Ka
një reagim emocional por edhe të llogaritur nga akrobatë të njohur të
protagonizmit mediatik shqiptar, pas deklaratave të presidentit grek,
Prokopis Pavlopoulos për çështjen çame. Siç raportoi së pari ResPublica,
Pavlopoulos I bëri këto deklarata në një vizitë pranë shtabit të
ushtrisë greke në Larisa ku u shpreh se çështja çame nuk ekziston dhe se
çamët bashkëpunuan me nazistët.
Te ky qëndrim konstant i Greqisë mund të dallojmë disa gjëra.
Së pari se Greqia është serioze me historinë e saj të afërt të cilën e
respekton atë - ashtu siç e kupton- përtej dallimeve politike. Është
tjetër punë vërtetësia historike e një teze, për sa kohë që kur një
poitikan grek akuzon një komunitet për bashkëpunim me nazistët, përveçse
luan me stereotipet, në thelb i përmbahet një qëndrimi etik për
historinë e vendit.
Në analogji, në Shqipëri nuk dihet mirë se çfarë qëndrimi ka njëra
palë apo tjetra për Luftën e Dytë Botërore dhe nuk dihet nëse historia
politike e këtij vendi udhëhiqet nga ndonjë korpus normash që përputhen
me rendin ndërkombëtar të pasluftës. Për ta sqaruar më mirë, nëse
diskutimi për çështjen çame do të kalojë në debat historik mes të dyja
vendeve, është e udhës që nga Shqipëria të sqarohet se cili është
qëndrimi i saj për sa i përket LIIB dhe bashkëpunëtorëve. Kjo sepse pas
vitit 1990 kjo konstante është vënë në diskutim seriozisht.
Së dyti aty dallojmë një këmbëngulje për ngjarje për të cilat duhen
hedhur dritë. Greqia nuk e ka akuzuar kurrë Shqipërinë për represion
ndaj minoritetit grek në Shqipëri, por në fakt akuzon vazhdimisht
shqiptarët e Çamërisë si bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës në masakra, duke
synuar të delegjitimojë çdo kërkesë shqiptare.
Në fakt z. Pavlopoulos i përket një brezi që pikërisht këtë do thotë,
pasi shkëputja nga ngarkesat historike kërkon kohë. Por këtu çështja
për aq sa i takon Shqipërisë nuk është kjo, por mungesa e seriozitetit
në përgjigje ndaj një teze që duket se është e palëkundur në Athinë. Le
të vëmë në dukje paradoksin e madh që ndodh te ne: nga njëra anë kemi
mosbesim absolut për insititucionet dhe politikën tonë, nga ana tjetër
mesatarja e informimit për çështjen çame janë deklaratat e politikanëve
apo ndonjë shkrim në media që thjesht bën tym.
Në këtë kuadër edhe mungesa e reagimit politik dhe institucional në
Shqipëri, pas deklaratës së fundit të presidentit grek, flet më shumë
sesa teatri i kaçaflaqëve që duan të shfaqen si agjitatorë flamujsh.
Këtu është e udhës që akuza greke të skualifikohet me fakte historike
dhe jo me teza histerike, që nuk i hyjnë kujt në punë. Do të duhet të
pranojmë po ashtu se çamë që kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve ka
patur, pasi ky ka qenë fenomen i përgjithshëm, ndonëse duhet sqaruar
terreni historiografik për arsyet dhe motivet e vrasjeve dhe dhunës së
ushtruar.
Ky është një shteg në të cilin në Shqipëri askush nuk po do të
kalojë, sa kohë që për çështjen çame flitet me nuancën e një kauze
antigreke, më shumë sesa për një projekt që synon vendosjen në vend të
drejtësisë, por ama edhe pranimit të përgjegjësive.
Për një grek duket se është e lehtë që të asociojë shqiptarin me një
të keqe historike. Një herë më osmanët, siç rrëfente edhe Konica e së
fundmi edhe me nazistët apo me larminë e kreativitetit të emigrantëve.
Por sidoqoftë problemi qëndron te raporti ynë me historinë përveç se
te loja greke dhe kjo mund të shihet te fakti sesi tallemi vetë me LIIB
apo Luftën Nacionalçlirimtare, njëherë e glorifikuar e mandej e
përbaltur. Dhe një shoqëri që nuk ka qëndrueshmëri apo ndershmëri me
veten në rreshtimin historik, nuk arrin që bindjet dhe emocionet apo
idetë e një kohe për të drejtën dhe të mirën t’i kthejë në norma
referuese dhe orientuese. Nga kjo pikëpamje për një shqiptar të rritur
në vitet e tranzicionit mbetet i pakuptueshëm, në mos dredharak dhe i
lig ky “sentimentalizmi” grek për kohën e nazizmit dhe çamët pse jeta
dhe formimi ynë ndahet mes një kohe ku të gjithë këndonim këngë
partizane dhe një tjetre kur gjuanim me gurë dhe pshurrnim në lapidarë.
Siigurisht që çështja çame ekziston, do apo nuk do presidenti grek.
Por që palët të arrijnë të mirëkuptojnë pozicionet reciproke, pra të
lehtësojnë apo fusin në shteg objektiv zgjidhjen, kërkohet patjetër më
shumë punë në zbardhjen e historisë dhe edukimin me të vërtetat e saj.
Përndryshe parti politike dhe ahengxhinj mediash ka plot dhe madje nuk
mbarojnë.
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου