Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Κυριακή 26 Ιουλίου 2020

XHAMIFIKIMI I SHËN SOFISË SI ÇMONUMENTALIZIM I KULTURËS

nga Sokol Çunga

“Muza më frymëzoftë, Shën Sofia më ndriçoftë
dhe perandori Justinian më faltë.”
-Edmondo de Amicis, Konstandinopoja.

 

Kishte vite që qarkullonte në shtyp propozimi i shndërrimit të tempullit të krishterë të Shën Sofisë në tempull islam, duke e zhveshur nga statusi i muzeut, të cilin mbante që prej vitit 1934. Kur më 2016, në fund të punimeve të Kongresit të 23-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Beograd u propozua dhe u pranua Stambolli si vend i zhvillimit të Kongresit të 24-t Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine, e pashë këtë vendim si shenjë pozitive për të ardhmen e muzeut të Shën Sofisë. Sot, pak ditë pas vendimit për kthimin e muzeut në xhami dhe një ditë pas lutjes së parë në tempullin e konvertuar, shoh me keqardhje se marrëdhënia zyrtare e shtetit të Turqisë me monumentet dhe kulturën bizantine ndodhet në kulmin e përplasjes, ku e humbur, siç duket qartë, del kjo e fundit. Duke pasur parasysh statusin muze që ka pasur Shën Sofia, por jo vetëm, si dhe mënyrën me të cilën u konvertua së dyti muzeu në tempull të fesë islame, do të përpiqem të argumentoj dëmin që i bëhet një objekti të papërsëdytshëm të trashëgimisë kulturore të njerëzimit përmes këtij veprimi.

Katedralja kushtuar Urtësisë së Shenjtë të Perëndisë (η Αγία του Θεού Σοφία), njohur sot nën emrin Ayasofya (shqiptimi vulgar i greqishtes Αγία Σοφία – Shën Sofia), u përurua prej perandorit të bizantit, Justinianit të Madh nga Iliria, më 27 dhjetor të vitit 537. Burimet historike shënojnë se perandori i entuziazmuar, tek çeli dyert e tempullit, briti: “Lëvduar qoftë Perëndia që më denjësoi të kryej këtë vepër. Solomon, të mposhta!”, duke nënkuptuar se tempulli në fjalë ishte më i lavdishëm se i famshmi Tempull i Solomonit në Jerusalem. Tempulli i përket stilit të bazilikës me kupolë, me gjatësi 78.16 m dhe gjerësi 71.82 m. Pas tërmeteve të viteve 557-8 kupola, fort e guximshme për kohën dhe kulmi i krenarisë së arkitektëve Anthem i Trallesit dhe Isidor i Miletit, u shemb në pjesën më të madhe. Rindërtimi i kupolës me diametër 31 m. dhe lartësi 55.6 m. përfundoi në vitin 563, dhe është po ajo kupolë që shohim sot në tempull. Për ndërtimin e Shën Sofisë u përdorën lëndët më të çmuara të kohës, të cilat u mblodhën anekënd Perandorisë. Luksi i ndërtesës dhe rëndësia që kishte për kohën e vet duket qartë nga pllakat masive të mermerit të bardhë në dysheme dhe atij shumëngjyrësh në mure, kolonat sjellë nga minierat më të shquara të Mesdheut, angazhimi i 10.000 punëtorëve për ta ndërtuar, koha rekord e ndërtimit (5 vjet e 10 muaj), dhe 145.000 kg ar (sindonja 3 bilion USD me kursin e sotshëm). Ndërtimi i Shën Sofisë dhe lidhja e drejtpërdrejtë e këtij tempulli me pallatin patriarkal dhe pallatin perandorak nguliti një herë e përgjithmonë edhe elementin sakral në planifikimin urbanistik të bizantit. Që prej kohës kur u ndërtua, dhe deri në ditët e sotshme, Shën Sofia përbën modelin arkitektonik më të përhapur në bizant dhe pas-bizant, duke u përjetësuar në një shumësi tempujsh të tjerë të ritit të krishterë të Lindjes, por edhe atij Latin.

Mozaikët fillestarë të tempullit u përfunduan nga Justiniani II, për t’u mbuluar a shkatërruar gjatë periudhës së ikonoklastisë (shek. VIII-IX). Me ardhjen në pushtet të Dinastisë Maqedonase (shek. IX) filloi dhe ridekorimi i tempullit me mozaikë të tjerë, tregues të shkëlqyer jo vetëm të mjeshtërisë artistike të kohës, por edhe të koncepteve politike, fetare, ekonomike dhe shoqërore. Në interiorin e tempullit mund të shihen ende (sa herë nuk do të mbulohen me perde këtej e tutje) mozaikët masivë të Hyjlindëses me Krishin në prehër dhe Kryeengjëllit Gabriel në absidën sipër Hijerores, i pari 6.5 m. dhe i dyti 7.5 m. i lartë. Tradita dëshiron që mozaiku i Hyjlindëses të jetë vendosur mbi mozaikun e mëparshëm të Justinianit II, por për këtë nuk ekziston dëshmi historike. Kurse në sallat e katit të dytë, mbi nefin jugor të tempullit, ndodhet pjesa më e pasur me mozaikë të shek. XI-XII. Këtu ruhen tre mozaikë masivë: skena e Deisis; mozaiku i Perandoreshës Zoe bashkë me perandorin Konstandinin IX Monomakun, që ndodhen në dy anët e Krishtit Pandokrator; mozaiku i familjes Komnene, që paraqet perandorin Joan II Komneni me perandoreshën Irenë, teksa Hyjlindësja Mari mes tyre mban në dorë Aleks Komnenin, trashëgimtarin e fronit. Në timpanin verior të tempullit ruhet mozaiku i Shën Joan Gojëartit dhe Shën Ignatit. Kurse në narteksin e tempullit ruhen ende të tjerë mozaikë të shek. IX-XII, aspak më të thjeshtë në materiale dhe mjeshtëri se ata të interiorit.

Ndërkaq, teksa vizitori i Shën Sofisë sheh vezullimin (aq sa ka mbetur) e materialeve më të çmuara në mure (vizitori i shek. XII, fjala vjen, do të kishte parë edhe më shumë), mermeri i dyshemesë, i gjithi sjellë prej ishullit Prokonesos në Detin e Marmarasë tërheq vëmendjen si material tepër modest, krahasuar me atë që ka përreth e mbi kokë. (Prej sasive të pafundme të mermerit që vinin nga ishulli, emërtimi i tij ndryshoi nga Prokonesos në Marmara. Emërtimi i dytë është fjala greke e përdorur për lëndën e mermerit.) Mes gjithë mundësive të tjera, mermerëve shumëngjyrësh apo mozaikëve të çmuar, fort të zakontë për kohën, Justiniani dhe arkitektët e tij zgjodhën këtë mermer të thjeshtë, të bardhë në ngjyrë dhe me ujëzime, për të shtruar dyshemenë e ndërtesës më të jashtëzakonshme të epokës. E vetmja thyerje e bardhësisë janë katër shirita prej mermeri gri të Tesalisë që përshkojnë nefin qendror nga e djathta, në të majtë. Teksa mermeri përdorej gjerësisht për të dëftyer madhështinë e të zotit të ndërtesës, Justiniani kërkon që prej asaj pamjeje të zbrazët, pa mesazhe të artikuluara qartë, të tregojë se dyshemeja, toka, është përmasa boshe dhe e vdekshme prej së cilës nuk prodhohet asgjë. Po ashtu, pamja e natyrshme e mermerit prokonesian si sipërfaqe uji aludon Tempullin e Zotit që qëndron mbi ujëra, siç përshkruhet në Zanafillën e Dhiatës së Vjetër. Mbretëria e Perëndisë ndërtohet sipër përmasës vdekatare, e dominon atë, dhe vetëm kush lartohet drejt Qiellit mund të shijojë e të kuptojë mrekullitë e jetës bashkuar me Krishtin. Duke huazuar fjalët e Paulos Hesychastes (Paulus Silentiarius) në të famshmin ekphrasis të tij, dyshemeja e ujshme evokon një siujdhesë që rrihet nga tallazet e jetës, dhe vetëm kush afrohet tek Liturgjia Hyjnore arrin të gjejë strehën e shpëtimit. Këtë dysheme e admiroi Mehmeti II Pushtuesi, tek shkeli fitimtar mbi të, e lëvdoi Xhafer Çelebiu dhe poetë të tjerë osmanë pas tij, si dhe poeti fiorentinas Bernardo Bonsigniori, i fundmi nga perëndimorët që soditi atë mermer, dhe e quajti “mëndafsh prej uji”, përpara se të mbulohej për shekuj nga qilimat e xhamifikimit të parë. Kjo zgjidhje estetike e mermerit që imiton pamjen e ujit, mbi të cilin shkel vizitori apo besimtari, u huazua nga shumë tempuj të tjerë të krishterë të shek. VI e më pas, e më vonë udhëtoi në tempuj të Perëndimit Latin, si në Aquilea, Romë, Piacenza, Venecia, Montecassino. Dukuria nuk është vetëm arkitektonike dhe estetike, por edhe simbolike-teologjike. Këto tipare u bartën, më pas, edhe në dyshemetë e tempujve islame.

E vetmja pjesë e stolisur e dyshemesë masive është zona e quajtur omfalos (gr. ομφαλός, lat. umbilicus), Kërthiza e Perandorisë dhe, si rrjedhojë, e globit, në imitim të omfalos / kërthizës që ndodhej në tempullin e Delfit në Greqi. Në këtë pjesë të tempullit, pozicionuar në qendrën e çerekut jug-lindor të katrorit që ndodhet nën kupolë, qëndronte perandori gjatë ceremonisë së kurorëzimit nga Patriarku i Konstandinopojës, apo perandori bashkë me familjen perandorake gjatë ceremonive të tjera zyrtare fetare. Omfalos-i i Shën Sofisë është një dekor horizontal [fig. 1], që përbëhet nga 30 rrathë brendashkruar një katërkëndëshi me brinjë 5.65 m. Për ndërtimin e kësaj figure janë përdorur 32 lloje të ndryshme mermeri me ngjyra. Forma e parë e omfalos-it në këtë tempull daton që me ndërtimin e vet, më pas është pasuruar gjatë shek. X dhe restauruar në mes të shek. XIV pas një tërmeti.

Fig. 1: Omfalion (fotografi marrë nga: https://hagiasophiaturkey.com/omphalion/)

Ç’ndodhi me këtë dysheme dhe këta mozaikë më dt. 24 korrik 2020, gjatë lutjes së parë islame, pas ndryshimit të statusit të tempullit nga muze në xhami? Siç duket qartë në fotografitë që sjellim këtu [fig. 2, 3], e gjithë dyshemeja e tempullit është mbuluar me tapete ngjyrë jeshile të errët apo qilima shumëngjyrësh. Sipas zyrës së Presidentit të Republikës së Turqisë, qilimat janë prodhuar në punishtet më të shquara të Turqisë, “të gjitha prej pambuku 100% vendas”. Kurse të vetmit mozaikë që ndodheshin në fushëpamjen e kamerave, të cilat transmetonin në kohë reale ceremoninë e lutjes së parë në muzeun e sapo xhamifikuar, ishin mbuluar me një mori perdesh, siç duken edhe prapa shpinës në fotografinë e Presidentit dhe Zonjës së Parë, shkrepur në një kohë para lutjes së dt. 24 korrik (perdet dhe omfalos qarkuar në rreth të kuq prej nesh). Se ç’do të ndodhë me mozaikët e tjerë, nuk arritëm të gjejmë kund informacion zyrtar. Sipas pamjeve, omfalos-i është rrethuar me pengesa, që të mos shkelet (ka qenë kështu edhe gjatë periudhës me status muzeal), dhe nuk është mbuluar me tapete. Nuk dimë nëse do të vazhdojë të mbetet ashtu, apo do të mbulohet në të ardhmen.

Fig. 2: Mbulimi i mozaikëve të shek. X me perde të shek. XXI (lart) dhe gjendja e omfalos të shek. VI izoluar nga perdet dhe qilimat e shek. XXI (poshtë). (Fotografi e kudogjendur në Facebook pa referuar autorin.)

Deklaratat e dhëna nga zyra e shtypit e Presidentit të Turqisë njoftuan se materialet që do të përdoreshin për mbulimin e përkohshëm të imazheve që shqetësonin lutjen janë të tillë që nuk i sjellin dëmtime ndërtesës në tërësi dhe veçanti. Po ashtu, u deklarua se ndërhyrjet janë krejtësisht të kthyeshme. Duket se autoritetet më të larta shtetërore në Turqi interesohen vetëm për pacenueshmërinë fizike të lëndës. Mbulimi i fragmenteve të ndërtesës, si mozaikët vertikalë, apo i pjesëve masive, si dyshemeja, edhe kur nuk përbëjnë ndërhyrje fizike në integritetin e ndërtesës, përbëjnë ndërhyrje të dukshme dhe të pakorrigjueshme në mesazhin arkitektonik, estetik, didaktik dhe, s’mund ta mohojmë, teologjik të saj. Pasi, tekefundit, kemi të bëjmë me një tempull të krishterë, jo me një ndërtesë me qëllime të përgjithshme funksionale. Larg patetizmave, këto ndërhyrje përbëjnë deformime thelbësore të tërësisë së objektit, janë çmonumentalizim i një trashëgimie pa të dytë të njerëzimit. Objekti që përbën tempullin e krishterë, qoftë ky është funksional si vend lutjeje, qoftë me statusin “muze”, nuk është një ngrehinë me qëllime thjesht praktike. Tërësia e tij flet në çdo hollësi dhe bart, veç të tjerash, mesazh teknik, artistik, estetik dhe historik. Mbulimi me çdo formë i cilësdo hollësi deformon dhe falsifikon objektin duke e çmonumentalizuar atë, si dhe përbën pastrim dhe modifikim të historisë. Mbulimi i sotshëm i tempullit nuk mund të mos rikujtojë mbulimin e dikurshëm të mes shek. XV, pas xhamifikimit të parë të tij. (Në fund të fundit, duke u kthyer tek arsyeja e thjeshtë, pse duhet të futesh për lutje në një ndërtesë e cila të shqetëson dhe duhet ta çmonumentalizosh, për ta përdorur si vend lutjeje?)

Fig. 3: mbulimi i dyshemesë së Shën Sofisë, shek. VI, me qilima të shek. XXI (screenshot gjatë transmetimit live në Euro News i faljes së parë në Xhaminë e Madhe të Shën Sofisë).

Ndërkaq, xhamifikimi i Shën Sofisë provokoi duartrokitje, por solli edhe reagime jo aprovuese të një sërë institucionesh kulturore dhe fetare. Duke iu përmbajtur linjës kulturore dhe shkencore të shqetësimit, vlen të përmendim letrën e hapur të Presidentit të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine, Prof. John Haldon (Princeton University), përmes së cilës shprehej kundërshtimi i xhamifikimit të Shën Sofisë. Si rrjedhojë, u vendos anulimi i kongresit të radhës, i planifikuar për t’u mbajtur në Stamboll më 2021. Ditë përpara vendimit të ndryshimit të statusit të monumentit mbi 300 studiues bizantinologë nga e gjithë bota (përfshi edhe nga Turqia), kundërshtuan ndryshimin e statusit në një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës së Turqisë. Reagimet kundërshtuese të studiuesve vazhdojnë ende.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) shprehu, po ashtu, kundërshtinë e vet për këtë veprim. UNESCO kujtoi rregullat e Konventës së Trashëgimisë Botërore (1972) që ndalojnë ndryshimin e destinacionit të monumenteve, të cilat janë nën mbrojtjen e Organizatës, pa konsultimin, më parë, me vetë Organizatën. Muzeu i Shën Sofisë është vendosur nën mbrojtjen e UNESCO-s që prej vitit 1985. Përmendim se gjatë dy dekadave të fundit ndërmjetësia e UNESCO-s bëri që World Monuments Fund (por jo vetëm) të ndërmerrte restaurimin e gjendjes kritike të kupolës dhe pjesëve të tjera të monumentit mes viteve 1997-2006.

Fig. 4: rindërtimi jashtë standardeve të UNESCO-s i Mureve të Teodosit (thënë pa terma profesionalë, ky rindërtim përbën falsifikim). Në foto Porta Belgradkapi (foto nga Figen Kıvılcım Çorakbaş 2013, marrë në raportin e sipërpërmendur)

Nuk është hera e parë që Turqia vepron arbitrarisht mbi monumentet e trashëgimisë bizantine. Mes viteve 1986-2010 metodat e gërmimit, restaurimit dhe rindërtimit të Mureve të Teodosit (ose Muret Tokësore, shek. IV), janë kritikuar dhe gjykuar krejtësisht të papërshtatshme dhe të dëmshme për trashëgiminë e paluajtshme kulturore [fig. 4]. Zhvillimi i zonave pranë Mureve të Teodosit pa respektuar kushtet e ndërtimit në zonë arkeologjike favorizoi shfrytëzimin e truallit për ndërtim, duke shtuar dëmtimin dhe rrezikun e shkatërrimit të mureve historike deri në pikën e moskthimit. Kurse më 2013, kohë kur një tjetër tempull i krishterë me status “muze” u xhamifikua, Shën Sofia e Trapezundës (Trabzon), organet rajonale të trashëgimisë kulturore kallëzuan penalisht Drejtorinë e Vakëfeve të Trabzonit për ndërhyrje të pakthyeshme dhe të papërshtatshme në monument [fig. 5]. Në imazhin që bashkëngjisim vërehen qartë elementët modernë të ndërhyrjes në objektin e shek. XII: perdet e varura vertikalisht, tapetet mbi dysheme dhe, mbi të gjitha, tavani i varur, montuar poshtë tavanit origjinal të monumentit. Këto janë vetëm dy shembuj, nga një mizëri shembujsh të tjerë që përshkruajnë marrëdhënien problematike dhe në dëm të monumenteve të trashëgimisë bizantine që zbatojnë institucionet legjislative, vendimmarrëse, ekzekutive dhe të trashëgimisë kulturore të Turqisë. Duke pasur parasysh të shkuarën dhe duke parë të tashmen, lehtësisht dhe jo me shumë gabime mund të parashikohet e ardhmja e pasigurt e njërit prej monumenteve unikë të Antikitetit të Vonë, si dhe rrjedha e politikave anti-kulturore në Republikën e Turqisë në dëm të monumenteve të trashëgimisë bizantine.

Fig. 5: tempulli i Shën Sofisë, Trapezunda (shek. XII). Duken qartë vendosja e perdeve vertikale, qilimat në dysheme dhe, mbi të gjitha, tavani i varur shtuar nën tavanin origjinal të monumentit.

Epilog

Nga Antikiteti i Vonë, deri në pushtimin osman të Konstandinopojës, burimet raportojnë se kryeqyteti kishte 562 kisha e manastire. Disa prej këtyre ndoshta përmenden dy herë dhe gabimi, ndonëse i vogël, është i vështirë të evidentohet për shkak të ndryshimeve urbanistike dhe mungesës së burimeve historike. Veç kishës së Shën Irenës, Hyjlindëses Perivleptos dhe Hyjlindëses Pammakaristos, të gjitha kishat e tjera brenda mureve të Konstandinopojës u xhamifikuan ose u shkatërruan prej harresës. Shën Sofia e xhamifikuar më 1453 nuk është monumenti më i rëndësishëm i botës islame. Është simboli më i rëndësishëm vetëm i fitores pushtuese të Mehmetit II dhe i fundit de jure të Perandorisë Bizantine. Është simboli i fitores së Perandorisë Osmane mbi Bizantin. Nëse, në fund fare, shtrohet pyetja naive dhe diversive nëse tempulli duhet t’u kthehet besimtarëve, atëherë cilëve besimtarë duhet t’u përkasë tempulli që ka shërbyer për pothuaj 900 vjet si katedrale e Patriarkanës së Konstandinopojës, për pothuaj 500 vjet si xhami, dhe 85 vite si muze?

© 2020, Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

 

Bibliografi:
De Amicis, Edmondo: Konstandinopoja, Argeta-LMG, Tiranë, 2013.
Schreiner, Peter: Costantinopoli, metropoli dai mille volti, Roma, 2009.
Barry, Fabio: “Walking on Water: Cosmic Floors in Antiquity and the Middle Ages”. The Art Bulletin. 89 (4), fq. 627–656. [Mund të konsultohet në: https://www.jstor.org/stable/25067354?seq=1#metadata_info_tab_contents] Pedone, Silvia: “The Marble Omphalos of Saint Sophia in Constantinople. An Analysis of an Opus Sectile Pavement of Middle Byzantine Age”, në 11th Int. Colloquium. on Ancient Mosaics, ed. by M. Șhain, Istanbul, 2012, fq. 749-768. [Mund të konsultohet në: https://www.academia.edu/38118152/The_Marble_Omphalos_of_Saint_Sophia_in_Constantinople._An_Analysis_of_an_Opus_Sectile_Pavement_of_Middle_Byzantine_Age_in_11th_Int._Colloquium._on_Ancient_Mosaics_ed._by_M._%C8%98hain_Istanbul_2012_pp._749-768._ISBN_978-605-5607-81-4]https://www.reuters.com/article/us-turkey-hagiasophia-erdogan/hagia-sophia-mosaics-will-be-covered-with-curtains-during-prayers-turkish-presidential-spokesman-idUSKCN24K0OS
https://www.byzantium.ac.uk/wp-content/uploads/2020/07/Open-letter-re-Hagia-Sophia.pdf
https://files.cargocollective.com/c10474/Status-of-Hagia-Sophia.pdf
https://en.unesco.org/news/unesco-statement-hagia-sophia-istanbul
https://whc.unesco.org/en/soc/3743
https://oxfordbyzantinesociety.files.wordpress.com/2014/02/report_land_walls_whs.pdf
https://www.star.com.tr/guncel/camiye-donusturulen-trabzon-ayasofyaya-suc-duyurusu-haber-767929/

*Kopertinë: Tempulli i Urtësisë së Shenjtë të Perëndisë (fotografi e autorit, shtator 2016)


https://peizazhe.com/

Δεν υπάρχουν σχόλια: