Τετάρτη 10 Ιουλίου 2019

Qeveria e re greke dhe Shqipëria

Jordan Jorgji - Specialist i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikës së Jashtme

Ashtu siç pritej, Qirjako Micotaqis është Kryeministri i ri i vendit fqinj, Greqisë. Vota paraprake e fitores u pa në zgjedhjet e Parlamentit Evropian një muaj më parë, ku diferenca midis partisë fituese, Nea Dhimokratias dhe Sirizës, u mbyll në 9.37%.
 Edhe pse në zgjedhjet e përgjithshme këtë muaj, diferenca u ngushtua në 8.32%, Nea Dhimokratia arriti të fitojë shumicën e padiskutueshme në Parlament, atë që në gjuhën greke (dhe që nuk përkthehet lehtësisht në shqip) quhet “aftodhinamia” ose kapaciteti për të formuar vetë qeverinë. Zhgënjimi i qytetarëve grekë ishte aq i madh saqë ata mezi prisnin ndëshkimin e Ciprasit dhe qeverisë së tij për shkak të disa prej qëndrimeve zyrtare që u shfaqën gjatë 4 vjeçarit që lamë pas. Të tilla ishin dakordësia për çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut, vazhdimi i marrëveshjeve me kreditorët, rritja e taksave, poshtërimi i shtresës së mesme, vija tolerante ndaj imigrantëve dhe refugjatëve, si dhe bajatizimi i populizmit eurocentrik. 

Megjithatë, ajo që na intereson më shumë – paralelisht me paqen dhe stabilitetin rajonal – janë marrëdhëniet që Greqia e Micotaqit do të zhvillojë me vendin tonë. Në terma specifike, kjo nuk mund të jetë qartësisht e parashikueshme dhe do të varet nga balanca e fuqisë në rajon, nga marrëdhëniet që SHBA-të ruajnë me Greqinë dhe Turqinë, si dhe nga marrëdhëniet e Tiranës me Ankaranë. 
Në terma të përgjithshme mund të thuhet se me qeverinë e re konservatore të Greqisë, Tirana do ta ketë më të vështirë të gjejë zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare në marrëdhëniet dypalëshe. Kjo për të paktën dy arsye themelore. 

Së pari, pjesë përbërëse e Nea Dhimokratias ka qenë dhe vazhdon të jetë krahu patriotiko-nacionalist, zëri i të cilit mund të bëhet më i dëgjueshëm sot kur partia e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, nuk është më e përfaqësuar në Parlamentin grek (paradoksialisht u votua të përfaqësojë vendin në Parlamentin Evropian!). 
Krahu tjetër i rëndësishëm i Nea Dhimokratias, ai liberal, nuk do të jetë në gjendje të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë për sa kohë që këto nuk i sjellin fitime ndjeshmërisht të larta ekonomisë greke. Gjithashtu, mbyllja e çështjes së emrit me fqinjin verior e shkëput disi Athinën nga varësia që ajo kishte më parë prej faktorit shqiptar atje – si pasojë edhe nga nevoja për të rregulluar marrëdhëniet me Tiranën dhe Prishtinën zyrtare. 

Së dyti, mungesa e stabilitetit politik, ekonomik dhe shoqëror të Republikës së Shqipërisë, i përkeqësuar kohët e fundit për shkak të krizës politiko-konstitucionale, e ngurtëson disstancën midis dy shteteve, duke çuar në rritjen e shqetësimit që Athina ruan për të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. 

Ajo që mund të thuhet me siguri është që Shqipëria ka humbur një rast të artë për të gjetur rrugën e përbashkët të zgjidhjes së problemeve me qeverinë e majtë (ndonëse populiste) të Aleksis Cipras. Diplomacia deri diku amatoreske e Tiranës dështoi të shfrytëzojë klimën e përshtatshme për të ardhur sa më shpejt në dakordësi me ish-ministrin e Jashtëm grek, profesorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Nikos Kotzias, për shkak se politika shqiptare nuk mund të mos rrinte pa futur hundët në të, shpesh herë për konsum të brendshëm politik. 
Këndvështrimi i atëherëshëm grek për të zgjidhur të gjitha problemet me Shqipërinë në një paketë të vetme – propozim që i interesonte mjaftueshëm palës shqiptare – duket se nuk do të përsëritet nga qeveria aktuale e Micotaqit, e cila i mëshon zgjidhjes një e nga një të çështjeve. Për më shumë, ndjeshmëria për të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri do të jetë më e madhe tani sesa në periudhën e Ciprasit (koincidon që origjina e ministrit të ri të Jashtëm Grek, Nikos Dhendhias të jetë nga Himara). Gjatë qeverisjes së Sirizës mund të ishin shmangur incidentet e pakuptimta të prishjes së kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, të shtëpive në Himarë, ose të ishte menaxhuar më me kujdes e profesionalizëm rasti i Kacifës në Bularat. 
Megjithatë, koha ikën dhe nuk mund të kthehet më prapa. Ajo që në të ardhmen e afërt nevojitet të ndiqet nga qeveria shqiptare, sigurisht pasi vendi të rikthehet në normalitetin konstitucional, politik e shoqëror të tij, është që të ndërtohet një strategji e qartë dhe racionale e Politikës së Jashtme në raport me fqinjët, e pranuar nga i gjithë spektri politik parlamentar shqiptar. 
Një strategji e pakontestuar si “vijë tradhtare” nga ana e opozitës apo e çdo opozite; e filtruar me kujdes nga mendësi që janë në kontakt të vazhdueshëm me zhvillimet rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare; dhe e pastruar prej anakronizmave të miteve dhe ndjeshmërive irracionale. E thënë me fjalë më të thjeshta, stabiliteti politik i vendit duhet të shoqërohet gradualisht me ndërmarrje kurajoze të nismave që kontribuojnë në ndërtimin e besimit të ndërsjellët midis Shqipërisë dhe Greqisë, me qëllim që më pas të kalohet në mënyrë të kujdesshme në shtrëngim duarsh.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1417) Αλβανία (904) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (373) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (311) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (277) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (251) Β Ήπειρος (238) ορθοδοξία-orthodhoksia (231) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά-Korçë (118) Κορυτσά Β Ήπειρος (103) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (75) διωγμοί - përndjekje (60) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (56) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) ανθελληνισμός (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) πολιτισμός - kulturë (43) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (42) besimi orthodhoks (40) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (39) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (37) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (34) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (23) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) πολιτική-politikë (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)