im. Konkluzioni: I sëmurë psikik, prandaj e ka shkruar edhe atë letër të mallkuar. D.m.th. isha i papërgjegjshëm për veprimet që bëja. Për të gjitha këto ishte kujdesur miku ynë i familjes.
Ju liruan nga burgu?
Jo, më çuan përsëri në Burgun e Vlorës. Më mbajtën një- farë kohe, u bë përsëri një gjyq i dytë dhe aty nga fundi i dhjetorit më çuan në psikiatri. Për mua kjo ishte një kosto shumë e lartë. Do t’u nënshtrohesha ilaçeve. Nuk jam mjek, jam agronom, por diçka mësova. Medikamentet në psikiatri janë injeksione që shkatërrojnë gjithë sheqernat në gjak dhe pas kësaj të kalojnë në elektroshok.
I lutesha Zotit që të më mbronte e të më shpëtonte nga kjo situatë.
Pas gjashtë muajve në spital më nxorën në gjyq dhe arritën në përfundimin se isha shëruar. Kështu më liruan.
Ku shkuat?
Në fshat, në Zhukë. Atje gjeta një atmosferë tepër armiqë- sore. Familjen e kishin izoluar me kohë. Kostoja që pagova për një letër ishte e lartë jo vetëm për shëndetin, por edhe nga pikëpamja morale.
Pas proceseve demokratike u lidha me kishën. Dëshira ime ishte të bëhesha prift, mirëpo kanuni i kishës nuk më lejonte të bëhesha prift, pasi isha martuar dy herë. Imzot Anastasi, fort lumturia e tij, më emëroi ekonomist në akademinë e Shëno Vlashit.
Pas gjithë kësaj historie, a e ndieni veten të kënaqur e të gëzuar?
Po. Kur shkrova letrën isha fare i ri. Sot jam 70 vjeç. Shoh thinjat e pleqërisë. Po përgatitem. Nuk jam i përsosur, por përpiqem të jem njeri i mirë. Kam vënë gjithë aftësitë e mia mendore, fizike dhe intelektuale në shërbim të kishës e të akademisë. I gjithë gjelbërimi që shihni rreth e rrotull ka kontributin tim modest.
Komunizmi ishte një e keqe e madhe për të gjithë ne. Qoftë larg e mos ardhtë më ai sistem, sepse nuk ka qenë aq i lehtë për t’u përmbysur. Veçanërisht mentaliteti i tij. Për të mos iu kthyer atyre që thamë, kam një mesazh. Unë edhe ata policë që më kanë rrahur i kam falur. I kam falur e kam thënë Zoti i bekoftë edhe ata!

Τρίτη 28 Μαρτίου 2017

AGRON GJEKMARKAJ/ “Lila u tall me priftërinjtë, Mavraj s’i jep dorën kardinalit. Pse luajnë në Greqi e Gjermani dhe jo në Libi e Iran?”


agron gjekmarkaj, vogelAgron Gjekmarkaj


 Kur para dy vitesh në stadiumin e Beogradit luhej ndeshja Serbi – Shqipëri, i gjithë kombi shqiptar përjetonte krenarinë, zemërimin dhe shqetësimin që ai eveniment sportiv i shndërruar në ngjarje krijoi. Mënyra se si luante skuadra, mënyra se si reaguan për të mbrojtur një simbol kuqezi, i ngjashëm me flamurin e mbi të gjitha agresioni fizik me të cilin u përballën, na i alternoi ato ndjesi. Një krenari legjitime stampohej në aurën e çdokujt për përfaqësimin dinjitoz të Kombëtares, në një fushë që i trajtoi ata si njerëz të armatosur e jo si sportistë.
Nuk guxon askush të dyshojë se me të njëjtin emocion e kanë përcjellë gjithësa edhe imami Elvis Naço, edhe prifti Dom Gjergj Meta, edhe hirësi Anton Merdani, apo baba dervish Mikeli për faktin se ajo ishte Kombëtarja e vendit tonë, e vendit të tyre, që u jep, siç ndodh prej shekujsh, emrin e përbashkët ilirë, arbëreshë, shqiptarë! Po kaq të trazuar nga mbështetja pa kushte për këta djem ishim të gjithë edhe gjatë Kampionatit Europian të qershorit në Francë. U pritën si heronj rrugëve të Tiranës.
Askush nuk pyeti çfarë feje kanë ata! Na mjaftonin e na mjaftojnë si bashkëkombës deri në momentin kur nuk e njohin veten si të tillë. Kështu ka qenë gjithmonë, edhe kur në shkallët e stadiumit njerëzit përqafoheshin pas golave që shënonte Kryeziu, Borici, Pano, Zhega, Bajko, Bizi, Rragami, Zmijani, Kushta, Majaci, Demollari, Vata, Kacaj, Kola, Bogdani, Tare, Rraklli, Lala e shumë të tjerë.
E admiruam me ankth Lilën kur në fush- ën e Beogradit përleshej me huliganët për të ndihmuar shokët me trimëri dhe kameratizëm gjenuin. Por do të ishim hipokritë nëse nuk do të thoshim që video ku ai, Sadiku dhe imami Kalaja shfaqeshin së bashku, nën një gaz të ndezur e hukame fundore, duke tallur priftërinjtë ishte skandaloze dhe e turpshme. Ato minuta dhe ato rrëfenja shfaqin një tablo tejet shqetësuese. Në ato ka urrejtje fetare e racore deri në kufijtë e fondamentalizmit. Në ato sekuenca zbulohet një dyfytyrësi në raport me fenë e tjetrit me vendin që e paguan dhe e mban me bukë, pse jo edhe me famë Greqinë. Pse u shqetësuaka Lila kaq shumë nga klerikët e vendit helen dhe nga ritet apo zakonet e tyre, kur atë nuk e ka shtrënguar askush të bëjë diçka jashtë dëshirës së tij?
Ndonjë patrioti birrarie që i gufon xhani, tërbimi, për hesap të Erdoganit, me të drejtë mund të thotë se grekët kanë shtrënguar shumë emigrantë të ndërrojnë fe, por nuk thonë se pse shqiptarët pranuan nëse ndiheshin kaq besimtarë dhe të vendosur!? Ata edhe mund të iknin duke rezistuar, ndonëse të varfër por krenarë për besimin e tyre! Nuk e bënë, ndaj qëndruan dhe pranuan për interes për një pragmatizëm të pastër rrogat, punën, shtëpitë, plazhet, spitalet dhe ajodhimat e Greqisë dhe kështu Mehmeti u bë Kristo e Kristoja me të kaluar Kapshticën bëhet sërish Mehmet. Në këtë rast faji përpjesëtohet!
Zgërdhirjet dialektale të imamit në këtë rast dëshmojnë se sa i pavërtetë është ligjërimi i tij mbi vëllazërinë, harmoninë dhe tolerancën, nëse ato i ka predikuar ndonjëherë. Sigurisht, një individ nuk përfaqëson më shumë se vetveten, por ndez indikatorin e hipokrizisë, fatmirësisht ende sporadik për çështje fetare. Si do të sillej ky klerik me të ndryshmit, nëse shumica absolute e shoqërisë nuk do të respektonte një kod shekullor vëllazërie?!
Rasti i fundit i Lilës e Sadikut nën hijen e Kalasë ishte më i zhurmshmi sepse ishte me zë dhe figurë, me të cilin je i shtrënguar t’i bësh llogaritë. Por ky nuk ishte i pari. Para disa kohësh, njëri prej lojtarëve të Kombëtares sonë që luan në Gjermani, Mërgim Mavraj, tregonte me mburrje se si kishte dalë nga rreshti dhe nuk i kishte dhënë dorën kardinalit të Këlnit, i cili kishte shkuar t’i takonte në prag Krishtlindjesh, paç- ka se beneficet e tjera të Gjermanisë lojtari nuk i refuzon. Një gjest ky i pastër intolerance i provincializmit fetar ballkanik, që zotërisë i bëhet bashkudhëtar në jetë. Çudi se si ky lojtar apo ndonjë tjetër nuk gajreton të shkojë e të luajë në Afganistan, Libi, Siri, Iran etj., por vetëpersekutohet në zemër të Europës? Dramë e madhe luhet brenda ndërgjegjes së tij. Po ky lojtar kërkonte që për të të bëhej birra “hallall” dhe fabrika e Pejës ia plotësoi dëshirën, duke shmangur “haramin”, madje duke e lajmëruar atë me një reklamë. Tjetër është të besosh dhe krejt tjetër ta veshësh apo ta tallallisësh besimin.
