Μετάβαση στο κύριο περιεχόμενο

Ja ç’mendoj për Nolin, shtetësinë shqiptare, a janë gjithë ortodoksët grekë, etj…



Një intervistë e rrallë e kryepeshkopit Janullatos për Mentor Nazarkon dhënë në vitin 2006: Si e ndaj jetën mes dy identiteteve, shqiptare dhe greke.
Ndonëse intervista është e vitit 2006, shumë prej gjërave që thuhen aty vlejnë, në këtë mënyrë intervista e ruan aktualitetin e saj.
A jep intervista kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, hirësia e tij Anastas? Po, dhe në ato pak, dy për drejtorin e informacionit të TVA, Mentor Nazarko, i cili megjithëse është treguar mjaft kritik për të shumë artikuj të ndryshëm pati shancin të merrte përgjigje për pyetjet që qëndrojnë në mendjen e shumë shqiptarëve. Pyetje të forta, gjithashtu, për të cilat hirësia t’i servir përgjigjet bashkë me kafen greke apo turke, dhe me një pako çokollatash italiane “Bacci”.
Është kryepeshkopi i Shqipërisë, por i lindur në Pire. Bën gjithsesi një përpjekje të durueshme disavjeçare për pasaportën e kuqe të shqiptarëve. I bindur se erdhi në vendin ku nuk kishte dhe një fron për t’u ulur në 1991. Ka një background për të cilin do të meritonte që të ishte kreu i Orthodhoksisë…, por këtu është thjesht….për të sjellë mesazhin e madh të Zotit. I shmanget Nolit, pavarësisht se në SHBA dhe këtu është lutur për të, arvanitasve…dhe jep përgjigje elastikisht të matura për gjithçka. Me Berishën…shkon mirë…, por nuk është shqiptar.
CV-ja e tij është puthitur si një bibliotekë e rëndë me libra të botuar dhe me shumë gjuhë që njeh, të cilat fillojnë që nga greqishtja e vjetër dhe rrjedhin në gjuhët e sotme. Kryepeshkopi Anastas të thotë thjesht dhe me një krenari të fshehur se me bursë të Fondacionit “Alexander von Humboldt”, të cilën e shqipton me shumë finesë, ka studiuar për besimet fetare dhe etnologji…në Hamburg dhe Magdemburg. Ka studiuar besimet e ndryshme fetare në Indi, Tajlandë, Japoni, Kinë, Nigeri, Brazil dhe një dyzinë vendesh të tjera, që çuditem ende nëse do t’i mbante mend. Ka tituj të shumtë akademikë. Ka një libër të përkthyer në shqip, ndërsa përgatitet që të sjellë të tjerë…
1.U bënë shumë vite që ju jeni në krye të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Cilat do të konsideronit arritjet tuaja më të rëndësishme?
Faktin që, me ndihmën e Perëndisë, arritëm të ringremë plotësisht nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ishte tërësisht e shpërbërë për mbi 23 vjet me radhë. Në të njëjtën kohë ndërmorëm një veprimtari të gjerë sociale, me anë të programeve të zbatuara për herë të parë në vend, në fushat e shëndetësisë, arsimit, përkujdesjes sociale, kulturës, mjedisit, gjë që kontribuoi ndjeshëm në progresin e vendit. Gjithashtu, konsideroj arritje faktin që jetoj për 14 vjet në Shqipëri, duke marrë pjesë në vuajtjet, privimet, problemet e njerëzve, duke shërbyer me vepra dashurie për banorët e fshatrave dhe të qyteteve, duke kultivuar besimin, kreativitetin, reciprocitetin dhe shpresën. Dhe për të mos ngelur vetëm në konstatime të përgjithshme, dua të theksoj:
(U përkujdesëm për arsimimin e brezit të ri të klerikëve shqiptarë. Themeluam Akademinë Theologjike Orthodhokse me 135 klerikë shqiptarë. U përkujdesëm për ndërtimin e 85 kishave të reja, restaurimin e 80 monumenteve të kulturës dhe riparimin e mbi 140 kishave të tjera. U ndërtuan gjithashtu 20 ndërtesa të reja për të strehuar mitropolitë, shkollat, klinikat, laboratorët dhe konviktet. Në këto vepra të mëdha ndërtuese, iu ofrua punësim mijëra njerëzve. Arritëm të kemi shtypshkronjën tonë, një punishte qirinjsh, një punishte zdrukthëtarie, atelie të ikonografisë dhe të restaurimit të ikonave. Iu dha hov veprimtarisë botuese dhe sot kemi të publikuara shumë vepra origjinale dhe të përkthyera si dhe një gazetë të përmuajshme, revista për të rinj dhe fëmijë etj. Në shumë qytete janë hapur qendra rinore dhe organizohen kampingje verore e dimërore të rinisë, ku zhvillohen aktivitete shpirtërore dhe kulturore.
Gjatë krizave politiko-shoqërore që ka kaluar vendi, ndihmuam në mbledhjen dhe ndarjen e mijëra tonëve ndihma, veshmbathje, ilaçe, për lehtësimin e dhimbjes së të varfërve dhe të refugjatëve. Në fushën e shëndetit një arritje e rëndësishme është Qendra Mjekësore Diagnostike në Tiranë, që përfshin 24 specialitete, me një personel të përgatitur mjekësor, me aparatura moderne, që u shërben 5-6 mijë të sëmurëve në muaj. Kohët e fundit asaj iu shtua edhe një prej skanerave më modernë, me 32 prerje. Klinika u ngritën edhe në Kavajë, Korçë, Jergucat.
Sot kemi dhe një njësi stomatologjike të lëvizshme. Në fushën e arsimit, përveç dy shkollave fetare, themeluam 14 kopshte në qytete të ndryshme, një shkollë pilot amerikano-shqiptare, si dhe dy institute të formimit profesional, me gjashtë specialitete, të cilat janë të parat e këtij lloji që funksionojnë në Shqipëri.
U përkujdesëm gjithashtu për ndërtimin e ujësjellësve, rrugëve rurale, për furnizimin me energji elektrike dhe lidhjen telefonike të fshatrave. Kur Shqipëria u përball me valët e refugjatëve nga Kosova, Kisha Orthodhokse, në bashkëpunim me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, ndërmori një program të gjerë ndihme, që i tejkaloi të 12 milionë dollarët. Në këtë mënyrë u ndihmuan mbi 33.000 refugjatë.
U zhvilluan marrëdhënie harmonike me komunitetet e tjera fetare, duke mbështetur tolerancën fetare dhe bashkëpunimin. Kisha jonë, duke u bërë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, u bë edhe një ambasadore shpirtërore e Shqipërisë në ambientet fetare, të cilat nuk kishin asnjë njohje të realitetit tonë kishtar. Me të gjitha këto, Kisha Orthodhokse u shfaq një faktor serioz shpirtëror dhe zhvillimi i Shqipërisë.
2.Identiteti juaj njerëzor dhe fetar është i ndarë midis dy popujve, atij grek dhe atij shqiptar. Çfarë keni fituar dhe çfarë keni lënë prej këtyre përbërësve?
Nuk mendoj se fjala “i ndarë” është e saktë. Një urë përmbi një lumë, nuk do ta quaja të ndarë midis dy brigjeve. Përkundrazi, ajo i bashkon të dy brigjet, duke u mbështetur fort si në njërën anë, ashtu edhe në tjetrën. Në masën e mundësive të mia, përpiqem të funksionoj si urë përmbi murin ndarës të vjetër të dyshimit dhe në kohë të ndryshme të antipatisë. …Në të dy popujt ekzistojnë njerëz të mrekullueshëm, sikundër ekzistojnë edhe të tjerë, që nuk janë në lartësinë e situatave. Të dy popujt jetuan dhe bashkëpunuan nën sundimin e tri perandorive të ndryshme: nën Perandorinë Romake, Bizantine dhe Osmane. …
3. Ka pasur një dogmë dominante në kulturën greke se ortodoksët e Shqipërisë janë grekë. Ç’mendoni rreth saj?
Është e qartë që nuk është e saktë. Tërësia e Orthodhoksëve të Shqipërisë, përveç shqiptarëve që përbëjnë shumicën, ka grekë, sllavë dhe orthodhoksë me prejardhje të ndryshme, që jetojnë në vend. Për këtë arsye dhe Patriarkana Ekumenike njohu në mënyrë kanonike Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë…
4. Ju doni shtetësinë shqiptare edhe në respekt të grigjës që ju drejtoni shpirtërisht, komunitetit ortodoks, por ndërkohë jeni një figurë e respektuar dhe e popullit grek. Çfarë keni bërë ju për shembull kur ka largime të sforcuara njerëzish, kur ka bllokime në kufi, raste keqtrajtimesh. si njerëz të kultit në vende të tjera që thërresin për tolerancë ndaj të huajve. Ju, a bëni të tilla?
Sigurisht. Duke filluar qysh në vitet e para të dhjetëvjeçarit të 90-të e kam ngritur zërin në mënyrë të vazhdueshme dhe kam ndërmarrë hapa të ndryshëm, apo kam bërë deklarata në intervistat e mia në Greqi për nevojën e respektimit të emigrantëve dhe të mbështetjes së tyre. P.sh. kur në vitin 1993, pas dëbimit të një bashkëpunëtori tim, qeveria greke kishte vendosur të ndërmerrte masa ndëshkuese, e lartësova zërin tim, duke protestuar në mënyrë të vendosur dhe duke thënë se nëse hapi i parë ishte një gabim i kryer nga ana e palës shqiptare, veprimi i dytë, për të dëbuar qytetarët shqiptarë që punonin në Greqi, do të ishte një gabim shumë herë më i madh nga ana e qeverisë greke.
Në vitin 1996 shkova në burgjet e Koridhalosë (Athinë) për të mbështetur të dënuarit shqiptarë. Disa kohë më vonë, kur filloi të përdoret në mediat greke termi “fshesë” për dëbimin e qytetarëve shqiptarë, bëra udhëtime enkas për këtë gjë dhe takime me politikanët kompetentë dhe me drejtues të ndryshëm të mediave të mëdha, duke protestuar për termin e përdorur prej tyre…
Megjithatë në intervistat e mia të vazhdueshme në mediat televizive greke e kam dënuar ksenofobinë dhe kam theksuar detyrimin për të pasur drejtësi dhe respekt ndaj personalitetit të emigrantëve dhe nevojën e bashkëpunimit dhe besimit reciprok midis popujve tanë. Sa i takon pikës së parë të pyetjes suaj për nënshtetësinë shqiptare, me të vërtetë e quajta detyrimin tim që vite më parë, të jem i integruar edhe në mënyrë të ligjshme në vendin që i shërbej me dashuri dhe kreativitet për tërë këto vite. Por mjerisht disa gjëra në shtet lëvizin me ngadalë.
5. Fortlumturi, është shënuar në publik se ju shoqëroni rregullisht presidentët grekë apo zyrtarë të lartë që vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht në vizita në vende simbolike për grekët. A nuk ju duket se ka një shpërpjesëtim në imazhin tuaj publik në lidhje me këto shfaqje? Pra, ju që shoqëroni presidentët grekë për ditë me radhë, që merrni pjesë në promovime shkollash greqisht, etj., a nuk mendoni se sedra e shqiptarëve mund të preket nga ky privilegjim i këtyre lloj aktiviteteve? A ka ndonjë përpjekje tuajën për shembull që edhe në Greqi të ketë ndonjë shkollë shqipe për fëmijët e emigrantëve?
Mendoj se e keni fjalën për vizitën e ish-presidentit z. Stefanopulos, sepse nuk mbaj mend të kem shoqëruar të tjerë “presidentë grekë”. Ju kujtoj se ai ishte i ftuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare, si mik. Si Primat i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë nuk kisha asnjë arsye që të shqetësohesha për keqkuptime, kur u desh, vetëm për një ditë, ta shoqëroj bashkë me përfaqësues të tjerë zyrtarë të shtetit shqiptar. Veç kësaj, me z. Stefanopulos na lidh një miqësi e vjetër personale.
Ai është orthodhoks i devotshëm. Gjithashtu, edhe fshatrat e minoritetit grek bëjnë pjesë në juridiksionin kishtar të Kishës, Primat i së cilës jam. As që e mendova se “kështu mund të preket sedra e shqiptarëve”. Për sa i përket pjesëmarrjes në përurime shkollash greke, imagjinoj, se i referoheni shkollës greko-shqiptare “Homeri”, që u hap në Korçë në prani edhe të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë. Nuk kuptoj pse në përurimin e kësaj shkolle, që në shumicë ka fëmijë orthodhoksë, ndalohet pjesëmarrja e Kryepiskopit orthodhoks, dhe gjoja kështu “mund të preket sedra e dikujt”… Për sa i përket Greqisë, sa herë që vizitoj dhe takohem me persona të ndryshëm kompetentë, mbështes të drejtën dhe nevojën e ruajtjes së gjuhës së emigrantëve…
6. Fortlumturi, gjatë drejtimit të Kishës prej jush, ka pasur zëra autoritarë që kanë folur për reduktim dhe minimizim të rolit të Nolit në historinë dhe dokumentet e saj kishtare. A mendoni se duhet të ketë ndonjë ndjeshmëri publike tuajën më të zëshme ndaj figurave që përbëjnë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve?
Informacionet tuaja nuk janë aspak të sakta. Nga çasti i parë që arrita në Shqipëri fola me respektin më të madh për personalitetin e Episkopit orthodhoks Theofan Noli. Që atëherë nuk kam pushuar, në çdo Liturgji Hyjnore, në kohën e veçantë të Paravënies së Blatës, kur kujtojmë persona të respektuar dhe të dashur, të kujtoj vëllain në Krishtin, Theofanin. Në udhëtimin tim të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Kryepiskop i Shqipërisë vizitova varrin e Theofan Nolit dhe kreva një shërbesë përkujtimore. Po përdorim shumë përkthime të tij në jetën adhuruese të Kishës sonë; në zyrën e Kishës Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari që në fillim është varur fotografia e tij. Sigurisht Noli dha shumë në zhvillimin e Kishës sonë vendore. Çdo personalitet që ka kontribuar në luftën për lirinë dhe zhvillimin shpirtëror të popullit ne e nderojmë dhe e respektojmë.
7. Ka pasur zëra se ka ndryshim të stilit arkitektonik të kishave shqiptare në procesin e rindërtimit. Nuk dua t’ju pyes rreth këtij spekullimi, por ndryshe. A ka një stil të veçantë ndërtimi që ka gjurmë shqiptare dhe në ç’kishë për shembull e gjeni ju këtë?
Ju kujtoj se zona ku bën pjesë Shqipëria nga ana kulturore i ka përkitur në mënyrë të pandërprerë tri perandorive. Edhe pamja arkitekturore e kishave ruan ndikime nga të tri periudhat: paleokristiane, bizantine me kupolë, pasbizantine njënefëshe ose trinefëshe. Pamja që iu dha gjatë viteve të sundimit otoman u përgjigjej urdhrave të administratës otomane që të jenë ndërtesa të thjeshta dhe pa kupolë.
Që atëherë kur Shqipëria u bë shtet i pavarur, më 1912, deri në fillimin e përndjekjes, më 1967, nuk mendoj që u krijua ndonjë stil i veçantë arkitekturor shqiptar kishash. Madje, shumë pak u ndërtuan, më duket katër, dhe të gjitha me kupolë (në Korçë, kisha katedrale e Burimit Jetëdhënës, kopje e kishës katedrale të Athinës; në Përmet kisha e Shën Marisë; në Tiranë, kishat e Shën Prokopit si dhe e Ungjillëzimit –për të zëvendësuar katedralen e vjetër që u shemb, për t’u ndërtuar hotel “Tirana”)…Kështu, nga 85 kishat që u ngritën këto 14 vjet kemi ndjekur edhe traditën e vjetër me bazilika të thjeshta njënefëshe ose trinefëshe, edhe tipin bizantin me kupolë; por kërkojmë edhe një shprehje të re arkitekturore që t’u përgjigjet prirjeve dhe kushteve të shekullit të 21-të. Një kishë e gjallë paralelisht me respektin ndaj traditës, guxon edhe krijimtari të re.
8. Jemi duke asistuar në një konflikt midis kishave serbe dhe maqedonase. Dhe në debatin mbi vendosjen tuaj në krye të Kishës Shqiptare mund të shtrohet një pyetje: A është një dëshmi e mungesës së paragjykimeve të shqiptarëve ky fakt? Për shembull nuk mund të mendonim se në krye të Kishës greke të vendosej një serb, pale një shqiptar…
Është e çuditshme që harroni diçka themelore. Rasti i Kishës Orthodhokse në Shqipëri është unik në historinë e Krishterimit.
Kjo Kishë është e vetmja që iu nënshtrua një shkatërrimi të plotë nga shteti i vetëm ateist në botë dhe mbeti e shpërbërë për 23 vjet… Diçka e tillë nuk i ka ndodhur sigurisht as Kishës së Serbisë, as Kishës së Greqisë. Kur m’u kërkua të vij në Shqipëri, nuk ishte ftesë për t’u ulur në një fron të gatshëm të ndonjë ndërtese madhështore ose qoftë për të drejtuar diçka ekzistuese, por ishte nxitje për një punë misionare për ringritjen nga rrënojat, pa asnjë ndihmë ose mbështetje shtetërore, të një Kishe Orthodhokse Autoqefale.
Në vizitën e parë, kërkova me këmbëngulje ndonjë shtetas shqiptar që do të mund të merrte përsipër këtë detyrë dhe përgjegjësi të ndërlikuar. Isha gati të kthehesha në detyrat e mia, sepse, siç dihet, isha mitropolit, pedagog i rregullt në Universitetin e Athinës dhe kandidat për Akademinë e Athinës dhe me poste të rëndësishme ndërkombëtare. Atëherë orthodhoksët, pavarësisht nga prejardhja, m’u lutën të rri dhe të marr përsipër këtë punë të vështirë dhe të paparë kishtare të ringritjes nga themeli të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
E dija se nuk ishte fare e thjeshtë, se do të përballoja dyshime të vazhdueshme dhe armiqësi nga qarqe të ndryshme dhe se nuk ishte i sigurt përfundimi me sukses i kësaj përpjekjeje.
9. Dhe në fund: a po punoni ju që drejtimi i Kishës të jetë në duar të sigurta dhe ndjeshmëritë e shqiptarëve për të pasur në krye të Kishës së tyre Ortodokse një shqiptar, do të respektohen?
Që nga viti i parë përpjekja ime ishte krijimi i klerit vendës. Për këtë themeluam Akademinë Theologjike dhe Liceun kishtar, në mënyrë që të përgatiten kuadrot e përshtatshëm për Kishën tonë. Siç thashë, kam dorëzuar 135 klerikë, të gjithë shqiptarë. Sot vetëm 5 klerikë të huaj shërbejnë në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, ndërsa në komunitetet e tjera fetare ka në mënyrë të pakrasueshme më shumë.
Përgatitja e episkopëve të përshtatshëm është diçka shumë kërkuese, sepse duhet të jenë në mënyrë të ndërgjegjshme të pamartuar dhe me edukim të rëndësishëm teologjik, kishtar dhe social. Që prej 1998-ës është dorëzuar episkopi i parë, shtetas shqiptar, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, dhe shumë shpejt do të mbarojnë studimet dhe përgatitjen e përgjithshme disa kandidatë të tjerë për episkopë, të cilët do të përbëjnë kryesinë e Kishës, në përputhje me sistemin e saj sinodik.
Së fundi, që Kisha jonë të durojë trysninë e kohëve dhe të zhvillohet normalisht, duhen akoma përpjekje të stërmëdha, në mënyrë që të arrihet edhe autonomia e saj ekonomike – nëse doni ta quani ndryshe “autoqefalia ekonomike”. Nuk është fare e thjeshtë të sigurohen rroga dinjitoze për episkopët, për klerikët dhe kuadrot e tjerë të Kishës Orthodhokse pa pasur asnjë mbështetje ekonomike të qëndrueshme, me pronat e Kishës të shtetëzuara prej vitesh. Gjatë periudhës së shërbesës sime këtu, arritëm të krijojmë një kapital shumë të rëndësishëm, që do të kontribuojë në të ardhmen si në drejtimin ashtu edhe në pavarësinë ekonomike të Kishës.
Mos harroni nga ku filluam dhe ku, me hirin e Perëndisë dhe mbështetjen e mijëra miqve, kemi arritur vetëm brenda pak vitesh. Orthodhoksët në shumicën e tyre e njohin gjithë këtë punë që u krye me një mijë vështirësi dhe pengesa. Dhe e dinë se kurrë në të kaluarën Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk kishte pasur gjallërinë dhe krijimtarinë e viteve të fundit.

Σχόλια

Δημοφιλείς αναρτήσεις από αυτό το ιστολόγιο

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν 950 τεθωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία.

Οι ΗΠΑ αποστέλλουν εσπευσμένα 70 θωρακισμένα οχήματα στην Αλβανία (πρώτη  αποστολή) ενώ τους επόμενους  μήνες θα αποσταλούν άλλα 180 τα οποία  θα ανέλθουν συνολικά σε  950, εξοπλίζοντας τον αλβανικό στρατό για χερσαίες επιχειρήσεις . Πρόκειται για μια σαφή και κατηγορηματική κίνηση της Ουάσιγκτον στα τεκταινόμενα στο Κοσσυφοπέδιο και την ένταση  που έχει αναπτυχθεί τις τελευταίες ημέρες.

Ηπειρώτες Ευεργέτες της Τουρκοκρατίας και Ελληνοκρατίας

Το Ισλαμικό Κράτος στρατολογεί «φουρνιές» Αλβανών από Σκόπια και Κοσσυφοπέδιο