
Agron Gjekmarkaj
Kur para dy vitesh
në stadiumin e Beogradit luhej ndeshja Serbi – Shqipëri, i gjithë kombi
shqiptar përjetonte krenarinë, zemërimin dhe shqetësimin që ai eveniment
sportiv i shndërruar në ngjarje krijoi. Mënyra se si luante skuadra,
mënyra se si reaguan për të mbrojtur një simbol kuqezi, i ngjashëm me
flamurin e mbi të gjitha agresioni fizik me të cilin u përballën, na i
alternoi ato ndjesi. Një krenari legjitime stampohej në aurën e çdokujt
për përfaqësimin dinjitoz të Kombëtares, në një fushë që i trajtoi ata
si njerëz të armatosur e jo si sportistë.
Nuk guxon askush të dyshojë se me të njëjtin emocion e kanë përcjellë
gjithësa edhe imami Elvis Naço, edhe prifti Dom Gjergj Meta, edhe hirësi
Anton Merdani, apo baba dervish Mikeli për faktin se ajo ishte
Kombëtarja e vendit tonë, e vendit të tyre, që u jep, siç ndodh prej
shekujsh, emrin e përbashkët ilirë, arbëreshë, shqiptarë! Po kaq të
trazuar nga mbështetja pa kushte për këta djem ishim të gjithë edhe
gjatë Kampionatit Europian të qershorit në Francë. U pritën si heronj
rrugëve të Tiranës.
Askush nuk pyeti çfarë feje kanë ata! Na mjaftonin e na mjaftojnë si
bashkëkombës deri në momentin kur nuk e njohin veten si të tillë. Kështu
ka qenë gjithmonë, edhe kur në shkallët e stadiumit njerëzit
përqafoheshin pas golave që shënonte Kryeziu, Borici, Pano, Zhega,
Bajko, Bizi, Rragami, Zmijani, Kushta, Majaci, Demollari, Vata, Kacaj,
Kola, Bogdani, Tare, Rraklli, Lala e shumë të tjerë.
E admiruam me ankth Lilën kur në fush- ën e Beogradit përleshej me
huliganët për të ndihmuar shokët me trimëri dhe kameratizëm gjenuin. Por
do të ishim hipokritë nëse nuk do të thoshim që video ku ai, Sadiku dhe
imami Kalaja shfaqeshin së bashku, nën një gaz të ndezur e hukame
fundore, duke tallur priftërinjtë ishte skandaloze dhe e turpshme. Ato
minuta dhe ato rrëfenja shfaqin një tablo tejet shqetësuese. Në ato ka
urrejtje fetare e racore deri në kufijtë e fondamentalizmit. Në ato
sekuenca zbulohet një dyfytyrësi në raport me fenë e tjetrit me vendin
që e paguan dhe e mban me bukë, pse jo edhe me famë Greqinë. Pse u
shqetësuaka Lila kaq shumë nga klerikët e vendit helen dhe nga ritet apo
zakonet e tyre, kur atë nuk e ka shtrënguar askush të bëjë diçka jashtë
dëshirës së tij?
Ndonjë patrioti birrarie që i gufon xhani, tërbimi, për hesap të
Erdoganit, me të drejtë mund të thotë se grekët kanë shtrënguar shumë
emigrantë të ndërrojnë fe, por nuk thonë se pse shqiptarët pranuan nëse
ndiheshin kaq besimtarë dhe të vendosur!? Ata edhe mund të iknin duke
rezistuar, ndonëse të varfër por krenarë për besimin e tyre! Nuk e bënë,
ndaj qëndruan dhe pranuan për interes për një pragmatizëm të pastër
rrogat, punën, shtëpitë, plazhet, spitalet dhe ajodhimat e Greqisë dhe
kështu Mehmeti u bë Kristo e Kristoja me të kaluar Kapshticën bëhet
sërish Mehmet. Në këtë rast faji përpjesëtohet!
Zgërdhirjet dialektale të imamit në këtë rast dëshmojnë se sa i
pavërtetë është ligjërimi i tij mbi vëllazërinë, harmoninë dhe
tolerancën, nëse ato i ka predikuar ndonjëherë. Sigurisht, një individ
nuk përfaqëson më shumë se vetveten, por ndez indikatorin e hipokrizisë,
fatmirësisht ende sporadik për çështje fetare. Si do të sillej ky
klerik me të ndryshmit, nëse shumica absolute e shoqërisë nuk do të
respektonte një kod shekullor vëllazërie?!
Rasti i fundit i Lilës e Sadikut nën hijen e Kalasë ishte më i zhurmshmi
sepse ishte me zë dhe figurë, me të cilin je i shtrënguar t’i bësh
llogaritë. Por ky nuk ishte i pari. Para disa kohësh, njëri prej
lojtarëve të Kombëtares sonë që luan në Gjermani, Mërgim Mavraj,
tregonte me mburrje se si kishte dalë nga rreshti dhe nuk i kishte dhënë
dorën kardinalit të Këlnit, i cili kishte shkuar t’i takonte në prag
Krishtlindjesh, paç- ka se beneficet e tjera të Gjermanisë lojtari nuk i
refuzon. Një gjest ky i pastër intolerance i provincializmit fetar
ballkanik, që zotërisë i bëhet bashkudhëtar në jetë. Çudi se si ky
lojtar apo ndonjë tjetër nuk gajreton të shkojë e të luajë në
Afganistan, Libi, Siri, Iran etj., por vetëpersekutohet në zemër të
Europës? Dramë e madhe luhet brenda ndërgjegjes së tij. Po ky lojtar
kërkonte që për të të bëhej birra “hallall” dhe fabrika e Pejës ia
plotësoi dëshirën, duke shmangur “haramin”, madje duke e lajmëruar atë
me një reklamë. Tjetër është të besosh dhe krejt tjetër ta veshësh apo
ta tallallisësh besimin.
Enver Robelli me të drejtë në një shkrim të para do kohëve i kërkonte
Shkodran Mustafit se si ka mundësi një shqiptar, lojtar i Kombëtares
gjermane, në “Facebook”-un e tij ka vetëm flamuj jeshilë, citate në
arabisht, shpata të kryqëzuara dhe asgjë për të promovuar Kosovën dhe
Shqipërinë, historinë, artin dhe kulturën e tyre. Po ashtu, të tjerë
futbollistë shqiptarë të lindur në Europë në rrjetet e tyre sociale nuk
kursejnë hapësirat e nderimit për imamë radikalë si Shefqet Krasniqi,
por janë tepër të kursyer të shkruajnë dy rreshta për Kadarenë, Rugovën,
pse jo edhe për Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Ermal Metën, apo
Ermonela Jahon e Saimir Pirgun. Mes luksit të merituar prej talentit e
punës të tyre që u mundësoi Perëndimi, nuk do të ishte keq që t’i
shpenzonin dy fjalë për kampionin e Europës në kërcim për së gjati,
Izmir Smajlaj, i cili në qytetin e Shkodrës sot paguhet me 400 mijë lekë
të vjetër rrogë në muaj dhe stërvitet në rrugë.
Nuk është vetëm Kombëtarja e Kosovës që shkon në xhami para ndeshjes,
paçka se edhe ekipi nacional është një institucion laik që nuk do të
duhej kurrsesi të bënte gjeste publike religjioze e të kujdesej që ato
të njoftoheshin publikisht, por edhe ekipi ynë kombëtar. Televizionet
tona kujdeseshin që të na shfaqnin ekipin në xhami para ndeshjeve në
Elbasan dhe Xhani De Biazin në kishë. Dy shfaqje qesharake dhe
përçarëse. Në asnjërën prej të dyjave pamjeve nuk ishte Shqipëria e
vërtetë dhe e plotë. Gazetari Berat Buzhala pak ditë më parë shprehte
një shqetësim kësodore për ekspozimin e Kombëtares së Kosovës, duke u
falur në xhami në prag të ndeshjes me Islandën, të cilën e humbi 2-1,
duke e konsideruar këtë si një manipulim dhe abuzim me rregullat e një
shoqëri multifetare, multietnike e mbi të gjitha laike. Nëse secili
lojtar shkon në xhami apo në kishë privatisht, e keqja do të qëndronte
te çdo kritikë apo kritik real e hipotetik ndaj tyre. Kur kjo vajtje
shndërrohet në akt-propagandë, e keqja është tek ata dhe nxitësit e
tyre.
Droja se fashizmi fondamentalist islamik, siç e quante ndonjë vit me
parë Baton Haxhiu, josh dhe kërcënon në mënyrën e vet pikërisht aty ku
imazhi është më ndikues e trokitës mbetet.
Personalisht do t’i bashkohesha thirrjes së Buzhalës që nëse ka një vend
ku duhet të bëjmë peligrinazh është varri i Skënderbeut prej të cilit
kemi kombin, pse jo edhe shtetet. Por në këtë vend askush nuk kujtohet
për betejat dhe fitoret e tij, teksa arbëreshët në Itali mallëngjyeshëm i
kujtojnë ato thuaj çdo të diel me këngë e valle nga njëra qytezë në
tjetrën. Nuk mendojnë për asnjë çast se 25 vitet e tij të qëndresës na
mbajtën në histori dhe në Europë. Falë kujtimit të tij, sot, si
shqiptarë mund të jemi lirshëm të krishterë e myslimanë, të barabartë e
në vëllazëri.
Tendencat religjioze që po shfaqin haptas disa eksponentë të kombëtareve
tona dëmtojnë imazhin e tyre, ulin entuziazmin dhe sjellin përçarje mes
shqiptarësh. Ato nuk janë kombëtaret e xhamive të Shqipërisë dhe
Kosovës, por të dy shteteve e mbi të gjitha të kombit shqiptar, i cili i
njeh njësoj për të vetët, si të krishterët, ashtu dhe myslimanët. Nëse
kombëtaret tona, partitë politike, shkollat, krahinat, rrugët dhe kodrat
shndërrohen vetëm të Kishës e të Xhamisë Shqipërisë dhe Kosovës i vihet
çelësi dhe shqiptarët shkojnë në drejtim të paditur.
http://droni.al