Enver Robelli me të drejtë në një shkrim të para do kohëve i kërkonte Shkodran Mustafit se si ka mundësi një shqiptar, lojtar i Kombëtares gjermane, në “Facebook”-un e tij ka vetëm flamuj jeshilë, citate në arabisht, shpata të kryqëzuara dhe asgjë për të promovuar Kosovën dhe Shqipërinë, historinë, artin dhe kulturën e tyre. Po ashtu, të tjerë futbollistë shqiptarë të lindur në Europë në rrjetet e tyre sociale nuk kursejnë hapësirat e nderimit për imamë radikalë si Shefqet Krasniqi, por janë tepër të kursyer të shkruajnë dy rreshta për Kadarenë, Rugovën, pse jo edhe për Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Ermal Metën, apo Ermonela Jahon e Saimir Pirgun. Mes luksit të merituar prej talentit e punës të tyre që u mundësoi Perëndimi, nuk do të ishte keq që t’i shpenzonin dy fjalë për kampionin e Europës në kërcim për së gjati, Izmir Smajlaj, i cili në qytetin e Shkodrës sot paguhet me 400 mijë lekë të vjetër rrogë në muaj dhe stërvitet në rrugë.
Nuk është vetëm Kombëtarja e Kosovës që shkon në xhami para ndeshjes, paçka se edhe ekipi nacional është një institucion laik që nuk do të duhej kurrsesi të bënte gjeste publike religjioze e të kujdesej që ato të njoftoheshin publikisht, por edhe ekipi ynë kombëtar. Televizionet tona kujdeseshin që të na shfaqnin ekipin në xhami para ndeshjeve në Elbasan dhe Xhani De Biazin në kishë. Dy shfaqje qesharake dhe përçarëse. Në asnjërën prej të dyjave pamjeve nuk ishte Shqipëria e vërtetë dhe e plotë. Gazetari Berat Buzhala pak ditë më parë shprehte një shqetësim kësodore për ekspozimin e Kombëtares së Kosovës, duke u falur në xhami në prag të ndeshjes me Islandën, të cilën e humbi 2-1, duke e konsideruar këtë si një manipulim dhe abuzim me rregullat e një shoqëri multifetare, multietnike e mbi të gjitha laike. Nëse secili lojtar shkon në xhami apo në kishë privatisht, e keqja do të qëndronte te çdo kritikë apo kritik real e hipotetik ndaj tyre. Kur kjo vajtje shndërrohet në akt-propagandë, e keqja është tek ata dhe nxitësit e tyre.
Droja se fashizmi fondamentalist islamik, siç e quante ndonjë vit me parë Baton Haxhiu, josh dhe kërcënon në mënyrën e vet pikërisht aty ku imazhi është më ndikues e trokitës mbetet.
Personalisht do t’i bashkohesha thirrjes së Buzhalës që nëse ka një vend ku duhet të bëjmë peligrinazh është varri i Skënderbeut prej të cilit kemi kombin, pse jo edhe shtetet. Por në këtë vend askush nuk kujtohet për betejat dhe fitoret e tij, teksa arbëreshët në Itali mallëngjyeshëm i kujtojnë ato thuaj çdo të diel me këngë e valle nga njëra qytezë në tjetrën. Nuk mendojnë për asnjë çast se 25 vitet e tij të qëndresës na mbajtën në histori dhe në Europë. Falë kujtimit të tij, sot, si shqiptarë mund të jemi lirshëm të krishterë e myslimanë, të barabartë e në vëllazëri.
Tendencat religjioze që po shfaqin haptas disa eksponentë të kombëtareve tona dëmtojnë imazhin e tyre, ulin entuziazmin dhe sjellin përçarje mes shqiptarësh. Ato nuk janë kombëtaret e xhamive të Shqipërisë dhe Kosovës, por të dy shteteve e mbi të gjitha të kombit shqiptar, i cili i njeh njësoj për të vetët, si të krishterët, ashtu dhe myslimanët. Nëse kombëtaret tona, partitë politike, shkollat, krahinat, rrugët dhe kodrat shndërrohen vetëm të Kishës e të Xhamisë Shqipërisë dhe Kosovës i vihet çelësi dhe shqiptarët shkojnë në drejtim të paditur.
http://droni.al 

Κυριακή 29 Ιανουαρίου 2017

Përse nuk duhet lejuar "shqiponja" e ushtarëve në Greqi

Nga Panajot Barka                                    
Akti i shtatë rekruteve në repartin ushtarak të Mesollongjit të ushtrisë greke, të cilët rezultuan se ishin shqiptarë e që me vullnetin e tyre të lirë kërkuan të bëhen shtetas grekë, provokuan perseri klimë konfrontuese në mjediset publike dhe politike të të dy vendeve. Në palën greke, edhe pse në menyrë të përmbajtur, vihen re qendrimet denoncuese ndaj këtij akti si të tillë me kërkesa për denimin e autoreve.