Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Δευτέρα 6 Νοεμβρίου 2017

Bushati në Dervician, Kakavijë dhe Janinë dhe marrëdhëniet me Greqinë

Nga Panajot Barka.

Fundjaven që shkoi Ministri për Evropën dhe Punë të Jashtme Ditmir Bushati, i shoqëruar nga Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro përshkuan një intenerar nga Gjirokastra në Janinë ku patën tre qëndrime për vizita e takime: në Dervician (në minoritetin etnik grek), në pikën e kalimit kufitar me Greqinë, të Kakavijës (midis emigranteve të bllokuar) dhe në Janinë (me emigrantët nga Shqipëria në këtë qytet).
Në kompleksitetin e tyre këto tre stacione, as më shumë e as me pak, shërbyen si një pasqyrë reale të klimës në marrëdhëniet midis dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë, nisur fillimisht nga raporti i qeverisë me minoritetin etnik grek.
Bëhet fjalë për një klimë të renduar, që shpaloset në prag të një takimi të Ministrit Bushati me Homologun grek N. Koxhas në Greqi, me pritshmeri të lartë për marrëdhëniet midis dy vendeve, të paktën sipas Bushatit dhe në momentin kohor që lidhet me nevojën e rinovimit të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis dy vendeve. Pra bëhet fjalë për një cikël të ri përkeqësimi të adresuar kryesisht nga pala shqiptare me inkubator dhe amplifikator medjat dhe si zakonisht me dimesionin antihelenë.  E reja tek ky cikël përkeqësimi nuk qëndron vetem tek fakti se tenton të injektohet tek dimesioni i marrëdhënieve njerëzore midis dy popujve, deri tani të cenuar pak ose aspak, por, për herë të parë po provokon një reagim vertikal dhe horizontal edhe në palën greke, me pikë goditjeje qeverinë shqiptare.
Por lë të analizojmë këtë situatë me pikë referimi tri stacionet e Bushatit në këtë fund jave.
Në Janinë numri i emigrantëve shqiptarë (disa ishin minoritarë grekë) më të cilët u takua Ministri numëroheshin me gishta, kur dihet se në Janinë jetojnë me qindra emigrantë shqiptarë. Ky bojkotimi masiv i Ministrit më shprehës për interesat e emigranteve nuk ka aq lidhje me humbjen e besimit të tyre ndaj politikanëve dhe qeverisjës në Shqipëri. Më shumë është tregues i kundërshtisë së tyre ndaj politikës që ndiqet nga Tirana ndaj Greqisë. Shkurt, një politikë e tillë atyre u prish shumë punë. U prish qetësinë, harmoninë, bashkëpunimin, integrimin, raportët evropiane të shumicës dërmuese të tyre të vendosura me shtetin rezidentë të tyre, Greqinë, gjë për të cilën shumë pak mendohet në Shqipëri.
Aq më e veshtirë bëhet jeta e tyre në Greqi nga çfryrjet nëpër medjat të patriotizmit, anakronik, vulgar e nacionalist antihelenë manipuluar e servirur prej politikës si një alkimi për të tërhequr vemendjen nga problemet e përditshme e të lidhura me gjënë më të thjeshtë, mbijetesën.  Pra kemi një dyzim, ose një përthyerje në qëndrimet shqiptare ndaj Greqisë. Ato qindra mijrat e shqiptarëve që jetojnë në Greqi kërkojnë nga Tirana të zbatojë një politikë miqesie, mirëkuptimi e bashkëpunimi, ndërsa, në kundërshtim frontal me ta, një pjesë e mirë e shqiptarëve në Shqipëri, sidomos opinionbërësit publik, kujtojnë se do të zgjidhin probelemet e brendshme të tyre duke prodhuar e konsumuar antihelenizëm.
Kjo gjë u evidentua me qartë në stacionin e dytë të Ministrit, atë në Kakavi. Të ndodhur  midis shqiptarëve të bllokuar për orë të tëra në kufi tek po udhëtonin për në Greqi, të dy ministrat, Bushati dhe Kumbaro, provuan reagimin e tyre të ashpër. Qytetarët shqiptarë të çliruar nga tutela politike dhe të revoltuar nga bllokimi shumëorësh në kufi, bënin fajtorë qeverinë e tyre për ato orë të mundimshme.
Atyre nuk u interesonte njoftimi zyrtar i palës greke se kufiri u mbyll për shkaqe teknike. Medjat e Tiranës kishin injektuar tek veshi i tyre i revoltës lajmin se vuajtjet e tyre ishin një hakmarrje greke për ngjarjet në Himarë !!! Dhe megjithatë ata kishin një përgjigje. Fajin ia ngarkonin Tiranës. Dhe këtë ia thoshin drejtpërdrejt dhe në sy Ministrit më kopetentë për punët e tyre. Kështu që medjat në Tiranë me hamendesimet e tyre se prapa bllokimit të kufirit nga pala greke kishte arsye politike, nuk bënin gjë tjetër veçse nxisnin nga njëra anë, revoltën ndaj qeverisë së Tiranës tek pjesa e shqiptarëve që kanë lidhur jeten e tyre reale me Greqinë, dhe nga ana tjetër antihelenizmin tek shqiptarët që duan të jetojnë me nacionalizmin e semurë.
Në këtë kendveshtrim, më i vështirë dhe më i komplikuar ishte për Bushatin dhe Kumbaron takimin në fshatin e njohur të minoritetit grek, në Dervician të Gjirokastrës. Ishte mëse e qartë që Bushatit, në prag të takimit informal ose formal me homologun e tij grek, Nikos Koxhas, i duhej një takim i tillë, madje më sa më shumë minoritarë grek të pranishëm dhe sa më shumë entusiast.
Dihet se në bisedimet e pritshme midis tyre çeshtjet e minoritetit dhe të drejtave të tij, ligjit i sapo aprovuar për minoritetet, problemi i pronave në terësi (jo vetëm në Himarë) etj, do të jenë shumë lartë në axhentën e Ministrit të Jashtëm Grek, pasi edhe sikur ai të dojë t’i anashkalojë, nuk mund të injorojë presionin politik opozitar e të opinionit publik grek.
Nga ana tjetër, lideri politik i minoritetit etnik grek në Shqipëri ka kohë që i ka hedhur urat e komunikimit me qeverinë. Ky fakt do të kishte pak rendësi nëse komuniteti i minoritetit etnik grek do të manifestonte një qëndrim ndryshe nga liderri i tij. (Ky në fakt përbënte edhe një nga synimet e Ministrit Bushati në Dervician). Fatkeqësisht, u provua se në minoritet po kthehet në fenomen pa precedent në të shkuarën klima refraktare ndaj qeverisjes.
Dhe nuk është thjeshtë produkt i lojës së kryeministrit që përplaset me Dulen për të rritur kredibilitetin e vet antihelen në mjedisin shqiptar dhe i  Dules që përplaset me Ramën për të rritur aksionet e tij të rena përtokë në minoritet (kur mbetet politikani minoritar me i pavotuar nga ky komunitet). Takimin e bojkotuan të gjithë përfaqësuesit e tjerë të Minoritetit me përjashtim të atyre të PS-së në bashkinë Dropull. Organizatorët, njerëz nga minoriteti grek pranë PS-së e patën të veshtirë t’i bindnin ata për pjesëmarrje. Aq më keq kur vet ata tentuan ta shfrytëzonin situatën për të treguar forcën e tyre politike në këtë bashki, (të pranishëm në takim ishin thjeshtë anëtarë të PS-së në bashkinë e Dropullit) duke e shndërruar kështu praninë e dy ministrave në pjesë të luftës politike në homogjenitetin etnik në Dropull.
Zërat e atyre (midis tyre dhe unë) që kërkojnë që përfaqësuesit e minoritetit duhet  t’i kthehen dialogut konstruktiv me qeverinë dhe qeveria, ashtu si shumica, nuk ka pse manifeston se ka frikë nga një minoritet dhe për këtë duhet ta vendos nën kontroll, po kthehen në minorancë.

Pikënisja për një sitatë të tillë duket se kësaj here është problemi i krijuar në Himarë dhe  aprovimi i ligjit pëer minoritetet. Problemi i promovuar  në Himarë është real, por, fatkeqësisht në qasjen e tij u kap pas majës së aisbergut dhe qëllimshëm në menyrë të njëanshme. Trajtimi i problemit në Himarë si raport i një grupi himariotesh, të deklaruar të etnisë greke dhe i pasurive të tyre me ligjin në kushtet e zbatimit të një pjese të planit rregullues të qendrës historike të Himarës, nuk ka të bëjë aspak me problemin real dhe thelbin e tij këtu.
Po provohet se konflikti për zbatimin e planit rehabilitues në qëndrën historike të Himarës, po merr një zgjidhje administrative shpërblimesh për efekte të interesit publik. Palët politike e përformuan nga pozita nacionaliste, si një përplasje për interesa ernike. Kërkuan nga njëra anë të spostojnë vemendjen dhe të fshehin krimin e madhë, që nën përgjegjësinë e tyre direkte ka ndodhur dhe po ndodh në Himarë për vite më radhë. (Vihet lehtësisht re se faktorët e lartë politikë të mpleksur në problemin e Himarës tregojnë se kanë nxjerrë shpatat kundër njeri tjetrit.
Deklarojnë se kanë dokumenta shumë të renda faji ndaj njeri tjetrit, por kërcenimet arrijnë deri në vijat e kuqe të kompromisit për të ruajtur njëri tjetrin nga përgjegësitë penale) Nga ana tjetër, promovimi i problemit si antihelenizëm nga palët politike, në llogore pro dhe kundra, synon, margjinalizimin e elementit grek në Himarë, sfumimin në emër të patriotizmit të reagimit të komunitetit më të gjerë himariot dhe shoqëror për aq sa ndodhin në Himarë, për të krijuar kështu terrenin e duhur parasë së pistë dhe krimit të organizuar për ta kryer “këtë mision” me fanelë  patriotike.
Pra, shihet qartë se në përkeqësimin e marrëdhënieve me Greqinë po shkohet larg dhe pak mendohet për normalizimin e tyre. Dhe me keq, një situatë e tillë pengon dhe ngushton përditë mundësitë e kthimit pas. FUND

Δεν υπάρχουν σχόλια: