Analiza/ Ku po e çon vendin lidhja okulte Rama – Erdogan?

Pothuajse dy vite më parë, në fund të verës 2016, publikut shqiptar i’u treguan, njësoj si indianëve pasqyrat, disa pamje filmike të kryeministrit shqiptar duke bërë pasagjerin në veturën e drejtuar nga Rexhep Taip Erdogan. Ajo që dihej zyrtarisht ishte se Edi Rama ndodhej aty për inagurimin e urës së tretë madhështore mbi Bosfor. Por, ajo çka filmimet e shpërndara nga zyra e propagandës së kryeministrisë nuk e treguan ishte tjetër gjë.
Festa madhështore kishte notat e një neo- otomanizmi të theksuar. Ura e re, kjo vepër të cilën Erdogani e konsideron si një nga monumentet e plotfuqisë së tij, kishte marrë emrin e një sulltani që i zgjeroi së tepërmi kufijtë e perandorisë otomane, Selimit “të pamëshirshëm” (1512-1520). Dhe për të celebruar këtë, për herë të parë që pas kohës kur Ataturku shpalli republikën, ishin shfaqur gardistët me kostumet e meherëve, ish rojet dhe ngritësit e tendës së sulltanit.
Kjo nxjerje nga muzeumet e uniformave të një kohe të lavdishme, nuk qe aspak e rastësishme. Sepse edhe inagurimi i punimeve të urës ku kryeministri shqiptar po merte pjesë, kishte nisur në një ditë simbolike. Në përvjetorin e asaj që turqit e konsiderojnë si marrjen e Kostandinopojës, ndërsa europianët si rënien e kryeqendërs së bizantit.
Nxitja e otomano- nostalgjisë dhe rikthimi i lavdisë së perandorisë së dikurshme është një nga shtyllat e qëndrueshme të pushtetit autoritar të Erdoganit.
Jo më kot, në 10 gusht 2014 (nuk kishte kaluar as një vit që qeveria e rilindjes e kishte shpallur Turqinë një partner strategjik), i rizgjedhur për herë të parë presidenti i vendit të tij, Erdogan zgjodhi të festojë në një mënyrë të çuditshme.
Ai shkoi të lutet.
Dhe jo në një vend të çfarëdoshëm. Në xhaminë Ejup Sulltan, në brigjet e Bririt të Artë, ai hapi enkas sallën ku gjendet varri i një prej miqve të profetit Muhamed, i cili mbeti i vrarë gjatë rrethimit të parë të Kostandinopojës. Ai u përkul aty njësoj sikurse bënin sulltanët e dikurshëm, duke dëshmuar se misioni i këtij lideri modern është të bashkojë të shkuarën e lavdishme me të ardhmen e ndritur.
Dhe sundimi i partisë së tij, AKP, i ka të qarta objektivat. Ai vetë do të jetë në pushtet deri në 2029. Por, në 2023, në vitin e 100 vjetorit të themelimit të Republikës, Turqia duhet të jetë pjesë e klubit të ngushtë të superfuqive botërore.
Dhe për të arritur këtë strategjia është e qartë. Ajo është hartuar në detaje nga profesori dhe intelektuali islamik, i cili i shërbeu Erdoganit për një kohë të gjatë si ministër i jashtëm dhe më pas si kryeministër, Ahmet Davutoglu. Ai gjithnjë e ka mbështetur tezën e tij në faktin se fundi i luftës së ftohtë dhe rënia e komunizmit i jept shancin Turqisë të bëhej një fuqi botërore, me kusht që të ndiqte një politikë të jashtme ekspansioniste, të frymëzuar nga rizgjimi i otomanizmit dhe të mbështetur në ideologjinë islame.
Behlul Ozkan, profesor i marëdhënieve ndërkombëtare në universitetin e Marmarasë dhe ish student i Davutoglusë e shpjegon kështu filozofinë e ish mësuesit të tij: “Sipas Davutoglusë, Turqia duhet të dominojë fqinjët përreth saj -lindjen e Mesme, Ballkanin, kaukazin për të krijuar rreth vetes një “hayat alani” (hapsirë jetësore-përkthim i lapsi.al) – sepse vetëm kështu ajo do të mund të shndërrohej në fuqi botërore duke përfituar nga e shkuara e saj otomane dhe nga potenciali i saj gjeografik.
Pra sikurse shihet, vende si Shqipëria, një zonë me popullsi muslimane në Ballkan dhe që është ndarë e fundit mes shteteve të rajonit nga suaza e perandorisë osmane, mund të gjendet në qendër të kësaj strategjie.
Por pyetja është: a shkon kjo ndesh me aspiratën e shpallur të shqiptarëve për të përparuar drejt BE ? A mund të bashkëjetojnë dëshira e Turqisë për të krijuar në të ardhmen një pol të vetin si superfuqi me ndikim, me përkatësinë tonë europiane? A e di Edi Rama dhe Rilindja se përqafimi i kësaj rruge përmes shpalljes si “aleat strategjik”, mund ta shkëpusë vendin nga aleatët e vetë natyralë?
“Nëse Shqipëria është duke parë drejt Bashkimit Evropian, ashtu siç thuhet zyrtarisht, duhet të tregohet e kujdesshme në atë që dëshiron. Nuk duhet të lejojë Erdoganin të dominojë vendin. BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri që është thellësisht i lidhur me Erdogan, veçanërisht tani që dëshira e tij e zbuluar për të dominuar Ballkanin mund të shihet nga të gjithë” shkruante Alon Ben-Meir në maj të këtij viti për The Globalist. Ai shpjegonte se “Investimet turke në Shqipëri janë selektive dhe të llogaritura në mënyrë strategjike. Ato përfshijnë pronësinë e bankës së dytë më të madhe në vend, hidrocentrale, metalurgjikun, si dhe ish-operatorin shtetëror ‘Albtelecom’ apo kompaninë celulare “Eagle Moblile”. Në konkluzion ai këmbëngulte se “qëllimi i Erdogan është që t’i ofrojë Shqipërisë disa doza të vogla zhvillimi ekonomik, deri sa vendi t’i nënshtrohet totalisht atij” (lexo ketu/Lapsi.al).
Po a ka filluar ky skenar që në pamje të parë duket i pabesueshëm?
Faktet nuk mungojnë. Lapsi.al, i është rikthyer edhe njëherë arkivave të tij për t’i qëmtuar ato.
Shqipëria ka treguar se nuk është në gjendje t’i thotë jo Turqisë në politikën e jashtme. Rasti më i debatuar ishte ai i votimin anti Trump për të dërguar në Jeruzalem ambasadën e shtetit të vet, duke e njohur praktikisht kështu si kryeqytetin e vetëm të Izraelit. Megjithëse shumë komentatorë mendojnëse se vota e Shqipërisë në OKB kundër qëndrimit amerikan ishe në sinkroni edhe me shtetet kryesore te BE-së, nuk janë të paktë ata që shohin nga pas dorën e Erdoganit. Dhe jo pa shkak. Pasi presidenti amerikan bëri të ditur vendimin e tij unilateral për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, Erdogan deklaroi në një miting politik në fillim të dhjetorit: ‘Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet kundër këtij akti” (Lexo ketu/Lapsi.al).
Nuk dihet nëse një nga këto mjete u përdor edhe ndaj qeverisë Rama, por fakti është se edhe në mbledhjen e Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që u mbajt në dhjetor në Stamboll edhe në votimin e rrezolutës së OKB-së, Tirana zyrtare u rrshtua mes vendeve më radikale kundër vendimit të Trump. Kjo e bëri gjithë politikën vendase edhe në Shqipëri edhe në Kosovë të thërrisnin skandal (lexo ketu/ lapsi.al). Ndërsa ish deputeti Ben Blushi tha: “Asgjë nuk e justifikon votën e Shqipërisë në OKB. As raporti me Evropën, as raporti me SHBA, as raporti me historinë dhe as raporti me të drejtën. Duke mos qenë as strategjike dhe as parimore vota kundër SHBA i vlen më shumë Turqisë se Shqipërisë dhe kjo është edhe më e rëndë më e shëmtuar dhe shumë më e padrejtë” .
Shqipëria nuk i ka thënë dot jo as kërkesave të vazhdueshme të Erdoganit për të përndjekur atë që politika zyrtare turke e emërton si organizata terrorriste FETO dhe e ka shpallur përgjegjëse për grushtin ushtarak të shtetit në verën e vitit 2016. Që në 5 maj të vitit 2015, kur tashmë konflikti i hapur me Fetullah Gylenin kishte filluar dhe përndjekja e strukturave të tij paralele kishte nisur (pas skandalit të përgjimeve dhe akuzave të ministrave për korrupsion), Erdogan iu drejtua liderve shqiptarë gjatë një vizite në Tiranë: “Ju jeni në dijeni që ne në Turqi po luftojmë kundër një strukturë paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht organizatë terroriste që kërcënon shtetin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate në vendin tonë dhe kudo do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë e vet edhe në Shqipëri, në këtë vend mik dhe vëlla”.
Por pas grushtit të shtetit presioni Turk u bë më i madh. Burime të besueshme flasin për rreth 450 kërkesa për ekstradime të Gylenistëve të ardhura nga Ankaraja. Në vend të tyre qeveria shqiptare deri më tani ka luajtur një lojë të dyfishtë. Ajo ka pranuar shitjen dhe ndërrimin e pronësisë të kolegjeve turke të akuzuara nga Turqia si organizëma paralele, por ajo është kujdesur t’i shkelë gjithnjë njërin sy Erdoganit.
Disa politikanë të lartë kosovarë pohojnë të kenë dëgjuar nga goja e kryeministrit shqiptar, se me një lider si Erdogani nuk bëhet shaka, pas skandalit që shpërtheu në Prishtinë me rastin e ekstradimit banditesk të 6 gylenistëve. Dhe i pari që i hoqi në kurriz pasojat e e kundërshtimit të këtij akti ishte kryeministri kosovar, Ramush Haredinaj. Autokrati turk e sulmoi atë brutalisht: “Si mund t’i ushqesh këta njerëz që kanë bërë një tentativë për grusht shteti ndaj Turqisë, e cila mirëpret Kosovën si një vëlla. Do të japësh llogari edhe t’i për këtë. Vëllezërit e mi kosovarë nuk i japin kredibilitet një kryeministri si ti. Vëllezërit e mi kosovarë, kosovarët që i njoh dhe i di, do të kërkojnë llogari prej teje për këtë. Unë e di edhe këtë” tha Erdogan gjatë një mitingu politik (lexo ketu/Lapsi.al).
Me sa duket ky qe një sinjal i mjaftueshëm për Ramën. Në të njëjtën valë, kryeministri shqiptar, në një intervistë me Ilva Taren u shpreh kundër asaj që mendojnë të gjitha demokracitë normale perendimore. Ai përqafoi publikisht tezën e Erdoganit se grushti i shtetit i korrikut 2016 është organizuar nga FETO. Ai i quajti ata “një rrjet i rrezikshën” dhe pohoi se qeveria shqiptare “po i mban në vëzhgim” (lexo ketu/ Lapsi.al).
Askush nuk mund të vërë bast pas këtyre deklaratave se ç‘mund të ndodh nëse presioni nga Ankaraja për përndjekjen e tyre do të shtohet….
Shqipëria po i gëzohet edhe investimeve turke pavarësisht nga prapavija politike që ato kanë si një zgjatim i idesë për ta shndërruar perandorinë e dikurshme në një superfuqi të botës së nesërme. Ankaraja është sot partneri i dytë më i rëndësishëm ekonomik i yni. Investimet turke kapin shifrën e 2. 7 miliardë USD, të punësuarit prej tyre plot 11 mijë shqiptarë, ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare që vërtitet rreth 460 milionë euro, synohet të dyfishohet, pohojnë me krenari diplomatët turq në Tiranë. Me të njëjtën ndjenjë triumfi Erdogan pohoi në një intervistë në “Top Story”: «Nuk e di se sa investime vijnë nga BE, mirëpo ne nuk do ndalemi».
Po ç‘farë ka pas kësaj dëshire për të mos u ndalur? A janë këto para të ardhura nga Anadolli një “Dhuratë e helmuar”? A ngjajnë investimet turke me 30 milionët e faluar nga Erdogani për ndërtimin e xhamisë së Tiranës? Prej kohësh qarkullojnë fjalë se Erdogan ka vënë kusht për pjesmarrjen në inagurimin e veprës që ka sponsorizuar vetë, kokën e kreut të muslimanëve shqiptarë, që ai e konsideron një element të rrjetit gylenist.
Shembulli më ilustrues i investimeve të dyshes Rama – Erdogan në Shqipëri është projekti i aeroportit të Vlorës. Të dy biznesmenët e caktuar nga politikanët përkatës janë të mbushur me hije dyshimi. Parneri turk, Mehmet Cengiz, ndërtuesi i aeroportit të Stambollit është pjesë e një kaste biznesmenësh, afër partisë së Erdoganit, AKP, të ashtuquajturit Tigrat e Anadollit. Gazeta prestigjioze gjermane Suddeutsche Zeitung ka raportuar se nga momenti që Erdogan u ngjit në pushtet në vitin 2002, Mehmet Cengiz ka fituar mbi 50 miliardë dollarë tendera, ose më shumë se 3 miliardë në vit (lexo ketu/ lapsi.al).
Ndërsa Uashington Post vlerëson se Cengiz është shembull i sistemit klientelist në Turqi. Në vitin 2012, kur Cengiz së bashku me dy kompanitë e tjera që kanë paraqitur ofertë për Aeroportin e Vlorës, fituan kontratën për aeroportin e Stambollit, Prokuroria turke, e cituar nga agjencia “Reuters”, lëshoi urdhra ndalimi për Mehmet Cengiz dhe disa biznesmenë të afërt me presidentin Erdogan. Natyrisht çështja ndaj tij u mbyll politikisht. Ndaj gazetarëve dhe prokurorëve që denoncuan korrupsionin e qeverisë turke filloi përndjekja.
Nuk ka nevojë të theksohet se ky shembull ngjan si dy pika uji me mardhëniet okulte që kryeministri Rama vendos me oligarkët shqiptarë. Modeli është frikshëm i njëjtë. Dhe kështu ka ndodhur edhe më kompaninë ajrore shqiptaro Turke, Albanian Airlines.
Për herë të parë, në mars 2017, Rama deklaroi në një intervistë: “Ne kemi një plan të themelojmë një kompani ajrore që si bazë do të ketë Shqipërinë, një kompani ajrore shqiptare në bashkëpunim me Turkish Airlines dhe kompaninë ajrore AtlasGlobal.” Pak më shumë se një muaj më pas ai priti në zyrë Drejtorin Ekzekutiv të Turkish Airlines, Ilker Ayci dhe të dy folën para mediave ku shpallën publikisht projektin për krijimin e linjës nën kujdesin personal të presidentit turk. “Presidenti ynë, Zoti Recep Tayip Erdogan, bashkë me Zotin Edi Rama kanë zhvilluar bisedime të ndryshme dhe një ndër çështjet që kanë trajtuar më shumë ka qenë bashkëpunimi në fushën e Aviacionit Civil, për të zhvilluar bashkëpunimin në këtë fushë dhe në udhëheqjen e fuqishme të Kryeministrit të Shqipërisë, bashkë me vizionin e tij, edhe ne si “Turkish Airlines” do të mbështesim arritjet e Shqipërisë në këto vite” deklaroi Ayci.
Por problemi është se si kompani shqiptare në këtë bashkëpunim, u shfaq ajo, MND Investment, e themeluar më 7 maj 2018, vetëm nëntë ditë para vendimit të qeverisë që e bëri atë ortake në Air Albania. Pronari i saj ështëpresidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi. “Idrizi, një emër i panjohur për publikun, nuk ka asnjë aktivitet në Shqipëri dhe nuk ka treguar të ketë ndonjë biznes në ndonjë vend tjetër të botës. Në disa pronocime të fundit publike, ai është shprehur se ka lidhje biznesi në Turqi, ku duket se ka jetuar për shumë vite para se të kthehej në Shqipëri në vitin 2014, por nuk ka dhënë asnjë detaj apo referencë publike.
E vetmja gjë që dihet për të është se nga viti 2014 ai është një nga pronarët dhe administrator i Klubit të Futbollit Flamurtari”, raportuan për të mediat vendase (lexo ketu/Lapsi.al).
Ndoshta, nuk ka shembull më të mirë se ky biznesmen i lindur nga hiçi, për të përshkruar modelin erdoganesk që po përqafon ditë pas dite Edi Rama.
Gjithmonë e më shumë po bëhet e qartë se ky model nuk ka asgjë të përbashkët me atë të lirive, konkurencës së ndershme dhe një politike të jashtme pro perendimore, që përbëjnë traditën shqiptare të 3 dekadave të fundit.
Në fakt, deri këtu problemi është demokratik, por ai shndërrohet në strategjik, kur vjen puna tek synimet afatgjata të sulltanit të Stambollit. Endrra e tij për të ringjallur perandorinë e dikurshme në bazë të nostalgjisë otomane, investimeve strategjike dhe ringjalljes së islamit, po lë gjurmët e saj edhe në Shqipëri.
Tani për tani, Edi Rama bën sikur nuk e shikon atë. Sidomos në perëndim ai përdor një gjuhë të dyfishtë. Gjatë një interviste për France 24 në fund të majit 2018, ai u akomodua me mentalitetin evropian, duke e vënë Turqinë në një rang me Rusinë (lexo ketu/ Lapsi.al). Ai nuk përmendi asnjë term pozitiv për vëllain e tij të madh dhe e paraqiti Shqipërinë si një treg të lirë ku mund të investojë kushdo, përfshirë rusët dhe turqit, duke “harruar” se investime si ai i aeroportit, apo i linjës ajrore, nuk janë produkte të tregut të lirë, por fryte të vullnetit politik.
Deri kur kryeministri shqiptar do të vazhdojë me këtë gjuhë dhe qëndrim të dyfishtë?
Kjo është e vështirë të thuhet. Por ajo që dihet është se të dy projektet, ai i shqipërisë drejt BE-së dhe ai i Erdoganit për ta përfshirë atë në në suazën e një perandorie të ringjallur, nuk mund të bashkjetojnë. Përplasja do të ndodhë patjetër. Vetëm koha se kur nuk dihet.

Σχόλια