Πέμπτη, 26 Απριλίου 2018

Dimensioni universal i veprës letrare të shkrimtarit grek Nikos Kazantzakis

Stavri J. DAJO*
Nikos Kazantzakis (1883-1957) është, pa dyshim, një shkrimtar dhe dijetar i madh i shekullit të 20-të. Prozator, poet, publicist, dramaturg, politikan, muzikant, eseist, përkthyes i letërsisë, filozof, studiues, kritik letrar dhe, më së pari, një udhëtar i përjetshëm, la një trashëgimi shpirtërore të vyer dhe një vepër të begatë letrare, poetike dhe përkthimore lexues-ndjellëse. Kualifikohet si shkrimtari bashkëkohor grek më i vlerësuar dhe më i përkthyer, i promovuar në listën e emrave më të shquar të letërsisë botërore.

kazanzaqis
Kazantzakis ka qenë 14 herë kandidat për fitimin e çmimit letrar “Nobel” nga viti 1937-1957 me propozime kryesisht nga organizma ndërkombëtarë, personalitete të lartë të letrave si Albert Kamy (Albert Camus, 1913-1960) por dhe nga vet Akademia e Shkencave e Suedisë dhe e Norvegjisë. Fakti që nuk e fitoi këtë çmim lidhet vetëm me faktorë jashtëletrarë, me mëri tinëzake të kolegëve ose me ndërkëmbje të administratës dhe interesa meskine të grupeve të ndryshme politike të kohës. Megjithatë, mosfitimi nuk zbeh kurrsesi prestigjin e lartë ideoestetik të shkrimtarit. Këtë e dëshmon më së miri romani i tij i mirënjohur Zorba, i cili rreshtohet në 100 librat më të dalluar letrarë të të gjitha kohërave të letërsisë botërore, sipas sondazheve të Qendrës Norvegjeze të Librit (2002).
Kazantzakis u takon autorëve të paktë klasikë botërorë që interesi leximor dhe tregtar i veprës së tyre mbetet dhe sot e gjithë ditën i papakësuar, madje me një përshkallëzim rritës (në kundërvënie me Stendalin apo dhe Herman Hesse p.sh.) dhe si i tillë mbetet aktual dhe aktiv.
Kazantzakis përbën rast unik në historinë e letërsisë botërore: u imponua në opinionin letrar dhe të institucionalizuar të vendit të tij përmes karrierës dhe vlerësimit ndërkombëtar(!) Megjithëse u luftua pa mëshirë dhe për motive të dobëta nga ekstremi i majtë dhe i djathtë politik i kohës, Nikos Kazantzakis dhe vepra e tij triumfoi: sot përbën pasuri shpirtërore për miliona lexues kudo në botë.
Kush ishte Nikos Kazantzakis?
U lind në Irakleio të Kretës dhe vdiq në Frajburg (Freiburg) të Gjermanisë, pas një udhëtimi në Kinë. Vepra e tij nistore evidentohet në vitin 1906, kur autori ishte ende në moshë relativisht të re. Në vitin 1919 kryeministri Eleftherios Venizelos e emëron drejtor të përgjithshëm të Ministrisë së Asistencës Sociale me mision të posaçëm riatdhesimin e grekëve të dëbuar nga Kaukazi pas ndjekjeve dhe spa­strimeve etnike të qeverisë bolshevike. Ishte një përvojë e hidhur të cilën Kazantzakis e shfrytëzon si lëndë të parë për romanin Krishti rikryqëzohet (1954). Për një periudhë të shkurtër u emërua ministër pa Portofol në qeverinë e Sofulis-it (nëntor 1945- janar 1946) dhe më vonë (1947) specialist në UNESCO për gjuhët klasike.
Gjatë gjithë jetës së tij la një numër të madh veprash letrare të të gjitha gjinive dhe zhanreve. Por, megjithatë, kjo pjellori letrare (romane, poezi, studime, përkthime, ese, shënime udhëtimi etj.) nuk cenoi aspak nivelin e lartë cilësor të letërsisë së tij. Sipas një studimi të detajuar të Qendrës Kombëtare të Librit në Athinë -pa qenë mbarështerues dhe i paaktualizuar, me të dhëna deri në 2007- vepra letrare e Nikos Kazantzakis rezulton e përkthyer në 41 gjuhë të huaja. Vendin e parë e zotërojnë botimet në gjermanisht: 64 botime titujsh të ndryshëm, në anglisht 57 tituj, në frëngjisht 43, portugalisht 30, turqisht 22, italisht 13, rusisht 12 etj. Është kontradiktore por statistikisht e saktë: dy fituesit grekë të çmimit letrar “Nobel” Giorgos Seferis (1963) dhe Odiseas Elytis (1979) nuk kanë arritur të kenë këtë dallim ndërkombëtar; i afrohet vetëm poeti Konstantinos Kavafis, i cili është përkthyer në 29 gjuhë ose të folme dialektore. Krahasuar me dy fitues të tjerë të çmimit “Nobel” nga areali ballkanik, Ivo Andriç (1961) Kazantzakis ka shkallë më të lartë vlerësimi ndërkombëtar dhe numër më të madh përkthimesh, por, ndërkaq, me më pak tirazh se shkrimtari nobelist turk Orhan Pamuk (2006), me 11 milion kopje, por i përkthyer vetëm në 20 gjuhë të huaja. Krahasuar me Ismail Kadarenë, i cili ka dhe ai një rrezatim universal (përkthyer në 30-35 gjuhë të huaja ose të folme dialektore) Kazantzakis, rezulton me një epërsi të dukshme statistikore.
Interes të posaçëm paraqet vepra publicistike e Kazantzakis si korrespondent i medias greke të kohës në vende të ndryshme (në mënyrë të veçantë në Spanjë, 1936) me një prurje gazetareske të bollshme dhe të një niveli të lartë kulturor, e kualifikuar dhe me përgjegjësi të madhe qytetare. Kjo letërsi krahasohet me korrespondencat dhe reportazhet më të mira të Ernest Hemingway (Nobel, 1954), si korrespondent i luftës civile po në Spanjë i dërguar nga shtypi amerikan ose për reportazhet gjatë procesit të këmbimit të popullsive të ndërsjella minoritare mes Greqisë dhe Turqisë në Trakë (1922-1924).
Nikos Kazantzakis vijon të klasifikohet në vendin e parë të shkrimtarëve grekë me ndikimin më të madh tek lexuesi, sipas sondazheve të fondacioneve të ndryshme, por edhe studiuesve të huaj, në sajë të universalitetit të veprës së tij dhe predikimeve e ideve të përjetshme që mbart ajo: raporti i njeriut me lirinë (kryemotivi i veprës së tij), i së vërtetës me gënjeshtrën, atdheu dhe njeriu, kombi dhe humanizmi, frika nga vdekja dhe besëtytnitë, etj.
Si temperament (që shpreh dhe brendinë ideore të veprës së tij) Nikos Kazantzakis konsiderohet një nga personalitete më të emancipuara në fushë të letrave në shkallë botërorë, i përplotë dhe i pakompromis në sistemin e tij moral dhe parimor, tolerant dhe i paparagjykuar. Rrjedhimisht, vendi i tij i posaçëm në panteonin e letërsisë botërore është tejet i merituar.
Së fundmi, në Shqipëri Nikos Kazantzakis u botua për herë të parë në vitin 1973, dy vjet pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve (Kapedan Mihali, nga frëngjishtja Enver Fico). Në vitin 1978 u botua në Kosovë Jeta e Zorbës (përkthyer nga serbokroatishtja nga Nazmi Rrahmani). Sot është përkthyer pjesa më e madhe veprës së Nikos Kazantzakis në gjuhën shqipe, me Zorbën në vend të parë (ka tre botime: 1995, 2005, 2017, përkthyer nga origjinali tashmë) i cili ngjalli dhe vijon të ngjallë një interes të lartë dhe të justifikuar ideoestetik. Nikos Kazantzakis është një shkrimtar i dashur për lexuesin shqiptar.
Stavri J. DAJO është Dr. i shkencave historike në Universitetin Aristotelis Thessaloniki.
Share This
Previous Post
Next Post

Εντολήν καινήν σας δίδω, Να αγαπάτε αλλήλους∙ καθώς εγώ σας ηγάπησα, και σεις να αγαπάτε αλλήλους. Εκ τούτου θέλουσι γνωρίσει πάντες ότι είσθε μαθηταί μου, εάν έχητε αγάπην προς αλλήλους. (Ιωάννης, ιγ΄:34--35).---Një porosi të re ju le juve: Të doni njëri-tjetrin, siç ju desha unë dhe ju të doni njëri-tjetrin. Prej kësaj do t'ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin" Joani 13,34-35.

0 comments: