Μετάβαση στο κύριο περιεχόμενο

Gjakmarrja një instinkt barbar, kundër drejtësisë së Zotit që dënon të gjallët dhe të vdekurit


Nga Miron ÇAKO

Gjakmarrje në kuptimin e përgjithshëm do të thotë të marrësh hakun me gjak. Sa dëgjon fjalën “gjakmarrje”, të shkon mendja te Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili është një përmbledhje të drejtash zakonore, ligjesh juridike, morale, kulturore dhe fetare, të praktikuara në trevat e Malësisë, që nga koha e Mesjetës gjatë pushtimit turk, më 1479, deri kur u krijua shteti shqiptar, më 1912. Kanuni ishte një ligj zakonor, paralel me ligjet e pushtuesve osmanë, madje edhe mbi të. Por jo vetëm Kanuni i Lekë Dukagjinit që u praktikua në Malësinë e Mbishkodrës, Dukagjin, por edhe kanune të tjera, të cilët praktikoheshin nga shqiptarët në krahina të ndryshme, si “Kanuni i Skënderbeut” në Shqipërinë Qendrore, që u quajt edhe “Kanuni i Arbërit”, ose “Kanuni i Labërisë” në jug të vendit deri në krahinën e Himarës etj., të gjitha këto kode zakonore me karakter juridik për kohën, lejonin dhe instrumentalizonin gjakmarrjen si një mënyrë që e drejta e nëpërkëmbur, nderi dhe jeta e humbur të viheshin në vend për të qetësuar të gjallët, por edhe shpirtrat e të vdekurve.
Por shohim se gjakmarrja në këto dy kanune të fundit ishte më tolerante. P.sh., “Skënderbeu, kur pa se po bëheshin shumë vrasje për gjakmarrje, la në kanun ‘gjaku nuk ngelet për faj’. Në praktikë, sipas këtij kanuni, në rast se faji shpaguhet me vrasje, kjo vrasje nuk mund të bëhet objekt i gjakmarrjes” (Wikipedia, Kanuni i Skënderbeut). “Ali Pasha(1740-1822) u përpoq të bënte organizimin gjyqësor në çdo qytet e krahinë dhe të zbatonte ligjet njëlloj si për myslimanët dhe të krishterët, sipas parimit të barazisë para ligjit. Me këto masa synonte të bënte një hap përpara sipas modelit të shteteve perëndimore. Gjithashtu ai kufizoi vrasjet për gjakmarrje dhe gjakmarrjen e zëvendësoi me dënime të tjera, si me pagimin e dietës (shpërblimin e gjakut) ose me dëbim, e deri me dënim me vdekje, siç veprohej në shtetet e tjera për vrasjet me dashje”. (Wikipedia, Kanuni i Labërisë)
Mbas vitit 1912, kur u themelua shteti shqiptar apo mbretëria e Ahmet Zogut I (1926-1939), Kanuni (kanunet) e humbi fuqinë dhe shteti praktikonte drejtësi me anë të ligjeve juridike. Në mënyrë absolute Kanuni u ndalua kategorikisht, madje u diskreditua si mesjetar në kohën e pushtetit ateist-komunist 1945-1990. Por mbas këtij viti, kur frika e diktaturës u zbe dhe në periudhën e gjatë të tranzicionit, të një shteti më të brishtë për nga autoriteti dhe të një ligji jo aq pedant kundër veprave penale si vrasja, por edhe abuzimeve dhe neglizhencës të organeve dhe personave përgjegjës për zbatimin e ligjit, përsëri Kanuni u rishfaq si fenomen social, jo vetëm në Veri, por në të gjithë vendin, dhe vetëgjyqësia, gjakmarrja nxori në sipërfaqe haqe të pamarra ndër vite dhe filloi gjakmarrja me gjak të pafajshëm, që paguan me jetën e tyre për faje që nuk i kishin bërë. Dhe nuk u vranë vetëm burra dhe të rinj si e përcaktonte Kanuni, por edhe fëmijë e gra, që çdo kanun ndalon të vriten. Edhe ndodh që të përballesh me një bisedë që mund të kalojë edhe në konfrontim, mund të bësh një aksident pa dashur, dëgjon të të thonë se “je në gjak me Kanun”. Sot ka mbi 1.200 persona të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, dhe kjo gjë përbën një problem social që na kthen në një shoqëri primitive.
Por ajo që të shqetëson është se gjakmarrjen me Kanun e praktikojnë individë ose familje që besojnë se ka një Zot të drejtë. Ata mendojnë se gjakmarrja është e drejtë para Zotit, i cili e dënon vrasësin. Kjo i nxit ata të bëjnë vrasjen për gjak, me “ndërgjegje të qetë”, madje edhe me krenari, se po bëjnë para Zotit një vepër të shenjtë. Se sa e vërtetë është kjo, duhet t’i drejtohemi librit të Zotit, Biblës. Bibla na thotë se gjakmarrja u shfaqet si problem moral dhe juridik te njeriu me natyrë të rënë në egoizëm; kur u bë vrasja e parë, Kaini ziliqar vrau vëllanë e tij Abelin e drejtë. Në librin e Zanafillës lexojmë: “Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit edhe e vrau…” “Zoti i tha: Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka”. (Zan 4: 8-10) Pavarësisht se gjaku i Abelit (shpirti) kërkonte shpagim nga toka, çuditërisht Zoti i drejtë e ndalon gjakmarrjen. “Dhe Zoti i tha: ‘Prandaj, kushdo që vret Kainin, do të dënohet shtatë herë’. Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente, të mos e vriste”. (Zan: 4-15) Kjo tregon se Zoti i drejtë nuk e do gjakmarrjen, e cila konsiston në shtimin e viktimave dhe zhdukjen e racës njerëzore.
Bibla e trajton përsëri gjakmarrjen te populli i Izraelit, i cili ndryshe nga popujt e tjerë paganë, kishte ligjin të shpallur nga vetë Zoti me anë të profetit Moisi. Në ligj thuhet: “Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet”. ( Lev24:17) Por shohim se përsëri tendenca e ligjit është që gjakmarrja të minimizohet dhe vrasësi të ketë mundësi të shpëtojë. Në ligj thuhet: “Kështu, kur dikush shkon me shokun e tij në pyll për të prerë dru dhe, ndërsa i bie një druri me sëpatë, sëpata del nga bishti dhe godet shokun që pastaj vdes, ai person do të strehohet në një nga këto qytete dhe do ta shpëtojë jetën; sepse hakmarrësi i gjakut, ndërsa zemërimi i vlon në zemër, të mos e ndjekë vrasësin dhe ta arrijë, kur rruga është shumë e gjatë, dhe ta vrasë edhe pse nuk e meriton vdekjen, sepse në të kaluarën nuk e kishte urryer shokun e tij”. (Lip 19:5-6) Po ashtu ligji nuk lejonte gjakmarrjen për njerëz të pafajshëm: “Nuk do të dënohen me vdekje etërit për bijtë e tyre, as do të vriten bijtë për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet.” (Lip 24:16)
Kanuni deri këtu duket se ka një përputhje me ligjet e Dhiatës së Vjetër edhe se formuluesit e tij të jenë mbështetur aty, te ligji i Talionit, i cili thotë: “Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të vet, ai do të pësojë po atë gjymtim që i ka bërë tjetri, sy për sy, dhëmb për dhëmb”. (Lev 24.. 19)
Por përsëri ky fakt nuk e përligj gjakmarrjen e Kanunit, sepse ligji i Talionit ishte i shkruar në Bibël gati 3000 vjet para Kanunit dhe i takonte një periudhe kur njerëzimi ishte në dekadencë morale dhe me zemër të ngurtësuar plot egoizëm dhe urrejtje për të afërmin, dhe jetonin në marrëdhënie fisnore plot egërsi për të tjerët që nuk ishin të gjakut të tyre. Ligji i Dhiatës së Vjetër në Bibël kishte për qëllim, në fillim të kontrollonte urrejtjen dhe dëshirën për hakmarrje brenda popullit, dhe dalëngadalë njerëzit të arrinin tk falja dhe dashuria midis tyre. Ja çfarë thotë ligji më pas: “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti”. (Lev 19:18)
Por si do të vendosej drejtësia, si do të shlyhej gjaku i derdhur si ai i Abelit ndër breza? Zoti thotë: “Mua më përket hakmarrja dhe shpërblimi”. ( Lip 32:35)
Besimtari duhet t’ia lërë drejtësinë Zotit, ashtu si thërret profeti Jeremia 650 PrK: “Por ti, o Zot… trego hakmarrjen mbi ta, sepse ty ta kam besuar çështjen time”. (Jer 20 12) “Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive (krijesës) është ditë hakmarrjeje… Shpata do të shfarosë, do të ngopen me gjakun e tyre, sepse Zoti i ushtrive bën një flijim”. (Jer:46-10) Edhe psalmisti thërret në emër të atyre që i është bërë padrejtësi: “O Zot Perëndi i hakmarrjes shkëlqe… çohu o gjykatës i tokës dhe jepu shpërblimin mendjemëdhenjve… Vrasin gruan e ve dhe të huaj dhe vrasin jetimët dhe thonë Zoti nuk shikon. (Ps 94 1 6 )
Dhe kjo ditë hakmarrjeje e Zotit ka ardhur! Zoti Perëndi bëri drejtësinë e tij për çdo gjak të pafajshëm që është derdhur dhe do të derdhet deri në fund të botës, si ai i Abelit të drejtë, nga ata që i ngjajnë Kainit të lig. Perëndia e ngarkoi këtë mëkat të vëllavrasjes dhe të gjakut që mallkon tokën dhe kërkon hakmarrje, mbi Birin e tij Jisu Krishtin, që si njeri u kryqëzua dhe pagoi me gjakun e tij të pafaj, “që flet më mirë se ai i Abelit”(12:22-24), ashtu si shkruan apostull Pavli: “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të”. ( 2 Kor. 5:21) Prandaj edhe Krishti, i cili kur e fyenin nuk fyente kur e kërcënonin nuk kërcënonte, urdhëron pasuesit e tij: “Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb’. Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën… Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd’. Por unë po ju them: Dojini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, u bëjini të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”. (Mat 5:38-45)
Vetëm nëpërmjet gjakut të Krishtit, i cili është Zoti i të gjallëve dhe i të vdekurve, lahet gjaku me gjak dhe vendoset drejtësia dhe paqja midis të gjallëve dhe qetësohen shpirtrat e të vdekurve.
Në të kundërtën, ata që nuk qetësohen me këtë drejtësi hyjnore, por ndjekin Kanunin si një “fe të dytë”, duke përligjur gjakmarrjen si drejtësi, kanë mbetur në gjendjen primitive të egër të marrëdhënieve njerëzore, kanë mohuar drejtësinë e Zotit nëpërmjet gjakut të Krishtit. Ata duke bërë vetëgjyqësi po bëjnë një krim të ri duke dënuar veten si vrasës, por në të njëjtën kohë duke trazuar dhe ngarkuar shpirtrat e të vdekurve, të cilëve krimi i gjakmarrjes në emër të tyre iu numërohet për vrasje. Kështu si të gjallët, edhe të vdekurit do përballen me gjykimin e Zotit që thotë: “Nuk do të vrasësh”. (Ek 20 19) Kjo është gjëja më e keqe që mund t’i bëjmë shpirtit të të vdekurit. Krishti i mësonte njerëzit: “Por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja”. ( Mateu 6:15)
Më ka mbetur në kujtesë rrëfimi i një prifti, i cili i tha popullit në meshë një histori e cila kishte ndodhur me të vërtetë. Ai tregon për një grua fisnike që ishte e ve dhe kishte vetëm një djalë. Në derën e kullës trokiti një njeri që kishte bërë një vrasje dhe i kërkoi besën që ta strehonte. Pa e ditur, ajo kishte strehuar gjakësin e djalit. Kur pa trupin e të birit që po ia sillnin në shtëpi, dëshira për hakmarrje e pushtoi zemrën e nënës. Gjithçka rreth u errësua dhe ishte gati ta nxirrte vrasësin nga vendi ku e kishte fshehur, por sytë i mbetën te kryqi me Krishtin e kryqëzuar dhe kujtoi fjalët e tij të fundit: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë se ç’bëjnë”. (Luka 23:34) U lut me lot: “Më ndihmo o Zot ta fal edhe unë vrasin e djalit tim”, dhe me fuqinë e Krishtit vendosi ta falte gjakësin dhe nuk iu tregoi njerëzve vendin ku e kishte fshehur, por i çonte ushqim tinëz. Mbasi njerëzit u larguan, e përcolli jashtë rrezikut për ta vrarë të tjerët. Kur ajo po lutej për shpirtin e djalit, e pa shpirtin e tij, i cili me shumë mirënjohje i tha: “O nënë, si i ri që isha kisha edhe unë mëkatet e mia dhe nuk e meritoja Parajsën, por kur Zoti më bënte gjyq mua, ti e fale gjakësin dhe Ai për hir të faljes tënde më fali mua”. Kjo histori e vërtetë ilustron më së miri mësimin Biblik për gjakmarrjen (hakmarrjen).
Zoti dhe Kisha e krishterë nuk pajtohet me doket zakonore, kanunet, të kujtdo qofshin, të cilët përligjin vetëgjyqësinë dhe gjakmarrjen. Këta individë dënohen si vrasës dhe përjashtohen, shkishërohen, dhe pranohen në kishë si të krishterë vetëm mbasi pendohen dhe heqin dorë nga gjakmarrja.  Kur Bibla na mëson të falim armikun dhe të drejtën për hakmarrje t’ia lëmë Zotit, i cili do shpëtimin e të gjallëve dhe të të vdekurve, duke paguar për mëkatet e tyre me gjakun e Birit të tij, nuk do të thotë se në një shoqëri të civilizuar, shteti nuk duhet të veprojë për të dënuar vrasësit sipas ligjit. Por duhet të veprojë, si edhe apostulli Pavli shkruan: “Sepse (shteti) nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen. Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtja e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes”. (Romakët 13:2-5)
Pra, shteti ka për detyrë të praktikojë drejtësinë sipas ligjit dhe të mos lejojë pasigurinë e jetës dhe vetëgjyqësinë, po ashtu edhe çdo institucion me karakter social dhe fetar duhet të ndikojë që vetëgjyqësia dhe gjakmarrja të jenë mbetje të një shoqërie të egër primitive të kaluar, të minimizohen dhe të zhduken nga shoqëria jonë e civilizuar, që aspiron vlera të larta morale të tolerancës dhe faljes, duke shpresuar te drejtësia e ligjit dhe drejtësia e Zotit.

Σχόλια

Δημοφιλείς αναρτήσεις από αυτό το ιστολόγιο

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν 950 τεθωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία.

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν εσπευσμένα 70 θωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία (πρώτη  αποστολή) ενώ τους επόμενους  μήνες θα αποσταλούν άλλα 180 τα οποία  θα ανέλθουν συνολικά σε  950, εξοπλίζοντας τον αλβανικό στρατό για χερσαίες επιχειρήσεις . Πρόκειται για μια σαφή και κατηγορηματική κίνηση της Ουάσιγκτον στα τεκταινόμενα στο Κοσσυφοπέδιο και την ένταση  που έχει αναπτυχθεί τις τελευταίες ημέρες.

Ηπειρώτες Ευεργέτες της Τουρκοκρατίας και Ελληνοκρατίας

Το Ισλαμικό Κράτος στρατολογεί «φουρνιές» Αλβανών από Σκόπια και Κοσσυφοπέδιο