Σελίδες

Popull Pinok – Edison Ypi

 
Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë gënjejnë. Oqeani i gënjeshtrave ka mbështjell gjithçka si eteri materien. Nuk i thua dot tjetrit asgjë. Sa të hapësh gojën, tjetri nis e lodh mendjen çfarë gënjeshtre po i thua, dhe me cilën gënjeshtër duhet të përgjigjet. Çfarë deliri. Çfarë llahtari. Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngijnë flokët me xhel, dhe u duket vetja i bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të skaduar. Merimanga e gënjeshtrave ka hyrë në çdo skutë. Hajdutin e bëjnë të ndershëm. Rekomandojnë drogën. Kurvën e shpallin model për tu imituar. Rrugaçin e bëjnë hero. Budallain e quajnë mendimtar. Hajvanin patriot. Injorantin shkrimtar. Të çmendurin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar. Gënjeshtra këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që përmes komunikimeve të mundohesh ta korrektosh. Gënjeshtra e këtushme është gjithpërfshirëse, finale, definitive, totale. Kapilarizimi i gënjeshtrës nga fëmija te buzëvarri, nga më i dituri te më injoranti, nga më mëndjelehti te më mëndjemadhi, dhe gjithë të tjerët, ta kall tmerrin, ta ftoh trurin, ti mpin gjymtyrët, ta fut dëshpërimin, ta nxin ditën, ta helmon jetën. Nuk gënjejnë një herë që ti falësh, apo tre herë që pasi të fjalosesh të mirkuptohesh. Gënjejnë pafundësisht herë. Gënjejnë kur flasin. Gënjejnë kur pyesin. Gënjejnë kur përgjigjen. Gënjejnë kur rrinë. Gënjejnë kur lëvizin. Gënjejnë kur hanë. Gënjejnë kur flenë. Gënjejnë kur ëndërrojnë. Gënjejnë kur dashurojnë. Gënjejnë kur urrejnë. Nuk gënjejnë më të rrallë, pa të keq, se ashtu e kanë tipin, të atillë e kanë vesin. Gënjejnë gjith kohën. Gënjenin dje, gënjejnë sot, do gënjejnë nesër, do gënjejnë deri ditën e fundit, deri frymën e fundit. Nuk gënjejnë bukur, nuk gënjejnë këndshëm, që të mendosh se gënjejnë për humor apo për të alternuar bisedën që të largojnë monotoninë, mërzitjen. Gënjejnë dosido. Gënjejnë si u vjen doresh. Gënjejnë pa u menduar. Nuk gënjejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Gënjejnë kot. Gënjejnë me instinkt. Gënjejnë pa e ditur pse gënjejnë. Gënjejnë sepse u duket se duhet të gënjejnë. Gënjeshtarët më të qelbët përsërisin vazhdimisht se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra, se gënjeshtra ka bisht, etj. etj. sikur demek gënjeshtra është gjë e gjallë, sikur brenda të vërtetës mbisunduese gënjeshtra është e përkohëshme, janë pohime moralistike rrenacake për të mundësuar të tjera e të tjera gënjeshtra të pafundme. Gënjeshtra e këtyre nuk ka këmbë, duar, bisht, nuk është gjë e gjallë. Gënjeshtra e këtyre është një makineri e skëterrshme që vigjëlon të vërtetën ta gjejë ku e ka nxjerrë kokën t’ja shtypi. Gënjejnë të gjithë pa i lëvizur qerpiku. Pa turp, pa edukatë, pa vetpërmbajtje. Gënjen muhabetçiu, gënjen dyqanxhiu, gënjen nëpunësi, gënjen eprori, gënjen inferiori, gënjen politikani, gënjen deputeti, gënjen ministri, gënjen kryetari, gënjen sekretari, gënjejnë statistikat, gënjejnë deklaratat, gënjejnë konferencat, kongreset gjithashtu gënjejnë, mbledhjet gënjejnë, të gjitha dhe të gjithë veçse gënjejnë dhe gënjehen. Fejsbuku dhe Instagrami që u duk se ishin shpikur për ta kufizuar gënjeshtrën, u dorëzuan para zulmës së pandalëshme gënjeshtare shqiptareske. U bënë vetë ata gënjeshtarët më të mëdhenj që gënjejnë e vetëm gënjejnë, e asgjë tjetër s’bëjnë. Gënjejnë edhe ata që për ti përcjellë me besnikëri gënjeshtrat paguhen, gënjejnë spiunat. Ndoshta kanë të drejtë. Se të spiunosh vetëm gënjeshtra, zor të vejë mendja se mund të ekzistojë e vërteta. Gënjejnë dhe i gënjen inginieri. Gënjejnë dhe i gënjen ustai. Gënjen i sëmuri mjekun. Si pasojë gënjen mjeku të sëmurin. Thotë për mikun e kafenesë, është poet, është shkrimtar, ka kaq e aq vepra, kaq e aq përkthime. Ja pret miku-mikut; është studiues, shkencëtar, historian. Të dy gënjejnë. Të dy janë mbijetuesa grafomanë, pa asnjë talent, pa asnjë ideal. Gënjen kafeneja, gënjen televizori, gënjejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Gënjejnë opinionistat, analistat, kazanistat, që për fakte konsiderojnë çfarë shohin nëpër ëndërra. Rretheqark, vetëm gënjeshtra. Bërtit sa ta tundësh dheun. Ulurit sa të ngresh dallgët e oqeaneve. Grise qiellin duke klithur me turi nga hëna ose nga halja. Gjurmën, hijen, shijen e të vërtetës nuk e gjen dot kurrën e kurrës. As këtu, as atje, as në horizont, as kurrkund. Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta parë a për ta prekur të paktën një grimcë të së vërtetës, për t’ju lutur asaj grimce të të thotë ku është e tëra, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Sapo nis, ndjen se i je futur një aventure. Rrethohesh menjëherë nga gënjeshtra të tjera. Njerëz që gënjejnë nuk mund të dashurojnë, nuk mund të ndërtojnë, nuk mund të përparojnë. Milet rrenacak. Turmë e drunjtë. Popull Pinok.

QËLLIMI I VËRTETË I JETËS SIPAS LEON TOLSTOIT


Sa herë e kemi pyetur veten apo të tjerët mbi qëllimin e jetës sonë? Dhe kush e di se sa herë na duket, sikur ekzistenca jonë vazhdon, pa u drejtuar drejt ndonjë qëllimi të përcaktuar. Si të dalim nga ky qerthull? Pse të mos kërkojmë ndihmë nga Tolstoi, që në ditaret e tij tregon pikërisht se si e ka zgjidhur që në moshë të re këtë problem, dhe se si arriti të zbulojë qëllimin e vërtetë të jetës së tij.
Në një shënim të prillit 1847, 21-vjeçari Tolstoi shkruante: “Ballafaqohem shpesh me pyetjen “Cili është qëllimi i jetës së njeriut?” dhe pa marrë parasysh se çfarë rezultatesh mbërrijnë në mendimet e mia, pa marrë parasysh se çfarë konsideroj unë si burimin e jetës, arrij gjithnjë në përfundimin se qëllimi i ekzistencës sonë njerëzore, është të ofrojmë ndihmë, në nivelet më të larta, për zhvillimin universal të diçkaje që ekziston.
Nëse meditoj mbi natyrën, perceptoj se çdo gjë në të ndodhet në një proces të vazhdueshëm zhvillimi, dhe secila nga pjesët përbërëse të natyrës kontribuon në mënyrë të pandërgjegjshme në zhvillimin e pjesëve të tjera.
Por njeriu, edhe pse bëhet fjalë për një pjesë tjetër të natyrës, ka një ndërgjegje, dhe për këtë arsye është i detyruar, ashtu si pjesët e tjera, të ketë një përdorim të ndërgjegjshëm të aftësive të tij shpirtërore, në përpjekje për të vijuar zhvillimin e gjithçkaje që ekziston.
Nëse meditoj mbi historinë, mendoj se e gjithë raca njerëzore është krijuar për të synuar gjithmonë drejt të njëjtit qëllim. Nëse meditoj mbi arsyen, më kalojnë ndër mendje zgjedhjet shpirtërore të njeriut, zbuloj se shpirti i çdo njeriu ka brenda tij të njëjtën aspiratë të pavetëdijshme, të njëjtën nevojë të domosdoshme shpirtërore.
Nëse meditoj me një sy ndaj historisë së filozofisë, zbuloj kudo dhe gjithmonë, se njerëzit kanë ardhur në përfundim se qëllimi i jetës së njeriut është zhvillimi universal i njerëzimit. Në rast se meditoj me një sy tek teologjia, zbuloj se gati çdo popull është i vetëdijshëm për një ekzistencë të përsosur; dhe qëllimi i njerëzimit është të aspirojë për këtë.
Prandaj unë jam i sigurtë në konsiderimin e qëllimit të ekzistencës sime, një bashkëpunim i vetëdijshëm ndaj zhvillimit universal të çdo gjëje që ekziston. Do të duhej të isha më i pakënaquri ndër të vdekshmit, në qoftë se s’do të mund zbuloja një qëllim të jetës time, dhe një mënyrë që të jetë në të njëjtën kohë universale dhe e dobishme. Pra, nga ky moment e tërë jeta ime, duhet të jetë një përpjekje e vazhdueshme dhe aktive për të arritur këtë qëllim”.
Edhe pse më vonë do të ankohet mbi motivet që e shtynë t’i përkushtohej letërsisë, 5 vitet e ardhshme ishin shumë sfiduese – në fakt Tolstoi, e gjeti veten të zhytur plotësisht në borxhe –por edhe edhe një burim i mirë i rritjes personale, çka e çoi në debutimin si shkrimtar.
Por mbeti në thelb i shqetësuar. Në një shënim në ditarin personal, pak para ditëlindjes së tij të 35-të, Tolstoi parashikon qëllimin e jetës së tij me një ankth në rritje:Për një fare kohe në të kaluarën, jam torturuar nga trishtimi i shpërdorimit të viteve më të mira të jetës sime. Dhe kjo ndodhi deri në momentin kur fillova të mendoj se mund të bëj diçka të mirë. Do të qe interesante të përshkruara rrjedhën e rritjes time morale, por as fjalët dhe as mendimet nuk do të jenë të mjaftueshme për këtë qëllim.
Mendimet e mëdhaja nuk kanë kufij, por kohë më parë shkrimtarët e arritën kufirin e pakapërcyeshëm të mendimeve të tilla. Luajta shah, hëngra supë për darka, dhe tani po shkoj të fle gjumë. Banaliteti i jetës më shqetëson. Është e vërtetë, e ndjej këtë pasi jam meskin, por brenda meje ekziston aftësia për të neveritur veten dhe jetën time.
Ka diçka tek unë që më bën të besoj, se s’kam lindur për të qenë si njerëzit e tjerë… Jam rritur deri në pjekuri, dhe mosha e zhvillimit po kalon, ose ka kaluar tashmë, dhe unë jam i torturuar nga një dëshirë … jo për famën, të cilën nuk e dëshiroj, përkundrazi e përbuz, por nga dëshira për të fituar një ndikim të madh mbi lumturinë dhe të mirat e njerëzimit. A do të më duhet të vdes me një dëshirë të tillë të dëshpëruar?
E kam shumë frikë vanitetin, ndjej aq shumë përçmim për të, saqë nuk pres që kënaqja e kësaj dëshire të më sjellë ndonjë lloj lumturie. Po, kjo është e gjitha drejt së cilës synoj, përndryshe çfarë do të mbetet si një pikënisje? Dashuria dhe miqësia… më sollën lumturinë? Apo ndoshta unë qeshë i pafat?
Vetëm në këtë shpresë, mbështetet çdo dëshirë që kam për të jetuar dhe luftuar. Nëse lumturia dhe një aktivitet i dobishëm do të jenë të mundura, dhe unë e kam një përvojë të tillë, do të isha të paktën në pozitën për të bërë një përdorim më të mire të aftësive të mia. Oh Zot, ki mëshirë për mua!”
Atë vit Tolstoi botoi librin “Fëmijëria”, vëllimin e parë të trilogjisë së tij autobiografike, duke i dhënë kështu udhë rugëtimit të tij si një nga zërat më imagjinativë të njerëzimit. Në jetën e tij të gjatë, pavarësisht krizave ekzistenciale, ai nuk e humbi kurrë, deri në frymën e fundit, ndjenjën e qëllimit në jetë, dhe mori forcë nga dëshira e tij rinore për të çuar përpara zhvillimin universal të njerëzimit.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Të mbrojmë “ushtarin” Sajmir dhe shkrepsja e lagur e Himarës

 
Një gjë tronditëse po ndodh në këtë vend të Çudirave shqiptaro-italiane. Vijnë grupe grupe në Shqipëri vëllezërit italianë me uniforma të Rojeve të Financës dhe bëjnë një super demostrim, në prani të Ministrit të tyre të Brendshëm.
Nxjerrin ca harta të bukura dhe elegante alla italiançe, me gjeneralë me uniforma plot stil dhe fashion dhe na thonë tani, si i themi ne shqiptarçe, “pas pilafit”, që Shqipëria në vitet 2015 dhe në vitin e Vettingut 2016, paska qenë e përmbytur nga Droga dhe plantacionet e “mallit”…
Se paska pasur vetëm 304 plantacione hashashi në vitin e fundit të qeverisë Berisha. Por menjëherë më pas fillon ajo që të gjithë shqiptarët e dinë, po të huajt në Shqipëri nuk e dinin, fillon rritja e jashtëzakonshme e plantacioneve të hashashit kombëtar.
815 plantacione në vitin 2014, pra mbi 250% më shumë, pastaj 1 368 plantacione në vitin 2015, pra mbi 400% më shumë dhe kulmi mbrrin në vitin parazgjedhor 2016, në 2 086 plantacione hashashi të rregjistruara nga ajri, në të gjithë Shqipërinë, ose 7 fish më shumë se në vitin 2013.
E pra italianët folën me shifra, kur hashashi ishte bërë mullar dhe kur kryeministri dilte e thoshte banak më banak, se kjo është një shpfje e opozitës.
Mirëpo ky është vetëm fillimi, ku edhe miqtë italianë, gati të verbër deri dje, kanë edhe ata pjesën e tyre. Lufta kundër hashashit tani kanë dy heronj të rinj, Fatmir Xhafën dhe vetë kryeministrin dhe pas tyre Policinë e Shtetit, që sot ka marrë urdhëra të kundërta.
Duke ja lënë “Sajmes së shkretë”, apo ushtarit besnik Saimir, të gjithë peshën e përgjegjësive të asaj që ndodhi kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht dhe është pikërisht kjo që nuk duhet lejuar.
Tahiri ka një shpresë, të mbrohet mirë dhe të dalë mundësisht i pafajshëm, në gjykatat tona të terrorizuara dje nga pushteti e sot nga vetting.
Porse nuk mund të jetë Saimir Tahiri, përgjegjësi dhe viktima e vetme e një konspiracioni spektakolar, kombëtar dhe ndërkombëtar. Edhe vëllezërit tanë italianë duhet të gjejnë e të zbulojnë “talpat” apo urithët e tyre me uniformë, që kanë patur një bashkëpunim shembullor me uniformat e larta shqiptare.
Rama ndezi ca shkrepse në Himarë, duke prekur një nerv të zbuluar, të hallexhinjve himariotë, por shkrepset duallën të lagura dhe Athina zyrtare e Kotziasit, e la “solo” apo të vetëm, valltarin Rama në tangon e polemikës nacionaliste.
Dhe këtu rrëfehet se Athina zyrtare, ja dashka vërtet të keqen Ramës si politikan dhe ka vendosur ta dënojë me vetmi, duke mos i ardhur lojës që ai e filloi përsëri nga Tirana dhe nga Kuvendi.
Por Rama beson te heshtja e artë e Tahirit dhe Tahiri beson se Rama, do vijojë ta mbrojë deri në fund, si edhe e bëri në pjesën e parë të ndeshjes, me Prokurorinë e krimeve të Rënda.
Por edhe kjo ka një çmim, të cilët italianët duan ta bëjnë të papërballueshëm. Sepse edhe ata, kanë nevojë për politikën e tyre të brendshme, të shënojnë një “sukses” ndaj narko-trafikut shqiptar dhe u kuptua qartë se duan “kokën e Tahirit”, që të shpëtojë pjesa tjetër, e qeverisjes socialiste.
Dhe ata nxorrën faktet dhe provat e rënda të vëzhgimeve të tyre, mbajtur sekret për kaq kohë, në kohën e ish ministrit të brendshëm shqiptar, në Shqipëri është bërë “nami” dhe është mbjellë sikundër e dinim, por nuk e provonim dot, e gjithë ajo drogë e frikshme për nga përmasat…

http://www.oranews.tv/