Ataturku, Pondët dhe urrejtja e ndërsjellët


Jordan Jorgji - Universiteti Fan S. Noli, Korçë

E djeshmja ishte një ditë simbolike për dy ngjarje historike që edhe pse të ndryshme midis tyre u kthyen në dy anë të kundërta të së njëjtës monedhë: identitetit kolektiv kombëtar. 
Më 19 Maj 1881 lindi në Selanik ai që njihet me emrin Mustafa Qemal Ataturk dhe që konsiderohet si “babai” i shtetit të sotëm turk. Ishte njeriu – dhe u perceptua si i tillë – i cili ndihmoi në kalimin e Perandorisë shumë-shekullore Osmane në Turqinë moderne të shekullit të 20-të. Ataturku e ndërthuri orientimin e vendit të tij drejt civilizimit dhe forcës që karakterizonte Fuqitë e Mëdha të Evropës me ruajtjen e sovranitetit territorial të Turqisë në kufijtë më të maksimalë të mundshëm, duke marrë parasysh kushtet në të cilat ndodhej rajoni në atë kohë. Konkretisht, neutralizoi zbatimin e “Traktatit të Sevres” të nënshkrua në vitin 1920 në Francë. Ky dokument e kufizonte ndjeshëm territorin osman sepse lejonte krijimin e shtetit armen dhe atij kurd si dhe zgjeronte influencën e Greqisë në brigjet e Azisë së vogël. Sot, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve Turq, kryesisht “Qemalistët”, festojnë çdo vit ditëlindjen e Ataturkut si ditë kombëtare të shpëtimit të Turqisë. 
Dimensioni tjetër që simbolizon 19 Maji dhe që ndodhet “armiqësisht” përballë ngjarjes së mësipërme është genocidi i kryer ndaj popullsisë Ponde të brigjeve jugore të Detit të Zi nga ana e lidershipit ushtarak dhe politik të Perandorisë Osmane gjatë periudhës 1914-1922. Qytetarët me origjinë ponde që ndodhen në Greqi qysh prej fillimeve të shekullit të 20-të përkujtojnë çdo vit genocidin e kryer ndaj tyre, duke rikujtuar në mënyrë të ritualizuar numrin e “353 mijë” viktimave. Në mënyrë të ngjashme me Qemalistët më sipër, Pondët e Greqisë demonstrojnë sistematikisht togfjalëshin “Nuk harrojmë!”.
Për sa u përshkrua më lart, do doja të nënvizoja të paktën tre aspekte kryesore. Së pari të bën përshtypje se si ngjarje të ndryshme historike e deri te gjallesa e fenomene natyrore ngurtësohen në memorjen kolektive si mite që ndikojnë fuqimisht marrëdhëniet mes shteteve në periudha paqeje. Nëse sot udhëheqësit Turq dhe Grekë dëshirojnë të ndërmarrin hapa për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, ata do të gjenden përballë me trysninë e “urrejtjes së ndërsjellët” që ekziston e ushqehet prej dekadash në gjirin e identiteteve kolektive. Kjo nuk ndodh vetëm te këto dy vende, por edhe në marrëdhënie të tjera dypalëshe, si për shembull ato midis Shqiptarëve dhe Serbëve, Turqve dhe Armenëve, Armenëve dhe Azerëve, Iranianëve dhe Arabosauditëve, e kështu me radhë. 
Së dyti, në riprodhimin e urrejtjes kolektive ka kontribut edhe lidershipi i shteteve respektive. Arsyeja është se në këndvështrimin e tyre mbrojtja e interesit kombëtar realizohet në momentin kur prezervohet diferencimi nga fqinjët, pra sepse këta të fundit perceptohen si të rezikshëm ndaj sovranitetit territorial, ajror dhe detar (nëse ka). Kështu, a do ti interesonte kryeministrit Grek apo Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë të afronin të dy shtetet respektive në atë masë sa të vinin në dyshim identitetet kombëtare si të kundërta me njëra-tjetrën. 
Një pyetje me rëndësi të veçantë që lind këtu është se prej cilëve përcaktohet interesi kombëtar dhe me çfarë metodash? Nëse formuluesit e politikave kombëtare bazohen te ruajtja e status kuo-së apo te zgjerimi territorial, a merret në konsideratë edhe dimensioni moral i të drejtave të njeriut? Pondët kujtojnë sot ikjen e padrejtë të qindra mijëra shpirtrave dekada më parë, ndërkohë që Turqit nga ana tjetër nënvlerësojnë faktet historike në emër të pragmatizmit politik, qoftë në nivelin elitar apo dhe në atë kolektiv. Kjo ka ndodhur dhe ndodh në raste të ndryshme, si për shembull në spastrimin etnik që u krye pas Luftës së Dytë Botërore ndaj Çamëve dhe sllavofonëve nga territoret e Greqisë veriperëndimore e veriore, në emër të “prioritetit” kombëtar për të homogjenizuar popullsinë. 
Së treti, çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Sot në epokën e Globalizmit, kur edhe pse shtetet-kombe vazhdojnë të mbeten njësia themelore në sistemin ndërkombëtar ato ndeshen me sfida që i kapërcejnë ndjeshëm kufijtë nacionalë, është e nevojshme që të hidhen hapa përtej traditës konceptuale të deritanishme. Nëse politikat e bashkëpunimit rajonal që ndërmerren sot në tregti, kulturë, arsim dhe pse jo në politikë do të paraprihen nga ndjesat publike në lidhje me të kaluarën konfliktuale kolektive, atëherë mundësia për afrimin zyrtar dhe ndër-komunitar do të jetë më e madhe. Të vdekurit duhen respektuar gjithmonë, por le ti’ lëmë të Prehen në Paqe dhe të mos i përdorim për riprodhimin e vazhdueshëm të urrejtjes së ndërsjellët në formën e një “udhe qorre”që përsërit vetveten.

Σχόλια