Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Δευτέρα 16 Απριλίου 2018

Është koha për ndriçim, ndizni llambadhën e Pashkës!


Ferdinand Samarxhi, Mjeshtër i Madh – Kisha na ftoi këto ditë dhe na përsërit vazhdimisht pambarim ftesën për në një të kremte të tërëndritshme që u celebrua në ditën e Ngjalljes me madhështi hyjnore nga kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij Prof. Doc. Anastasi, ceremoni që u transmetua drejtpërdrejtë me veneracion dhe dinjitet nga valët ekskluzive të RTSH-së, sinjali i të cilit përcolli mesazhin e madh hyjnor të Ngjalljes në çdo vatër shqiptare kudo ku ndodhet dhe jeton kombi ynë, në të gjithë galidhenë e madhe të kombeve.
Në foto: Pashkë 1992. Krishti u Ngjall. Ejani merni dritë nga drita që nuk perëndon
Ftesa që në pamje të parë duket paradoksale, se injoron realitetin kur na mbyt një atmosferë e turbullt e mbushur me pasiguri varfëri e shkurajim, megjithatë na ndihmon të kuptojmë dhe të pranojmë një realitet tjetër. Sado dëshpëruese të jenë sot kushtet e jetës, ekziston një lajm i gëzueshëm, i përjetshëm, të cilin Kisha e shpall gjatë të kremtes së Pashkës në mënyrë panagjirike: Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore. Ky fakt ndryshon rrënjësisht ecurinë e botës, perspektivën dhe dinamikën e jetës sonë. Ngazëllimi paskal që na fton gjithmonë gjatë gjithë vitit nuk kushtëzohet së jashtmi. Ai lulëzon, pavarësisht kundërshtive dhe sprovave në kohë të ndryshme. Ngjallja e Krishtit ndriçon dhe i transformon edhe këto. Bëhet fjalë për diçka unikale, që i jep kuptim të ri qenies njerëzore, dërrmimin e vdekjes dhe pjesëmarrjen tonë në triumfin e Krishtit Fitimtar. “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën u fali”, psalim të gjithë gjatë këtyre 40 ditëve në mënyrë triumfuese.
Në foto: Kryepeskopi Anastas duke u lutur që Krishti të ngjallet në Shqipëri. 17 korrik 1991
Me Ngjalljen e Tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, dhuna, gënjeshtra, pasionet, mëkati, në përgjithësi, dhe e dërrmon vdekja. Perëndinjeriu Jisu, me pranimin e vullnetshëm të Pësimit dhe duke triumfuar me Ngjalljen e Tij, mposhti gjithçka që poshtëron dinjitetin njerëzor. Në këtë të kremte plot dritë, Kisha jonë na këshillon të ndërgjegjësohemi më shumë për dinjitetin që na ka dhënë Perëndia.
Dinjiteti njerëzor bazohet në të vërtetën se njeriu është krijuar “sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen.1:26-27, 5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdorur elementin “e llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore.
Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për t’u bërë “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2 Petr.1:4). Shën Grigor Theologu e përkufizon njeriun si “një qenie që, ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë” (Migne 36:632). Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe, nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).
Besimi ngjall te njeriu ndjesinë e vlerës së tij shpirtërore dhe morale. Mendimi teologjik ka theksuar si veçori të ikonës hyjnore të kuptuarin, ndërgjegjen, vullnetin.
Apostull Pavli thotë: Perëndia Atë, e vendosi Zotin e Ngjallur”… përmbi çdo autoritet e pushtet e fuqi e zotërim e çdo emër që quhet, jo vetëm në këtë jetë por edhe në atë që vjen dhe i nënshtroi të gjitha nën këmbët e tij” (Efes.1:21-22).
Me Ngjalljen e Tij, Krishti i përmbysi të gjitha ato që shtypin qenien njerëzore. Dhuroi fuqi për përmbysjen e tyre. Për këtë arsye, Ngjallja që ne përjetojmë në çdo kohë mbetet fuqia e pashtershme kundër çdo lloj shtypjeje të jetës.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se erërat e vdekjes janë zhdukur nga jeta njerëzore. Por tjetër gjë është, që shikimi ynë të humbasë, në errësirën e pabesisë dhe të padijes, në kraterin e dëshpërimit maksimal, duke menduar se kjo është paracaktuar nga fati i jetës dhe, krejtësisht tjetër është t’i shikojmë problemet e jetës, hidhërimin, sëmundjen, shpifjen, padrejtësinë, brenda perspektivës së përjetësisë me vështrimin nga Krishti i Ngjallur.
Me Ngjalljen e Tij, Krishti hapi horizonte të reja për njerëzit. Edhe në ditët tona, një dëshpërim shumëformësh dhe i papërcaktuar ka pushtuar zemrat e njerëzve. Shumë gjëra që ndodhin rreth nesh dëshmojnë se ekziston padrejtësia, urrejtja e vërteta minohet. Ata që përpiqen të jetojnë të virtytshëm bëhen pre e shpifjeve dhe përndiqen nga qarqe të errëta. Dhe kjo ndodh në jetën e secilit prej nesh në jetën e përditshme.

Sigurisht, një shikim i tillë dhe kjo përballje e realitetit presupozon besim te Krishti, presupozon marrëdhënie jetësore me Atë, ripërtëritje të vazhdueshme shpirtërore. E ndërsa marrim pjesë me tërë shpirtin në ngazëllimin e Ngjalljes së Krishtit, besimi ynë ripërtërihet dhe fuqizohet.
Por në të njëjtën kohë, është një rast i veçantë, për t’u ndërgjegjësuar për shpëtimin nga rreziqet e botëkuptimit të errësirës, të egocentrizmit, të lakmisë, të shfrytëzimit etj.
Pashka është një e kremte që e ndiejnë dhe e shijojnë jo vetëm besimtarët, por edhe njerëzit që ndodhen në kërkim e sipër, që lëkunden midis besimit dhe të mosbesimit. Zoti i Ngjallur qëndron mistikisht, me durim, përpara shumë zemrave të mbyllura, i mbushur me dashuri dhe mirëkuptim për të thënë në mënyrë të përsëritur mos kini frikë,”…. Ja Unë, tek jam bashkë me ju, të gjitha ditët e jetës suaj…”(Matth.28:20). Të gjithë sa përpiqemi të jetojmë Ungjillin në fazat e vështira të jetës sonë, moderne, ftohemi të ripërtërijmë guximin dhe shpresën tonë. Sa jemi ngurrues, sa biem në tundim madje dhe dëshpërim le të përpiqemi me optimizëm, me shpresë, mos e humbasim besimin në fuqinë e shpirtit dhe askush të mos dëshpërohet për rëniet, sepse falja na buroi prej varrit, mos kini frikë vdekjen, se na çliroi prej saj vdekja e Shpëtimtarit” (Shën Joan Gojarti).
Në Foto: Lavdi mbi ty o Perëndi. Kryepeskopi Anastas u ndez llambadha njerëzve. Pashkë 1993
“Ejani pra”, le të ngazëllohemi më Zotin… që ndriçoi gjininë njerëzore”. Ky ngazëllim nuk është individual, është gjithëpërfshirës për nga natyra. Shumëfishohet nga prania e mijëra e mijëra besimtarëve, njerëzve. Drita e tij shpërndahet sot, në të gjitha drejtimet, ka një shtrirje mbarënjerëzore. Dhe të gjithë sa e ndiejmë, ftohemi të transmetojmë sigurinë dhe optimizmin për fitoren finale të drejtësisë, të së vërtetës dhe të dashurisë- të vetë jetës. Drita që nuk perëndon e Ngjalljes së Krishtit shkëlqen brenda krijimit të dukshëm, në mbarë botën. Pra, çdo njeri, çdo besimtar, ftohet ta marrë dhe ta transmetojë dritën paskale në mjedisin e tij dhe të ndihmojë të afërmin ta ndezë edhe ai llambadhen e tij. Sigurisht, shumë vetë nuk e njohin ekzistencën e kësaj drite në jetën e botës, por kjo nuk do të thotë se ajo resht së vepruari, së ndriçuari dhe së udhëhequri “gjininë njerëzore”.
Në foto: Pamje madhështore e ceremonisë hyjnore të festës së Ngjalljes. Realizim drejtpërdrejtë i RTSH-së
Të mos e lejojmë trishtimin dhe dëshpërimin të sundojnë në shpirtin tonë
Sado që epoka jonë është shpesh e errët, e mbushur me pasiguri, hidhërim dhe shqetësim, të mos e lejojmë trishtimin dhe dëshpërimin të sundojnë në shpirtin tonë. Përkundrazi, le t’i përgjigjemi me besim ftesës paskale: “Ejani të ngazëllohemi më Zotin, i cili shtypi pushtetin e vdekjes dhe ndriçoi gjininë njerëzore”. Prandaj në këto kohë lypset dhe nevojitet që të ushqejmë dhe të fuqizojmë dhe të mbështesim njëri-tjetrin, me dashuri, besim, optimizëm dhe shpresë.
Shpresë, thesar dhe fuqi le të ushqejmë duke jetuar misterin e kryqit dhe të ngjalljes.
Shpresë për të tashmen dhe për të ardhmen personale, shoqërore, për zhvillimin e shoqërisë, të vendit tonë, të rajonit tonë më të gjerë që vuan nga përplasje maniake, rezultat përfundimtar i një edukimi ateist të brezave të fundit dhe i një pështjellimi modern. Shpresë që tejkalon përpjekjet dhe aspiratat njerëzore sepse mbështetet në hirin dhe dhuratat e pagjurmueshme të Perëndisë. Thesar jete, trashëgimie të lavdishme që u dhuron fitimtari Krisht të gjithëve sa e pasojnë. Kushdo që jeton me frymë Pashke drithërohet nga shpresa dhe ngazëllimi që i përshkojnë gjithë qenien dhe shpërndajnë çdo re melankolie dhe ankthi. Është fjala për një gëzim paqësor i cili shumëfishohet duke u ofruar.. kushdo përjeton ngazëllimin e Pashkës bëhet dhe vetë mbartës shprese dhe optimizmi. Kurdoherë si dhe sot ku dëshpërimi është i thellë dhe shqetësimi janë pjesë përbërëse e jetës, ku zhgënjimi ndrydh zemrat, çdo njeri është i ftuar për të marrë mesazhin ngjallësor të gëzimit, të dashurisë, dhe të transmetojë atë tek të gjithë njerëzit që ndodhen afër dhe larg e tij. Pushteti i Krishtit të Ngjallur lidhet me Pësimin vullnetar. Jisui mbetet Ai që bashkëvuan me vuajtjen dhe sprovën e çdo njeriu. Ai ul kryet me dhembshuri mbi të plagosurin nga mëkati. Pushteti i Tij nuk sundon mbi të tjerët, por shërben; nuk hakmerret, por fal; nuk shtyp, por çliron. Nuk imponohet me anë të zhurmës mashtruese, por vepron në heshtje, plot takt.
Krishti i Ngjallur, Llambadha e Pashkës respekton lirinë dhe shenjtërinë e gjinisë njerëzore
Kryesisht, vepron si një fuqi shpëtimtare, si dhuratë faljeje dhe dashurie. Krishti i Ngjallur respekton lirinë dhe shenjtërinë e çdo personi njerëzor- madje edhe të atij që ka dyshime për Atë. Pushteti i Tij nuk shkakton frikë, por e çliron qenien njerëzore nga frika, madje edhe nga frika e vdekjes. Në mënyrë diakronike fuqia e pashtershme e ngjalljes mund dëshpërimin duke na ftuar që të ngazëllohemi më Zotin. PO, do të ngjallemi të gjithë dhe do të vazhdojë jeta e përjetshme dhe e pasosur, në ngjallje jete për të gjithë besimtarët në Zotin siç thotë edhe Simboli i Besimit: “Pres ngjalljen e të vdekurve dhe jetën e ardhshme të amshuar”. Kjo është e vërtetë dhe aspirata për të cilën ne përpiqemi sepse ngjallja e Krishtit thonë njëzëri etërit e shenjtë është ngjallja jonë tani edhe në përjetësi.
Shpirti ynë i çliruar nga mëkatet bashkohet me Krishtin e Ngjallur dhe jeton ngjalljen shpirtërore. Natyrisht, kjo ngjallje shpirtërore e shpirtit tonë bëhet pjesë e ngjalljes së përgjithshme ku garanci e saj është Ngjallja e Krishtit.
Filozofia e Pashkës përshkon, si një rrymë e fuqishme, gjithë historinë e besimit, të Krishtërimit duke u bazuar në fuqinë e Ngjalljes. Çdo herë që njerëzit, besimtarët, të krishterët mendojnë Ngjalljen e Krishtit, qenia njerëzore transfigurohet, mbushet me fuqi dhe shpresë dashurie, sepse asgjë nuk është më e rëndësishme, në gjithë krijesën, se Ngjallja e Zotit dhe besimi tek Ai.
Kisha shpall lajmin e mirë të ngjalljes, Pashkën, të cilën e përuroi Krishti me pësimin, kryqin dhe ngjalljen e tij. Dhe me të vërtetë Krishti vulosi Dhiatën e re të dashurisë duke udhëhequr popullin që do ta pasonte në një jetë të re, të lirisë, të fitores përfundimtare mbi fuqitë e errësirës së vdekjes. Vetë kuptimi i fjalës Pashkë që vjen nga fjala hebraike “Pesah” ka lidhje me pashkën judaike, daljen e popullit të Perëndisë nga robëria e Egjiptit drejt lirisë drejt tokës së premtuar. Kjo “e kremte e të kremteve” që na fton është shumëdimensionale: Dalje nga dëshpërimi për shkak të varfërisë, vështirësive të pakapërcyeshme ekonomike, trazirave në rajonin tonë, nga konfuzioni dhe pafuqishmëria që shkaktojnë pasojat, e tyre. Dalje nga dëshpërimi që akumulon hidhërimi i padrejtësisë, i shpifjes, i pakënaqësisë dhe i zemërimit për shkak të mosmirënjohjes së atyre që kemi mbështetur ose nga tradhtia e atyre që kemi dashur. Dalje nga dëshpërimi që sjell dobësimi i shëndetit, dhimbja e sëmundjes apo largimi i përhershëm i të afërmve dhe miqve. Dalje nga zhgënjimi që shkaktojnë gabimet, rëniet, mëkatet, dështimet tona.
Në foto: Krishti dërrmoi pushtetin e vdekjes dhe ndryshoi gjininë njerëzore. Mesazh hyjnor, që u përcoll drejtpërdrejtë nga RTSH në të gjithë kombin tonë
Ngjallja e Krishtit realizoi kalimin e dyfishtë, së pari u plotësua kalimi i Perëndisë drejt njerëzimit, shpëtimi i gjinisë njerëzore, që nisi me lindjen e Zotit Jisu Krishtit dhe së dyti me ngjalljen, bëhet i mundur kalimi i njeriut drejt Perëndisë, drejt një udhe të re që përfundimisht shpie në bashkimin në të, në hyjnizimin e njeriut. Me ngjalljen lindi një jetë e re, një ndryshim i vetë natyrës sonë. Mbi këtë siguri të ngjalljes mbështetet tërë besimi, përvoja dhe dinamika e jetës. Dhe ai që bashkohet me Të, me anën e besimit, dashurisë dhe hirin e mistereve të Kishës dhe trupit të tij, do të mund të sfidojë ashtu siç sfidoi Krishti vdekjen dhe gjithçka që lidhet me inskenimin e çdo gjëje jo të drejtë, jo njerëzore, jo të ecjes dinamike të saj. Krishti me ngjalljen e tij mori nga Perëndia atë pushtet, në qiell e mbi dhe, ripërtëriu gjithësinë. Dhe psaltët i japin tonin kësaj thirrjeje: “U ndriçua gjithësia me ngjalljen tënde o Krisht”. Pra, për çdo Pashkë, ne ftohemi të çlirohemi nga atmosfera e frikës dhe e pasigurisë së shpresës, pasigurisë së paqes, nga padija në të vërtetën e Perëndisë, nga errësira e mëkatit në dritën e jetës më Krishtin, nga egoizmi te dashuria për të tjerët dhe për jetën. Krishti gjithmonë na fton që ne të bëhemi njerëz të tij, dhe të ndezim një llambadhë Pashke, që simbolizon dritën, që shkëlqen nga varri i boshatisur i Krishtit, dritën e shpresës dhe të fitores që shpërndan errësirën. PO, llambadha e Pashkës, lidhet me një dinamikë të posaçme. Drita e saj, mund dhe duhet të ndezë dhe llambadha të tjera të afërta, të shuara, që edhe ato të ndizen. Pasi jeta, me psikologjinë dhe ngarkesat e saj kërkojnë ta mbajnë shpirtin larg dritës, larg llambadhës.
Në foto: Ejani pra, le të ngazëllohemi me Zotin që ndriçoi gjininë njerëzore. Pashkë 2018
Në vend që të jetojmë dhe të përshkojmë errësirën, le të ndezim shumë lambadha
Në vend që të jetojmë dhe të përshkojmë errësirën le të ndezim shumë lambadha që qenia jonë njerëzore të përshkohet nga drita e tyre, në mënyrë që të gjithë si njerëz të bëhemi një pashkë gëzimi.
Perëndia vetëzbulohet brenda botës dhe gjithësisë me shfaqjen e lavdisë së tij. Njerëzit janë në gjendje të kuptojnë, vetëm lavdinë e tij. Ajo çka është në gjendje njeriu të perceptojë është lavdia e Perëndisë, largësia ndërmjet tij dhe Zotit, mbetet e pamatshme. Vendi i gjithë njerëzve në gjykimin e Perëndisë është i përbashkët sepse të gjithë sado jemi mëkatarë, madje kanë lindur në mëkat dhe janë privuar nga lavdia e Perëndisë. Krishti e ka njohur fuqinë mahnitëse të besimit, pra të marrëdhënies ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, si shenjë dhe ikonë e mbretërisë Kisha përbën boshtin lidhëz të tërë procesit të përmbushjes. Ajo afron gjithmonë falënderim dhe dhoksologji. Krishti si shpirti i së vërtetës vepron dhe frymëzon njerëzit në dëshirat e tyre dhe në kërkim të së vërtetës. Ngjallja e tij qetëson zemrat dhe ndihmon në krijimin e marrëdhënieve të reja që sjell mirëkuptim dhe pajtim tek të gjithë njerëzit. Gjithashtu Krishti i ngjallur dhe drita e tij iu jep frymëzim dhe fuqi njerëzve për të dëshiruar drejtësinë dhe për të luftuar për të. Asgjë nuk mund të kufizojë rrezatimin e Shpirtit të Shenjtë kudo ku bashkohen dashuria, mirësia, paqja dhe frytet e tjera të tij. Të gjithë njerëzit marrin rrezet e lavdisë hyjnore që përfaqëson gjithësinë, shijojnë veprimet e Shpirtit të Shenjtë, që janë veprime jete, dashurie dhe të vërtete. Duke qenë se të gjithë bëjnë pjesë në natyrën e përbashkët njerëzore e cila u lartësua në trupëzimin e Fjalës, të gjithë duhet të marrim dhe të jemi pjesë të ndikimit të hirit të tij dhe të dashurisë së tij. Me gjithë “tjetërsimin” e thellë dhe rënien, natyra njerëzore nuk pushon së qeni mbartëse e krijimit sipas ikonës së Perëndisë. Njeriu i ri, Adami i dytë mori tërësisht natyrën njerëzore, risolli lirinë njerëzore në rrugën e dashurisë, i dha orientim gjinisë njerëzore.
Bërja njeri e Krishtit do të thotë krijim i ri për mua, për ty dhe për të gjithë krijesën njerëzore. Bërja njeri e Krishtit natyrën e çjerrë të njerëzve dhe të copëtuar në mijëra pjesë e mblodhi edhe më vete edhe për Perëndinë. Krishti realizoi të mbledhurit e natyrës njerëzore në vetvete dhe tek vetja e tij dhe rithirri tek uniteti i vjetër i shoqërisë dhe i dashurisë. Me ngjarjen e Pashkës u ripërtërinë të gjitha, për çdo njeri shtrohet tashmë pjesëmarrja në këtë ripërtëritje. Brenda dinamikës së Pashkës, llambadha e saj na fton në përpjekje për një ndryshim rinovues. Lëvizja e ndryshimit zë fill dhe merr pa pushim fuqinë e saj nga energjia e Perëndisë prej të cilit rrjedh çdo veprim njerëzor. Të gjithë thirrjet e tyre shenjtorët i përshtatin me faktin e marrjes së natyrës njerëzore nga Krishti dhe të lidhjes së tij me çdo person njerëzor. Të gjithë jemi ftuar të marrim pjesë në mbretërinë e hirit të Perëndisë sipas mundësive dhe dhuratave dhe kushteve ku jetojmë. Tradita ngjallësore për të përçuar flakën e llambadhës paskale edhe tek të tjerët, na rikujton detyrën për të ofruar të vërtetën dhe shpresën e Krishtit te njerëzit e tjerë. Krishti i ngjallur na fton në diçka unikale, të bëhemi pjesëmarrës në veprën e tij, në përpjekje për sundimin e drejtësisë, pajtimit, dinjitetit dhe solidaritetit.
Në foto: Ngjallja duhet të përshkojë çdo njeri, çdo zemër. Drejtpërdrejt në RTSH Ferdinand Samarxhi, Aleksandër Dimëroçi
Me ngjalljen, “tani të gjitha u mbushën me dritë”
Pas ngjalljes së Krishtit gjithçka lëviz në një perspektivë ekumenike. Dhe sa herë kemi prirjen për t’u kthyer tek “uni” ynë i vogël, individual, lokal apo kombëtar, Pashka na zbulon se me ngjalljen “tani të gjitha u mbushën me dritë” dhe na vendos në perspektivën universale… Kisha, bashkësia eukaristike e besimtarëve njeh dhe kremton përvojën e ngjalljes, e fitores mbi vdekjen dhe me këtë të vërtetë ajo gjallëron dhe transformon jetën e mbarë rruzullit në liri, paqe dhe dashuri.
Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon…dhe transmetojeni këtë dritë Pashke në të afërt dhe të largët. Dritë, dritë Pashke, në zemrën tonë, në fytyrat tona! Dritë, më shumë dritë Pashke, në marrëdhëniet tona me të tjerët, në marrëdhëniet tona midis njerëzve, në të gjithë galidhenë e madhe! Dritë Pashke, që nuk perëndon, që fal kuptim, shpresë, thesar dashurie dhe fuqi Perëndie. Çdo mendim i yni, çdo fjalë e jona, çdo veprim i yni, çdo moment heshtjeje le të ndriçohen nga drita e ngjalljes dhe nga llambadha e Pashkës.
Me këtë kërshëri, dashuri dhe dritë Perëndie të llambadhës së Pashkës, ftohemi vazhdimisht që të bëhemi pjesë e kësaj drite për të ndriçuar zemrën, mendjen dhe shpirtin, që të bëhemi qytetarë të denjë të familjes së madhe europiane të cilët i përkasim dhe aspirojmë. Le të dëgjojmë ngaherë thirrjen paskale të Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë profesor, doktor Anastasit, apostullit të Krishtit në Shqipëri, që ringjalli besimin nga varri, që rindërtoi Kishën nga hiri, që ngjalli shpresën e shqiptarëve, që ngriti dhe lartësoi Kishën e Shqipërisë në botë, që sot është zëri më i fuqishëm i kohës, i epokës së globalizmit, promovues dhe përçues i paqes dhe i dashurisë në botë, “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon”… Është koha për ndriçim…eja dhe ndiz llambadhën tënde… llambadhën e Pashkës.

Δεν υπάρχουν σχόλια: