Σελίδες

Ja ç’mendoj për Nolin, shtetësinë shqiptare, a janë gjithë ortodoksët grekë, etj…



Një intervistë e rrallë e kryepeshkopit Janullatos për Mentor Nazarkon dhënë në vitin 2006: Si e ndaj jetën mes dy identiteteve, shqiptare dhe greke.
Ndonëse intervista është e vitit 2006, shumë prej gjërave që thuhen aty vlejnë, në këtë mënyrë intervista e ruan aktualitetin e saj.
A jep intervista kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, hirësia e tij Anastas? Po, dhe në ato pak, dy për drejtorin e informacionit të TVA, Mentor Nazarko, i cili megjithëse është treguar mjaft kritik për të shumë artikuj të ndryshëm pati shancin të merrte përgjigje për pyetjet që qëndrojnë në mendjen e shumë shqiptarëve. Pyetje të forta, gjithashtu, për të cilat hirësia t’i servir përgjigjet bashkë me kafen greke apo turke, dhe me një pako çokollatash italiane “Bacci”.
Është kryepeshkopi i Shqipërisë, por i lindur në Pire. Bën gjithsesi një përpjekje të durueshme disavjeçare për pasaportën e kuqe të shqiptarëve. I bindur se erdhi në vendin ku nuk kishte dhe një fron për t’u ulur në 1991. Ka një background për të cilin do të meritonte që të ishte kreu i Orthodhoksisë…, por këtu është thjesht….për të sjellë mesazhin e madh të Zotit. I shmanget Nolit, pavarësisht se në SHBA dhe këtu është lutur për të, arvanitasve…dhe jep përgjigje elastikisht të matura për gjithçka. Me Berishën…shkon mirë…, por nuk është shqiptar.
CV-ja e tij është puthitur si një bibliotekë e rëndë me libra të botuar dhe me shumë gjuhë që njeh, të cilat fillojnë që nga greqishtja e vjetër dhe rrjedhin në gjuhët e sotme. Kryepeshkopi Anastas të thotë thjesht dhe me një krenari të fshehur se me bursë të Fondacionit “Alexander von Humboldt”, të cilën e shqipton me shumë finesë, ka studiuar për besimet fetare dhe etnologji…në Hamburg dhe Magdemburg. Ka studiuar besimet e ndryshme fetare në Indi, Tajlandë, Japoni, Kinë, Nigeri, Brazil dhe një dyzinë vendesh të tjera, që çuditem ende nëse do t’i mbante mend. Ka tituj të shumtë akademikë. Ka një libër të përkthyer në shqip, ndërsa përgatitet që të sjellë të tjerë…
1.U bënë shumë vite që ju jeni në krye të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Cilat do të konsideronit arritjet tuaja më të rëndësishme?
Faktin që, me ndihmën e Perëndisë, arritëm të ringremë plotësisht nga gërmadhat Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila ishte tërësisht e shpërbërë për mbi 23 vjet me radhë. Në të njëjtën kohë ndërmorëm një veprimtari të gjerë sociale, me anë të programeve të zbatuara për herë të parë në vend, në fushat e shëndetësisë, arsimit, përkujdesjes sociale, kulturës, mjedisit, gjë që kontribuoi ndjeshëm në progresin e vendit. Gjithashtu, konsideroj arritje faktin që jetoj për 14 vjet në Shqipëri, duke marrë pjesë në vuajtjet, privimet, problemet e njerëzve, duke shërbyer me vepra dashurie për banorët e fshatrave dhe të qyteteve, duke kultivuar besimin, kreativitetin, reciprocitetin dhe shpresën. Dhe për të mos ngelur vetëm në konstatime të përgjithshme, dua të theksoj:
(U përkujdesëm për arsimimin e brezit të ri të klerikëve shqiptarë. Themeluam Akademinë Theologjike Orthodhokse me 135 klerikë shqiptarë. U përkujdesëm për ndërtimin e 85 kishave të reja, restaurimin e 80 monumenteve të kulturës dhe riparimin e mbi 140 kishave të tjera. U ndërtuan gjithashtu 20 ndërtesa të reja për të strehuar mitropolitë, shkollat, klinikat, laboratorët dhe konviktet. Në këto vepra të mëdha ndërtuese, iu ofrua punësim mijëra njerëzve. Arritëm të kemi shtypshkronjën tonë, një punishte qirinjsh, një punishte zdrukthëtarie, atelie të ikonografisë dhe të restaurimit të ikonave. Iu dha hov veprimtarisë botuese dhe sot kemi të publikuara shumë vepra origjinale dhe të përkthyera si dhe një gazetë të përmuajshme, revista për të rinj dhe fëmijë etj. Në shumë qytete janë hapur qendra rinore dhe organizohen kampingje verore e dimërore të rinisë, ku zhvillohen aktivitete shpirtërore dhe kulturore.
Gjatë krizave politiko-shoqërore që ka kaluar vendi, ndihmuam në mbledhjen dhe ndarjen e mijëra tonëve ndihma, veshmbathje, ilaçe, për lehtësimin e dhimbjes së të varfërve dhe të refugjatëve. Në fushën e shëndetit një arritje e rëndësishme është Qendra Mjekësore Diagnostike në Tiranë, që përfshin 24 specialitete, me një personel të përgatitur mjekësor, me aparatura moderne, që u shërben 5-6 mijë të sëmurëve në muaj. Kohët e fundit asaj iu shtua edhe një prej skanerave më modernë, me 32 prerje. Klinika u ngritën edhe në Kavajë, Korçë, Jergucat.
Sot kemi dhe një njësi stomatologjike të lëvizshme. Në fushën e arsimit, përveç dy shkollave fetare, themeluam 14 kopshte në qytete të ndryshme, një shkollë pilot amerikano-shqiptare, si dhe dy institute të formimit profesional, me gjashtë specialitete, të cilat janë të parat e këtij lloji që funksionojnë në Shqipëri.
U përkujdesëm gjithashtu për ndërtimin e ujësjellësve, rrugëve rurale, për furnizimin me energji elektrike dhe lidhjen telefonike të fshatrave. Kur Shqipëria u përball me valët e refugjatëve nga Kosova, Kisha Orthodhokse, në bashkëpunim me organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, ndërmori një program të gjerë ndihme, që i tejkaloi të 12 milionë dollarët. Në këtë mënyrë u ndihmuan mbi 33.000 refugjatë.
U zhvilluan marrëdhënie harmonike me komunitetet e tjera fetare, duke mbështetur tolerancën fetare dhe bashkëpunimin. Kisha jonë, duke u bërë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, u bë edhe një ambasadore shpirtërore e Shqipërisë në ambientet fetare, të cilat nuk kishin asnjë njohje të realitetit tonë kishtar. Me të gjitha këto, Kisha Orthodhokse u shfaq një faktor serioz shpirtëror dhe zhvillimi i Shqipërisë.
2.Identiteti juaj njerëzor dhe fetar është i ndarë midis dy popujve, atij grek dhe atij shqiptar. Çfarë keni fituar dhe çfarë keni lënë prej këtyre përbërësve?
Nuk mendoj se fjala “i ndarë” është e saktë. Një urë përmbi një lumë, nuk do ta quaja të ndarë midis dy brigjeve. Përkundrazi, ajo i bashkon të dy brigjet, duke u mbështetur fort si në njërën anë, ashtu edhe në tjetrën. Në masën e mundësive të mia, përpiqem të funksionoj si urë përmbi murin ndarës të vjetër të dyshimit dhe në kohë të ndryshme të antipatisë. …Në të dy popujt ekzistojnë njerëz të mrekullueshëm, sikundër ekzistojnë edhe të tjerë, që nuk janë në lartësinë e situatave. Të dy popujt jetuan dhe bashkëpunuan nën sundimin e tri perandorive të ndryshme: nën Perandorinë Romake, Bizantine dhe Osmane. …
3. Ka pasur një dogmë dominante në kulturën greke se ortodoksët e Shqipërisë janë grekë. Ç’mendoni rreth saj?
Është e qartë që nuk është e saktë. Tërësia e Orthodhoksëve të Shqipërisë, përveç shqiptarëve që përbëjnë shumicën, ka grekë, sllavë dhe orthodhoksë me prejardhje të ndryshme, që jetojnë në vend. Për këtë arsye dhe Patriarkana Ekumenike njohu në mënyrë kanonike Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë…
4. Ju doni shtetësinë shqiptare edhe në respekt të grigjës që ju drejtoni shpirtërisht, komunitetit ortodoks, por ndërkohë jeni një figurë e respektuar dhe e popullit grek. Çfarë keni bërë ju për shembull kur ka largime të sforcuara njerëzish, kur ka bllokime në kufi, raste keqtrajtimesh. si njerëz të kultit në vende të tjera që thërresin për tolerancë ndaj të huajve. Ju, a bëni të tilla?
Sigurisht. Duke filluar qysh në vitet e para të dhjetëvjeçarit të 90-të e kam ngritur zërin në mënyrë të vazhdueshme dhe kam ndërmarrë hapa të ndryshëm, apo kam bërë deklarata në intervistat e mia në Greqi për nevojën e respektimit të emigrantëve dhe të mbështetjes së tyre. P.sh. kur në vitin 1993, pas dëbimit të një bashkëpunëtori tim, qeveria greke kishte vendosur të ndërmerrte masa ndëshkuese, e lartësova zërin tim, duke protestuar në mënyrë të vendosur dhe duke thënë se nëse hapi i parë ishte një gabim i kryer nga ana e palës shqiptare, veprimi i dytë, për të dëbuar qytetarët shqiptarë që punonin në Greqi, do të ishte një gabim shumë herë më i madh nga ana e qeverisë greke.
Në vitin 1996 shkova në burgjet e Koridhalosë (Athinë) për të mbështetur të dënuarit shqiptarë. Disa kohë më vonë, kur filloi të përdoret në mediat greke termi “fshesë” për dëbimin e qytetarëve shqiptarë, bëra udhëtime enkas për këtë gjë dhe takime me politikanët kompetentë dhe me drejtues të ndryshëm të mediave të mëdha, duke protestuar për termin e përdorur prej tyre…
Megjithatë në intervistat e mia të vazhdueshme në mediat televizive greke e kam dënuar ksenofobinë dhe kam theksuar detyrimin për të pasur drejtësi dhe respekt ndaj personalitetit të emigrantëve dhe nevojën e bashkëpunimit dhe besimit reciprok midis popujve tanë. Sa i takon pikës së parë të pyetjes suaj për nënshtetësinë shqiptare, me të vërtetë e quajta detyrimin tim që vite më parë, të jem i integruar edhe në mënyrë të ligjshme në vendin që i shërbej me dashuri dhe kreativitet për tërë këto vite. Por mjerisht disa gjëra në shtet lëvizin me ngadalë.
5. Fortlumturi, është shënuar në publik se ju shoqëroni rregullisht presidentët grekë apo zyrtarë të lartë që vizitojnë Shqipërinë, veçanërisht në vizita në vende simbolike për grekët. A nuk ju duket se ka një shpërpjesëtim në imazhin tuaj publik në lidhje me këto shfaqje? Pra, ju që shoqëroni presidentët grekë për ditë me radhë, që merrni pjesë në promovime shkollash greqisht, etj., a nuk mendoni se sedra e shqiptarëve mund të preket nga ky privilegjim i këtyre lloj aktiviteteve? A ka ndonjë përpjekje tuajën për shembull që edhe në Greqi të ketë ndonjë shkollë shqipe për fëmijët e emigrantëve?
Mendoj se e keni fjalën për vizitën e ish-presidentit z. Stefanopulos, sepse nuk mbaj mend të kem shoqëruar të tjerë “presidentë grekë”. Ju kujtoj se ai ishte i ftuar zyrtarisht nga qeveria shqiptare, si mik. Si Primat i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë nuk kisha asnjë arsye që të shqetësohesha për keqkuptime, kur u desh, vetëm për një ditë, ta shoqëroj bashkë me përfaqësues të tjerë zyrtarë të shtetit shqiptar. Veç kësaj, me z. Stefanopulos na lidh një miqësi e vjetër personale.
Ai është orthodhoks i devotshëm. Gjithashtu, edhe fshatrat e minoritetit grek bëjnë pjesë në juridiksionin kishtar të Kishës, Primat i së cilës jam. As që e mendova se “kështu mund të preket sedra e shqiptarëve”. Për sa i përket pjesëmarrjes në përurime shkollash greke, imagjinoj, se i referoheni shkollës greko-shqiptare “Homeri”, që u hap në Korçë në prani edhe të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë. Nuk kuptoj pse në përurimin e kësaj shkolle, që në shumicë ka fëmijë orthodhoksë, ndalohet pjesëmarrja e Kryepiskopit orthodhoks, dhe gjoja kështu “mund të preket sedra e dikujt”… Për sa i përket Greqisë, sa herë që vizitoj dhe takohem me persona të ndryshëm kompetentë, mbështes të drejtën dhe nevojën e ruajtjes së gjuhës së emigrantëve…
6. Fortlumturi, gjatë drejtimit të Kishës prej jush, ka pasur zëra autoritarë që kanë folur për reduktim dhe minimizim të rolit të Nolit në historinë dhe dokumentet e saj kishtare. A mendoni se duhet të ketë ndonjë ndjeshmëri publike tuajën më të zëshme ndaj figurave që përbëjnë ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve?
Informacionet tuaja nuk janë aspak të sakta. Nga çasti i parë që arrita në Shqipëri fola me respektin më të madh për personalitetin e Episkopit orthodhoks Theofan Noli. Që atëherë nuk kam pushuar, në çdo Liturgji Hyjnore, në kohën e veçantë të Paravënies së Blatës, kur kujtojmë persona të respektuar dhe të dashur, të kujtoj vëllain në Krishtin, Theofanin. Në udhëtimin tim të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Kryepiskop i Shqipërisë vizitova varrin e Theofan Nolit dhe kreva një shërbesë përkujtimore. Po përdorim shumë përkthime të tij në jetën adhuruese të Kishës sonë; në zyrën e Kishës Katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari që në fillim është varur fotografia e tij. Sigurisht Noli dha shumë në zhvillimin e Kishës sonë vendore. Çdo personalitet që ka kontribuar në luftën për lirinë dhe zhvillimin shpirtëror të popullit ne e nderojmë dhe e respektojmë.
7. Ka pasur zëra se ka ndryshim të stilit arkitektonik të kishave shqiptare në procesin e rindërtimit. Nuk dua t’ju pyes rreth këtij spekullimi, por ndryshe. A ka një stil të veçantë ndërtimi që ka gjurmë shqiptare dhe në ç’kishë për shembull e gjeni ju këtë?
Ju kujtoj se zona ku bën pjesë Shqipëria nga ana kulturore i ka përkitur në mënyrë të pandërprerë tri perandorive. Edhe pamja arkitekturore e kishave ruan ndikime nga të tri periudhat: paleokristiane, bizantine me kupolë, pasbizantine njënefëshe ose trinefëshe. Pamja që iu dha gjatë viteve të sundimit otoman u përgjigjej urdhrave të administratës otomane që të jenë ndërtesa të thjeshta dhe pa kupolë.
Që atëherë kur Shqipëria u bë shtet i pavarur, më 1912, deri në fillimin e përndjekjes, më 1967, nuk mendoj që u krijua ndonjë stil i veçantë arkitekturor shqiptar kishash. Madje, shumë pak u ndërtuan, më duket katër, dhe të gjitha me kupolë (në Korçë, kisha katedrale e Burimit Jetëdhënës, kopje e kishës katedrale të Athinës; në Përmet kisha e Shën Marisë; në Tiranë, kishat e Shën Prokopit si dhe e Ungjillëzimit –për të zëvendësuar katedralen e vjetër që u shemb, për t’u ndërtuar hotel “Tirana”)…Kështu, nga 85 kishat që u ngritën këto 14 vjet kemi ndjekur edhe traditën e vjetër me bazilika të thjeshta njënefëshe ose trinefëshe, edhe tipin bizantin me kupolë; por kërkojmë edhe një shprehje të re arkitekturore që t’u përgjigjet prirjeve dhe kushteve të shekullit të 21-të. Një kishë e gjallë paralelisht me respektin ndaj traditës, guxon edhe krijimtari të re.
8. Jemi duke asistuar në një konflikt midis kishave serbe dhe maqedonase. Dhe në debatin mbi vendosjen tuaj në krye të Kishës Shqiptare mund të shtrohet një pyetje: A është një dëshmi e mungesës së paragjykimeve të shqiptarëve ky fakt? Për shembull nuk mund të mendonim se në krye të Kishës greke të vendosej një serb, pale një shqiptar…
Është e çuditshme që harroni diçka themelore. Rasti i Kishës Orthodhokse në Shqipëri është unik në historinë e Krishterimit.
Kjo Kishë është e vetmja që iu nënshtrua një shkatërrimi të plotë nga shteti i vetëm ateist në botë dhe mbeti e shpërbërë për 23 vjet… Diçka e tillë nuk i ka ndodhur sigurisht as Kishës së Serbisë, as Kishës së Greqisë. Kur m’u kërkua të vij në Shqipëri, nuk ishte ftesë për t’u ulur në një fron të gatshëm të ndonjë ndërtese madhështore ose qoftë për të drejtuar diçka ekzistuese, por ishte nxitje për një punë misionare për ringritjen nga rrënojat, pa asnjë ndihmë ose mbështetje shtetërore, të një Kishe Orthodhokse Autoqefale.
Në vizitën e parë, kërkova me këmbëngulje ndonjë shtetas shqiptar që do të mund të merrte përsipër këtë detyrë dhe përgjegjësi të ndërlikuar. Isha gati të kthehesha në detyrat e mia, sepse, siç dihet, isha mitropolit, pedagog i rregullt në Universitetin e Athinës dhe kandidat për Akademinë e Athinës dhe me poste të rëndësishme ndërkombëtare. Atëherë orthodhoksët, pavarësisht nga prejardhja, m’u lutën të rri dhe të marr përsipër këtë punë të vështirë dhe të paparë kishtare të ringritjes nga themeli të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
E dija se nuk ishte fare e thjeshtë, se do të përballoja dyshime të vazhdueshme dhe armiqësi nga qarqe të ndryshme dhe se nuk ishte i sigurt përfundimi me sukses i kësaj përpjekjeje.
9. Dhe në fund: a po punoni ju që drejtimi i Kishës të jetë në duar të sigurta dhe ndjeshmëritë e shqiptarëve për të pasur në krye të Kishës së tyre Ortodokse një shqiptar, do të respektohen?
Që nga viti i parë përpjekja ime ishte krijimi i klerit vendës. Për këtë themeluam Akademinë Theologjike dhe Liceun kishtar, në mënyrë që të përgatiten kuadrot e përshtatshëm për Kishën tonë. Siç thashë, kam dorëzuar 135 klerikë, të gjithë shqiptarë. Sot vetëm 5 klerikë të huaj shërbejnë në Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, ndërsa në komunitetet e tjera fetare ka në mënyrë të pakrasueshme më shumë.
Përgatitja e episkopëve të përshtatshëm është diçka shumë kërkuese, sepse duhet të jenë në mënyrë të ndërgjegjshme të pamartuar dhe me edukim të rëndësishëm teologjik, kishtar dhe social. Që prej 1998-ës është dorëzuar episkopi i parë, shtetas shqiptar, Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, dhe shumë shpejt do të mbarojnë studimet dhe përgatitjen e përgjithshme disa kandidatë të tjerë për episkopë, të cilët do të përbëjnë kryesinë e Kishës, në përputhje me sistemin e saj sinodik.
Së fundi, që Kisha jonë të durojë trysninë e kohëve dhe të zhvillohet normalisht, duhen akoma përpjekje të stërmëdha, në mënyrë që të arrihet edhe autonomia e saj ekonomike – nëse doni ta quani ndryshe “autoqefalia ekonomike”. Nuk është fare e thjeshtë të sigurohen rroga dinjitoze për episkopët, për klerikët dhe kuadrot e tjerë të Kishës Orthodhokse pa pasur asnjë mbështetje ekonomike të qëndrueshme, me pronat e Kishës të shtetëzuara prej vitesh. Gjatë periudhës së shërbesës sime këtu, arritëm të krijojmë një kapital shumë të rëndësishëm, që do të kontribuojë në të ardhmen si në drejtimin ashtu edhe në pavarësinë ekonomike të Kishës.
Mos harroni nga ku filluam dhe ku, me hirin e Perëndisë dhe mbështetjen e mijëra miqve, kemi arritur vetëm brenda pak vitesh. Orthodhoksët në shumicën e tyre e njohin gjithë këtë punë që u krye me një mijë vështirësi dhe pengesa. Dhe e dinë se kurrë në të kaluarën Kisha Orthodhokse e Shqipërisë nuk kishte pasur gjallërinë dhe krijimtarinë e viteve të fundit.

Ju keni për të dëgjuar të thërresin, nga njëra anë në tjetrën, "përndjekje"!

Image result for αυγουστίνος καντιώτης
Unë nuk do gjendem në jetë, do gjendem në varr, do gjenden në jetën tjetër.
Ju keni për të dëgjuar të thërresin, nga njëra anë në tjetrën, <<përndjekje>>.
Episkop i moshuar siç jam, gjendem në fundin e jetës time tokësore mbas shumë peripecish dhe vështirësish prej 40 vitesh në atdheun tonë, po ju këshilloj, o bij/a të mi:
Nëse vjen një kohë ku do dëgjojmë dhe ne jo në teatër por në realitet, <<përndjekje!>> dhe të dëgjohet fjala <<përndjekje>> kundra besimtarëve të krishterë’ mos u merakosni, mos kini frikë.
Unë nuk do jem në jetë gjatë asaj kohe, do gjendem nën varrin, do gjendem në jetën tjetër. Ju keni për të dëgjuar të thërresin nga njëra anë në tjetrën, <<përndjekje>>.
Dhe kishat dhe priftërinjtë dhe episkopët do e zhdukin Ungjillin, për t’u predikuar një “ungjill” i ri. Dhe ajo që po ndodh në Shqipëri dhe në vende të tjera të largëta, do të ndodhë dhe në Greqi – po profetizoj.
Mirpo një gjë të dini mirë fare se nuk kanë për të triumfuar ateistët, por besimtarët. Në armët dhe në gjunjë. Sepse do vijë koha ku do ndodhi shkretëtimi. Atëhere ju, ku do mblidheni për të dëgjuar fjalë të krishtere? Është dhe kjo një dhuratë.
- Çfarë duhet bër, jerond, që të mos na zëri frika dhe paniku gjatë atyre ditëve të vështira?
- Jo, jo, nuk duhet të na zëri paniku. Të kemi guxim, por nuk duhet treguar, por të presim momentin e duhur për ta treguar. Sepse nëse dikush shfqaq guximin e tij në çastin e duhur, ka rëndësi të madhe. Ndeshuni pra në ndeshjen e mirë dhe një ditë do takohemi në qiejt. Atje do të ndodhë takimi i gjithë besimtarëve.
Do TRIUMFONI! Ekziston Kisha dhe do vazhdojë të ekzistojë në jetë të jetëve sepse themelues i Saj është Krishti. Uroj të mbani të ndezur brenda jush lambadhën e besimit. Të jeni dritë për këtë botë. Brenda errësirës që ekziston, ju bijtë e mi, sado pak të mbeteni me Krishtin të mos kini frikë, do fitoni. Nëse akoma dhe nëna jote dhe ati yt të të mohojnë duke mbetur ti vetëm në gjithë qytetin apo fshatin tënd, mos u frikëso. Dhe nëse e gjithë shoqëria-komuniteti gjunjëzohet përpara djallit, ti mos u gjunjëzo dhe ti i vetmi do jesh ai që do fitosh. E them dhe e theksoj. Shumë shtete mund të gjunjëzohen’ por qyteti që është lyer me gjakun e martirëve dhe të heronjve, nuk ka për t’u gjunjëzuar kurrë. Në damarët e të vegjëlve dhe të mëdhenjve qarkullon gjakë martirësh. Do qëndrojmë këshjellë e Krishtit dhe do tregojmë dhe njëherë tjetër akoma për inat të demonëve (dhe të shërbëtorëve të tyre), se Krishti nuk vdiq por rron në jetë të jetëve.
Mitropoliti i Follorinës At AVGUSTIN KANTIOTIT

A KINI REZERVUAR BILETË?

Image result for αυγουστίνος καντιώτης+Episkop Avgustin Kantioti Ish-Mitropolit i Follorinës

A KINI REZERVUAR BILETË?

(ΕΧΕΤΕ ΕΙΣΗΤΗΡΙΟ;)
Athinë 1995

KINI REZERVUAR BILETË?

+ Ish Mitropoliti i Follorinës

Episkop Avgustin Kantioti

Udhëtoni?

Bota, të dashur lexues, flet për udhëtime. Një mani e tmerrëshme për të udhëtuar ka pushtuar sot njeriun. Makina, hekurudha, anije, aeroplanë lëvizin papushim në të gjitha vijat gjeografike të tokës, detit dhe ajrit, dhe transportojnë shumica të tëra pasagjerësh. Dhe kush janë këta që udhëtojnë? Nuk janë më vetëm ata që qarkullojnë për punë tregëtie dhe nevoja të tjera si këto. Janë dhe të tjerët që duan të zbaviten sepse janë të mërzitur, të ndryshojnë ambientin, të kënaqin kurreshtjen e tyre, të vizitojnë qytete me thesare arkeologjike dhe histori, të shohin dhe të shijojnë të gjitha bukuritë e globit tokësor, plazhe, lumenj, liqene, ishuj magjepsës, pyje të virgjër, male të larta. Turizmi, ky idhull i ri, feja e re e këtij shekulli që jetojmë, ndërmori reklamimin e vendeve të ndryshme dhe është shkak për gjithë këto udhëtime, të cilat zgjatin pak apo shumë, brenda apo jashtë vendit. Veçanërisht të Dielave dhe të kremtet e Kishës, shpejt e shpejt herët në mengjes, turma të tëra njerëzish dalin nga qytetet që të adhurojnë natyrën dhe jo Krijuesin e natyrës. Një adhurim i natyrës si prej kafshe, pa asnjë lidhje me botën shpirtërore, një adhurim natyre që infekton gjithçka, akoma dhe ato instituctionet dhe faltoret e shënjta, si p.sh. manastiret, të cilat u ndërtuan me qëllim që t’a ngrehin lart njeriun, lart tek Perëndia. Shtyhen në rradhë nëpër agjencitë e biletave. Me fat konsiderohet ai që mundet të sigurojë në kohë biletë dhe të sigurojë një vend udhëtimi. Do të kalojë një udhëtim të këndëshëm, do të shplodhet dhe argëtohet, dhe kështu do të ripërtërijë vehten duke marrë forca të reja!

Edhe në Hënë!

Udhëtojnë pra turistët. Udhëtojnë nëpër të gjitha gjërësitë dhe gjatësitë gjeografike. Por tani, njerëzit duke mos u mjaftuar me udhëtimet tokësore filluan t’a zgjerojnë këtë maninë e tyre për të udhëtuar përtej rruzullit tokësor. Udhëton njerëzimi për në Hënë dhe po planifikon udhëtime edhe nëpër yje të tjera. Por për udhëtime të tilla nevojiten mjete të reja transporti dhe komunikimi, raketa të pajisura me mjete të veçanta të cilat shkenca i quan anije kozmike. Edhe nëse supozojmë se njeriu do të arrijë të shkojë edhe në yjet më të largëta, ju pyes pra – çfarë dobi shpirtërore do të sjellë kjo gjë?! Edhe sikur njeriu të arrijë të udhëtojë lirshëm në hapësirë, as atëhere nuk do të jetë më afër Perëndisë sesa është tani që gjendet këtu në tokë. Qielli që shohim me sytë tanë fizikë nuk është gjë tjetër veçse një hije e thjeshtë, një pamje e atij qiellit tjetër, e qiellit shpirtëror, një imazh i botës së palëndëshme. Drejt asaj bote, n’a thërresin t’a drejtojmë vëmendjen Shkrimet e Shënjta, dëshmia e të cilave duhet të konsiderohet, në mënyrë të pakrahasueshme, si më e besueshme dhe më e sigurt sesa dëshmia e pesë shqisave tona, më e besueshme dhe e padyshimtë sesa dëshmia e mikroskopëve, teleskopëve, televizorëve, radiove, radarëve dhe çfarëdo lloj mjeti tjetër surprizues të shekullit tonë.

U hap udha drejt qiejve

Drejt këtij qielli pra thërritemi. Në atë qiell i pari që u ngjit ishte Jisu Krishti. Gjatë ditës së lavdishme të Ngjitjes në Qiell (Shestet) Krishti u ngrit në Qiell, u nda trupërisht prej Apostojve të Tij duke i bekuar, këmbët e Tij nuk shkelnin më mbi dhe’, dhe u çua lart në Qiell, ashtu siç shkruan Ungjillori Lluka kur përshkruan këtë ngjarje mbinatyrore (Lluk.24:51). Ëngjëjt të habitur shohin këtë pamje dhe pyesin Ëngjëjt e tjerë që shoqëronin Zotin gjatë udhëtimit të tij triumfues: “kush është ky mbret i lavdishëm?”. Dhe marrin përgjigjen “Zoti i forcave qiellore, Ai është ky mbret i lavdishëm (Psalm.23:10). Kishin arësye ëngjëjt të çuditeshin, sepse, ashtu siç shënon dhe Shën Athanasi i Madh, shihnin një njeri të ngjitet në qiell. Ata e dinin fort mirë që pas mëkatit të parë dyert e Parajsës ishin të mbyllura për këdo njeri. Por Jisu Krishti, me vojtjet e Tij Hyjnore, me vdekjen mbi kryq dhe ngjalljen e Tij, duke qënë njeri dhe Perëndi njëkohësisht, hapi dhe inaguroi udhën drejt qiejve. Që atëhere të gjithë besimtarët që u pagëzuan dhe rrojnë sipas dëshirës së Zotit, duke qënë në jetën e tanishme njëkohësisht gjenden edhe lart, në udhën që të çon pa rrezik dhe me siguri drejt qiejve. Për ta vdekja është një episod i udhëtimit të tyre në këtë botë, është si porta e një treni, e cila me porosi nga lart hapet në një stacion të caktuar dhe ja përpara udhëtarëve shfaqet një qytet plot dritë, një botë plot dritë, gëzim dhe dëfrim, shfaqet përpara syve të tyre një botë plot çudi të paimagjinueshme dhe të kënaqëshme. Ata janë “të fjeturit më Zotin”, të cilët pikërisht për këtë arësye u quajtën “të lumëruar”, të lumtur pra, sipas zërit që dëgjoi në Zbulesa nxënësi i dashur i Zotit, ungjillori Joan (Zbulesa 14:13).
Është dhe dikush tjetër që – duke rrojtur akoma në këtë botë – u vlerësua të udhëtojë në botën qiellore, të ngjitet deri në qiellin e tretë dhe pastaj të zbresë përsëri mbi dhe’, për të vazhduar betejat e tij me akoma më tepër zell dhe forcë. Ky njeri i mbajti të gjalla deri në vdekje kujtimet e atyre pak momenteve që jetoi në atë botë, atë botë që Shkrimi i Shënjtë shrpeh me një fjalë tepër konçize, me fjalën parajsë. Kush pra është ky që u vlerësua të bëjë një udhëtim në parajsë duke qënë akoma në këtë botë? Është Apostoll Pavli (Let. II Korinth. 12:1-5). -O Apostoll i shënjtë Pavël – udhëtove pra në qietjë dhe u ktheve! Ja, po të vijmë pranë duke të rrethuar. Kemi etje për dije, duam të mësojmë të rejat që n’a sjell. Duam të n’a thuash çfarë pe dhe çfarë dëgjove në atë botë. Dhe Apostoll Pavli n’a përgjigjet.
-Vëllezërit e mij, ato që pashë në atë botë janë të pamundura të shprehen nga gjuha njerëzore. Por kurrë mos kini dyshim për ekzistencën e asaj bote. Dhe për sa kohë gjendeni në këtë jetë mos i lini ditët e jetës suaj të shkojnë kot dhe pa asnjë frut, por luftoni betejën tuaj shpirtërore të besës dhe virtytit, që të jetë e sigurt hyrja juaj në atë botë, përpara së cilës zbehen dhe zhduken të gjitha bukuritë e kësaj bote ku çdo gjë kalbet dhe prishet.

A po bëhemi gati?

Udhëtim në qiejtë! Vëllezër, a e mendojmë këtë gjë? Kur dikush do të bëjë një udhëtim fillon me kohë të përgatitet në mënyrë që të mos gjendet i papërgatitur minutën e fundit. Kur tani, bëhet fjalë për undhëtim në qiejtë, çfarë mendojmë, për çfarë përkujdesemi dhe çfarë parapërgatitje bëhet?! Këtu, në këtë pikë pra, mendoj se është shumë e përshtatshme për t’u treguar anekdota e mëposhtëme. Një mbret në lashtësi kishte në oborret e tij shumë xhole (shakaxhinj), të cilët e argëtonin me marrëzitë e tyre komike gjatë kohës që ai hante vaftet e ndryshme. Një ditë, i thotë mbreti njërit prej tyre duke i dhënë një shkop: -Merre këtë shkop dhe ruaje, kur të gjesh dikë që është më idiot se ty, atij t’ia japësh… Që atëherë kaluan shumë vite. Vjen koha dhe mbreti sëmuret, është gati të vdesë. Midis të tjerëve që erdhën t’a vizitonin vjen dhe komiku që i dha shkopin. Të qeshura dhe gajasje nuk dëgjohen më nëpër kopshtet dhe sallonat e oborrit mbretëror. Shakaxhiu hyn në dhomën e mbretit, dhe atje bëhet ky dialog midis mbretit dhe tij. -Më duket se po shkoj për rrugë. -Ku po shkoni madhëri? -Shumë larg. -Do të ktheheni shpejt, madhëri? Ndofta për një muaj? -Jo. -Për ndonjë vit? -Jo. -Atëhere kur do të ktheheni madhëri? -Kurrë më. -Kurrë? Jeni përgatitur pra për një udhëtim të tillë? -Hiç fare s’jam përgatitur. -Domethënë po shkoni për gjithmonë dhe nuk jeni përgatitur fare? E tmerrëshme! Atëhere, madhëri, merreni këtë shkop që m’a dhatë dikur me porosi të caktuar, sepse më së fundi gjeta dikë që është më idiot se unë. Dhe ky… jini ju madhëri!
Me të vërtetë i pamëndt është ai që nuk mendon realitetin e vdekjes. Kushdo që ka qoftë dhe gjurmët më të lehta të llogjikës dhe të gjykimit të drejtë në mendjen e vet, duhet të mendohet, bile të mendohet çdo ditë, për atë udhëtim, dhe të mos i ngjasë mbretit të marrë të tregimit të mësipërm (ashtu si dhe i pasuri i pamëndt në paravolinë e Ungjillit – shih pas Llukait 12:16-20), i cili e kalonte kohën e jetës së tij, që është thesar i paçmuar, me të qeshura dhe gajasje, pa e shkuar fare ndër mënd jetën përtej varrit. Jetonte i marri, si bagëtia që kullot me kokën poshtë, si derrat e qelbur që e mbajnë kokën gjithnjë poshtë në tokë, poshtë në llucë, dhe vetëm një herë e ngrehin kokën lart, drejt qiellit. Kur e ngrehin kokën lart? Kur i shpien në therrtore, dhe atje i kthejnë me këmbët përpjetë dhe thika e kasapit është gati t’u hyjë tej për tej. Njeriu pra i llogjikshëm, njeriu me mënd do të mendohet dhe do të parapërgatitet për udhëtimin e tij në qiell.

Një pamje shprehëse dhe e gjallë

Në Malin e Shënjtë, gjatë shekullit të 19-të, ishte një asket në shpellën e Shën Athanasit, themeluesit dhe ndërtuesit të manastirit të shënjtë të Lavrës së Madhe, një ieromonah që quhej Hariton (theksi tek i-ja). Ky asket, duke marrë për bazë siç duket një dorëshkrim të lashtë, botoi një broshurë të vogël me titull: “Udhëtimi në Qiejt”. Ky shkrim përshkruante me gjuhë simbolike udhëtimin, daljen e shpirtit nga trupi, nisjen për në atdheun e përjetëshëm, dhe i nxiste pasagjerët e ardhshëm të siguronin biletë dhe të ishin gati. Në fund të shkrimit botoi dhe një recetë të cilën e quajti “Infermieria”; me këtë recetë, ashtu siç shkruan dhe vetë, mund të gatitet një ilaç për çfarëdo sëmundje të shpirtit. Prej këtij ilaçi duhet çdo shpirt besimtari të marrë nga një dozë me “lugën e pendimit dhe zemrës së thyer”. Një kopje të këtij shkrimi i dërgoi shoqatës Orthodhokse të “40 Shënjtorëve” të Kozanit, një kallogjer i cili bënte jetë asketi gjithashtu në Malin e Shënjtë, në manastirin rus të Shën Pandelimonit, i devotshmi at Joasafi, i cili gjithmonë qante dhe vajtonte duke parashikuar tmerret që do të pësojë njerëzimi për shkak të largimit nga udha e Perëndisë. Për hir të përfitimit shpirtëror të lexuesve, po interpretoj më poshtë, me pak fjalë, kuptimin e plotë të këtij shkrimi të rrallë. Vëllezër dhe etër, të dashur lexues! Fundi është pranë. Vdekja, me mijëra mënyra, vjen dhe i merr njerëzit duke i çuar në jetën tjetër. Mjetet e transportit vazhdimisht janë në lëvizje. Shumicë njerëzish transportohen pa pushim. Bëj pyetjen: Kemi prenotuar biletë? Bileta është ndërgjegja e pastër, të cilën dikush e fiton nëpërmjet besës tek Zoti Jisu Krisht, nëpërmjet besës që nuk qëndron e vdekur por vihet në dukje nëpërmjet veprave të pendesës, punëve të shënjtërimit, nëpërmjet jetës dhe veprave më Krishtin. Sipas besës dhe punëve do të jetë dhe vendi që do të rezervojë secili prej nesh për udhëtim. Në një kohë si e sotmja, kur udhëtimet nëpër rruzillin tokësor, përmes detrave apo duke çarë ajrin, nga njëri skaj i tokës në tjetri, janë pjesë e diskutimeve të përditëshme të njerëzimit, po publikojmë më poshtë të gjithë shkrimin, me qëllim që të tërheqim vëmendjen, qoftë edhe vetëm të pak shpirteve, drejt udhëtimit me të vetetë të madh, drejt udhëtimit më surprizues se çdo udhëtim tjetër, drejt udhëtimit të vetëm me gjithë kuptimin e fjalës, drejt udhëtimit që do të n’a çojë prej dheut në qiejtë e vërtetë. Sado e pabesueshme që mund t’iu duket shumë njerëzve, është realiteti, është aktualiteti që vërteton dhe fjala e papërgënjeshtrueshme e Perëndisë, që drejt atje, drejt botës së palëndëshme dhe shpirtërore ecim; sepse “të rrojturit tonë është në qiejt”, jeta jonë pra është në qiejt (Letra e Pavlit në Filipianët.3:20).

Stacion Hekurudhor me destinacion Qiejt

Biletat shiten në “Agjencinë e Besëmirëve”. Për lehtësimin e gjithë atyre që kanë dëshirë të udhëtojnë në Qiejt, vemë në dispozicion, në mënyrë të përmbledhur, informacionin e mëposhtëm.
Nisja – në çdo moment. Mbërritja – Kur të dëshirojë vullneti i Shënjtë i Perëndisë.
Çmimi i biletave: Vendet e kategorisë së Parë (linja ekspres) – Çmimi: Qashtëri, virgjëri dhe martirizim, përmbushje e plotë e virtyteve të Ungjillit të Shënjtë, rregull dhe pastërti shpirti, bindje, shpirt vetëmohimi për hir të Dashurisë Hyjnore. Vendet e kategorisë së Dytë (linja direkt) – Çmimi: Pendim, besim tek Perëndia dhe kryerje e veprave të mira. Lutje, kreshmim dhe lëmoshë. Vendet e kategorisë së Tretë (linja e orarit të zakonshëm) – Çmimi: Mbajtja e porosive të Zotit dhe të Kishës së Tij të Shënjtë, përmbushje dhe zbatim i detyrave ndaj të afërmit (të afërmit sipas konceptit të Ungjillit dhe jo sipas kuptimit të botës). Vendet e kategorisë së Katërt (linjë me vagona të posaçëm) – Çmimi: Pednim në momentet e fundit të jetës; lutje për faljen e mëkatave.

Disa vërejtje

1. Biletë vajtje-ardhje nuk shitet. 2. Vagona të posaçëm për zbavitje dhe argëtim nuk vihen në dispozicion të udhëtarëve. 3. Bileta për fëmijët e vegjël, mëndja e të cilëve është e pastër nga çdo djallëzi dhe e pafajshme, është gratis. Mjafton vetëm t’i përkasin dhe të kenë zënë vend në gjirin e shënjtë të Kishës Orthodhokse. 4. Pasagjerët janë të lutur të mos sjellin asgjë me vehte përveç punëve të tyre të mira, nëse dëshirojnë t’a arrijnë në kohë trenin dhe të mos shkaktojnë vonesa. 5. Në çdo stacion ku ndalon treni pranohen pasagjerë. 6. Çdo biletë duhet të jetë e aprovuar me vulën e shënjtë të Besimit Orthodhoks dhe të Hirit të Shënjtëruar.
Për të shmangur sëmundje dhe epidemi, gjatë udhëtimit pasagjeri duhet të ketë: rrënjë të forta bese, gjethe freskonjëse të shpresës, lule kundërmonjëse të dashurisë, zambakë të pastërtisë së shpirtit dhe zemrës, lule mersinë të përmbajtjes, dhe drurin e Kryqit. Të gjitha këto duhet t’i ketë me vehte pasagjeri dhe t’i lidhë mirë me perin e zemërdashurisë, më pas t’i vendosë me kujdes në kusinë prej balti të lutjes, dhe t’i zjejë në zjarrin e dashurisë, pastaj t’i spërkatë me verën e dëfrimit të shënjtë dhe me ujin e gazuar mineral të thjeshtësisë, dhe në fund t’i hedhë sipër mbulesën e heshtjes. Lere pra o pasagjer këtë gatitje gjatë natës nën dritën e mendimit, dhe pi nga një filxhan çdo mëngjes dhe mbrëmje duke qënë i sigurt që do të shijosh jetë të gjatë dhe plot shëndet.
Që të kalosh doganën dhe të hysh në shtëpinë e Perëndisë, duhet të shtrosh poshtë në valicën e udhëtimit përuljen, sipër saj të shtrosh bindjen dhe mbi to të shtrosh lutjen. Më pas mbushe atë duke shuajtur pasionet dhe mëkatat e tua, dhe pasi të marrësh ombrellën e dashurisë ec me siguri drejt shtëpisë së Perëndisë. Afroju katedrës së rrëfimit dhe paraqit biletën, për aprovimin e të cilës duhet të paguash me frikë gjithçka që kërkohet prej teje. Më tutje merr/përfto vulën e shënjtë nëpërmjet Jisu Krishtit gjatë Eukaristit Hyjnor duke u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Tij të Shënjtë, dhe ec i sigurt dhe i qetë në udhën tënde. Po të përshëndosh ty o pasagjer dhe unë, dhe shpresoj që me mëshirat e pasura të Perëndisë dhe nëpërmjet lutjeve të tua të takohemi përsëri në qiell. Amin.

Infermieria e shpirtit – recetë shpirtërore

Shko dhe këput rrënjën e varfërisë shpirtërore, merr gjethet e durimit dhe përulësisë, dhe lutjen e të sëmurit shpirtërisht, dhe shtypi në havanin e bindjes; më pas t’i sitësh të gjitha këto në mendjen tënde duke përdorur sitën e mendimeve të pastra dhe frutdhënëse; shtjere këtë përbërje në enën e pastruar të shpirtit tënd duke shtuar ujin e dashurisë, dhe poshtë enës ndiz zjarrin e dëshirave të shënjta; pasi t’i zjesh mirë e mirë serviri me sjellje të dalluar shpirtërore, dhe veri në gojë duke përdorur lugën e pendimit dhe zemrës së thyer, dhe mos u kthe kurrë mbrapsht në jetën tënde. Ky është bari mjekësor që shpërndan shumicën e mëkatave.
Në shpellën e Shën Athanasit të Manastirit të Lavrës së Madhe në Malin e Shënjtë,
30 Maj, 1902 Ieromonahu i përulur dhe i varfër shpirtërisht +HARITON
Përktheu nga Greqishtja
Aleksandër Filip Nëndor 2007
I përkushtohet Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë Orthodhokse të Krishtit, ish-Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas, vetë autorit të flaktë të këtij predikimi (dhe shumë veprave të tjerave) AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim të gjithë ne bekimet dhe uratat e tua Hirësi! Me dashuri më Krishtin, Përkthyesi.