Κυριακή, 17 Ιουνίου 2018

Dy ‘gëzime’ në një ditë. Le të shpresojmë!

Jordan Jorgji - Pedagog në Universitetin “Fan.S.Noli”, Korçë
E marta e 12 Qershorit të këtij viti solli dy zhvillime me rëndësi simbolikisht jetike, si në aspektin rajonal, ashtu dhe në atë global. Një takim e shtrëngim duarsh nga njëra anë dhe dy biseda telefonike nga ana tjetër synojnë të vijëzojnë dinamikën e politikës së jashtme për dekadat që do të vijnë. Pyetja që ngrihet është se cilat janë pritshmëritë e lidershipit protagonist të vendeve përkatëse, ndërkohë që nuk mund të abuzohet me bindje të nxituara mbi të ardhmen ndërkombëtare. Kjo, për sa kohë që nuk ka akses në dokumentacionin zyrtar të negociuar dhe nënshkruar, si dhe për sa kohë që e pa-pritshmja mund të prishë harmoninë e qëndrueshme në dukje. Megjithatë, le të jemi optimistë!
Në rastin e takimit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, pritshmëria është e madhe dhe afatgjatë për të dyja palët. Në vija të përgjithshme mund të thuhet se politika e jashtme amerikane dëshiron neutralizimin e rrezikut bërthamor të Pyongyang-ut, të paktën deri në atë masë sa të mos kërcënohen aleatët strategjikë të SHBA-ve, siç është Koreja e Jugut apo Japonia. Nga ana tjetër, udhëheqësi i Koresë së Veriut mëshon në neutralizimin e rrezikut ushtarak amerikan për vendin dhe nacional-sistemin socialist-totalitar përmes largimit të plotë të trupave amerikane nga gadishulli korean. Duket se shpenzimet galopante ushtarake e kanë lodhur vendin e vogël, i cili do ta kishte më të lehtë – qoftë në realitet, qoftë në propagandën me drejtim masën – ta orientojë prioritetin kombëtar drejt zhvillimit të ekonomisë dhe turizmit. Kim-i do të fitonte kohë dhe qetësi në ri-orientimin e politikës së brendshme, duke bërë që Uashingtoni të mbyllte njërin sy në shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimi diktatorial. Por edhe presidenti amerikan Trump do të kthehej triumfator në vendin e tij, duke sjellë një fitore të dyfishtë, së pari arritjen e një suksesi të rrallë në politikën e jashtme amerikane dhe së dyti kthimin në shtëpi të trupave ushtarake. Duke vazhduar më tej në arenën globale, SHBA-të do të ruanin pozitën e superfuqisë politike, kryesisht pas tensioneve të fundit midis Trump-it dhe lidershipit të Bashkimit Evropian dhe Kanadasë.
Megjithatë do ti mbetet kohës për të parë nëse do të kemi ndryshime thelbësore, edhe pse këto të fundit mund të minohen vazhdimisht nga rritja e tensioneve. Gjithashtu, flasim për pritshmëri afatgjata sepse politika e jashtme – dhe e brendshme – e të dy vendeve është treguar racionale për sa i përket aspektit të sigurisë. Ndërhyrja e ish presidentit amerikan Bush në Irak dhe Afganistan, edhe pse i kishte ardhur fundi periudhës së Luftës së Ftohtë – rreziku i komunizmit po zëvendësohej shpejtazi me sfidën e terrorizmit – e detyroi udhëheqjen e Koresë së Veriut të investojë në zhvillimin e armëve bërthamore me qëllim rruajtjen e sovranitetit kombëtar dhe partiak. Në mënyrë të ngjashme, vendosja e sanksioneve ekonomike nga Uashingtoni, si dhe kërcënimet e drejtpërdrejta ushtarake të këtij të fundit kundër regjimit socialist-totalitar ishin po ashtu racionale, përderisa qëllimi i tyre lidhej me pengimin e Pyongyang-un nga zhvillimi i armëve bërthamore. Natyrisht rritja e tensionit global nuk shpie gjithmonë në luftë, por shërben gjithashtu për përgatitjen e terrenit të përshtatshëm në zhvillimin e bisedimeve apo dhe negociatave të paprecedente. Kështu ndodhi në vitin 1962 kur bota shkoi në buzë të greminës përballë një lufte të mundshme bërthamore. Kështu ndodhi edhe këtë rradhë, ndonëse Trumpi dhe Kimi kërcënuan njëri tjetrin me sulme të pamëshirshme bërthamore. Lipset të theksohet se pavarësisht se çfarë mund të arrihet më vonë, ulja e tensioneve përbën një arritje të madhe e historike. Dhe kjo realizohet më mirë kur politikanët e nivelit më të lartë shtrëngojnë duart dhe vendosin kanale komunikimi, klimë e cila transmetohet më pas në kontekstin e marrëdhënieve ndër-shtetërore. Siç nënvizon në mënyrë karakteristike pedagogu i historisë në Universitetin Cambridge David Reynolds për gazetën USA Today: “Një shtrëngim duarsh vlen shumë, kryesisht ai midis Kimit dhe Trumpit si një akt simbolik”.
Zhvillimi i dytë, por me përmasa më të ngushta rajonale, ishte ai i arritjes së dakordësisë midis kryeministrave të Greqisë dhe Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë për emrin e kësaj të fundit, i cili duket se do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut. Dakordësia nuk u bë përmes shtrëngimit të duarve, por nëpërmjet bisedave telefonike, pasi pritet që miratimi përfundimtar i emrit të vihet në jetë pas referendumit në IRJM – diçka jo shumë e lehtë për të ndodhur. Ndryshe nga rasti i mësipërm, racionaliteti i palëve nuk qëndron tek alternativat e skajshme të politikës së brendshme e të jashtme të të dyja vendeve, por kryesisht në impaktin strategjik që ka ruajtja e pavarësisë dhe sovranitetit të IRJ të Maqedonisë në stabilitetin e të gjithë Ballkanit. Paralelisht, lidhet me dëshirën dhe vullnetin e Athinës për mos-dështimin total të politikës së jashtme greke në rast të një adoptimi universal të mundshëm të emrit Republika e Maqedonisë, si dhe nëse nuk abrogohen nga kushtetuta e këtij vendi citimet për minoritete maqedonase. Pritshmëritë janë të mëdha, duke filluar nga forcimi i stabilitetit të brendshëm të Shkupit, qetësimi i tensioneve etnike pas hyrjes së afërme në Nato dhe shpejtimit të rrugës evropiane, ruajtja nga Greqia e elementit të trashëgimisë kulturore në lidhje me Maqedoninë antike, por edhe neutralizimi i synimeve të mundshme irredentiste në kurriz të krahinës greke të Maqedonisë.
Aspekti simbolik është domethënës edhe tek zhvillimi i dytë. Çelja e komunikimit personal midis kryeministrave Cipras dhe Zaev forcon impaktin e diplomacisë në zgjidhjen e problemeve shumë-vjeçare dypalëshe. Roli pozitiv i Brukselit dhe Uashingtonit në forcimin e stabilitetit të rajonit të Ballkanit ka futur në rrugë të mbarë jo vetëm çështjen e emrit por edhe zgjidhjen e problemeve bilaterale midis Greqisë dhe Shqipërisë ku përfshihen edhe konflikte të ngrira. Megjithëse mbetet për tu parë se si do të jetë dinamika praktike e këtyre zhvillimeve në të ardhmen, nuk duhet nënvlerësuar fakti se çelja e kanaleve të komunikimit ka rëndësinë e vet jetike, pasi forcon mirëkuptimin midis lidershipit dhe shteteve respektive. Kështu ndodhi në arenën globale kur bashkëpunimi midis Uashingtonit dhe Pekinit nisi me afrimin amerikano-kinez të vitit 1971. Kështu ndodhi po në të njëjtin vit kur regjimi socialist-totalitar i Shqipërisë dhe ai ushtarak-diktatorial i Greqisë – regjime ideologjikisht të kundërta – hodhën themelet e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, të cilat kishin qenë vazhdimisht të tensionuara. Le të shpresojmë! 
Share This
Previous Post
Next Post

Εντολήν καινήν σας δίδω, Να αγαπάτε αλλήλους∙ καθώς εγώ σας ηγάπησα, και σεις να αγαπάτε αλλήλους. Εκ τούτου θέλουσι γνωρίσει πάντες ότι είσθε μαθηταί μου, εάν έχητε αγάπην προς αλλήλους. (Ιωάννης, ιγ΄:34--35).---Një porosi të re ju le juve: Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë dhe ju të doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin" Joani 13,34-35.

0 comments: