Παρασκευή 26 Ιανουαρίου 2018

Disa mite për luftën italo- greke dhe varrezat e ushtarëve grekë – Gazeta Tema



 
Nga Mero Baze
Ka një vëmendje më të madhe seç meriton boshatisja e një varreze të ushtarëve grekë në Sajmolë, një fushë e vogël buzë Vjosës, në Grykën e Këlcyrës. Dhe bashkë me këtë vëmendje të shtuar, ka dhë një reaksion politik, të adresuar qartë kundër kësaj historie.
Së pari, në Sajmol nuk po gjenden eshtra ushtarësh. Ky mit duhet të bjerë dhe nuk duhet të përmendet në shtyp si i tillë. Në atë vend që po gërmohet në Sajmol, është një varrezë e ushtarëve të vrarë grekë, ruajtur prej vitit 1941. E kemi pasur atë varrezë. Askush nuk e ka punuar atë tokë në gati tetëdhjetë vjet. As në komunizëm, as pas komunizmit nuk e ka lëvizur njeri kryqin. Pra, nuk kemi të bëjmë me kërkim varresh, por me boshatisjen e një varreze, për t’i çuar trupat në një varrezë të sistemuar 3 km më tutje, pranë Kishës së Shën Kollit, po në Grykën e Këlcyrës.
Në atë vend mbi rrugën kryesore ka pas dhe ushtarë të varrosur italianë, të cilët janë hequr në vitet gjashtëdhjetë, dhe nuk ka vend për spekulime. Medalione ushtarësh italianë dhe grekë ka gjithë fusha, sa herë e punon traktori, ashtu siç ka krehër fishekësh grekë dhe italianë në çdo qoshe shtëpish të vjetra.
Fusha e vogël e Sajmolës gjendet mes malit Golik dhe Shëndelli, ku janë shkatërruar batalionet “Lupi di Toskani” dhe “Julia” e italianëve, si dhe forcat greke të batalionit të Kretës dhe të Kallpaqit. As italianët dhe as grekët nuk kanë mundur dot t’i varrosin shumicën e  të vrarëve. Biles grekët shumë më pak se italianët. Tragjike është se shumica  e tyre mbetën në faqet e maleve ku janë vrarë, dhe kanë humbur në vite aty.
Gianni Granzotto, një ish- ushtar italian, gazetar dhe autor librash, që në vitet tetëdhjetë ishte president i ANSA-s në Itali, ka ardhur në vitin 1984 në Sajmolë dhe në Peshtan, aty ku është bërë beteja. Siç e përshkruan në librin e tij, “Vjosa ime e dashur”, tregon se si buzë rrugës në Peshtan takoi një bari dhe e pyeti: “A ka më të vrarë në Golik, që janë pa varrosur?”
-Ka, i ishte përgjigjur me vrazhdësi të natyrshme bariu. Sa herë shkrin dëbora, rrëshqasin poshtë rrungajave.
-Të lutem, mbulojini aty ku janë. Goliku ishte dhe mali i tyre.
Është në një farë mënyre një ndjenjë njerëzore të respektojmë dikë që jeta e ka përplasur të vdesë në malet tona, pavarësisht politikave të mbrapshta që e kanë sjellë aty.
Histeria ndaj zhvarrosjes së disa kufomave të ruajtura, është teprim dhe tejkalon problemet që shoqërojnë këtë histori, ku Shqipëria dhe shqiptarët janë viktima të një lufte që nuk ishte e tyre.
Dhe duhet të jemi realist, të pranojmë se shqiptarët kanë qenë më shumë me grekët në këtë luftë, kur ata ishin gjallë, dhe është e tepërt të bëjnë si anti-grekë tani me disa të vdekur. Për më tepër që mburremi dhe e kemi argument kundër ligjit të luftës, se disa nga kompanitë dhe batalioni shqiptar “Tomori”, dezertuan nga lufta.
Së dyti, duhet të jemi realistë dhe për konceptin e luftës italo- greke që preku Shqipërinë. Ne ishim “fronti shqiptar” i luftës italo- greke, pasi Italia, pas sulmit më 28 tetor 1940 kundër Greqisë, nuk e përballoi dot ofensivën greke dhe u tërhoq nga Greqia në territorin shqiptar në janar 1941, duke u kthyer nga vend pushtues, në një vend që u pushtua nga Greqia (në këtë rast si territor italian, pasi ne ishim të pushtuar nga Italia). Prandaj, kur i trajtojmë grekët si pushtues më 1940-1941, duhet të jemi të kujdesshëm të përdorim një kriter. Nëse ne themi se duhet hequr ligji i luftës, pasi ne nuk sulmuam Greqinë, por e sulmoi Italia, atëhere as nuk mund të themi që na pushtoi Greqia, pasi kemi qenë të pushtuar nga Italia. Ajo që disa quajnë pushtim grek, është se Greqia, disa muaj nga janari deri në prill, e vuri para ushtrinë italiane, duke e detyruar të tërhiqet në brendësi të territorit tonë, nga Kurveleshi, në Berat dhe deri Kolonjë, Korçë e Pogradec.
Dhe po të mos futej ushtria gjermane nga Bullgaria në Selanik dhe të pushtonte Greqinë, ne mund të kishim një histori dhe më të rëndë nga kjo luftë. Por pushtimi i Greqisë nga Gjermania, bëri që Greqia të dorëzohej dhe ushtria italiane marshoi sërish drejt Greqisë, tashmë si “fitimtare” ndaj një ushtrie që dikush tjetër ja kishte lidhur duart.
Së treti, problemi i varrezave greke në Shqipëri është një vendim i shtrirë në kohë nga së paku 12 qeveri shqiptare prej vitit 1987, dhe është një vendim ku pala shqiptare thjesht ka rezistuar apo toleruar, në varësi të halleve të tjera që ka pasur me Greqinë, por kurrë nuk është marrë seriozisht me thelbin e problemit. Çdo ushtar i vrarë në Shqipëri meriton të ketë një varrezë, dhe një të tillë e meritonin dhe ushtarët grekë, derisa e kanë ushtarët gjermanë, anglezë apo francezë.
Ajo që është e ndjeshme për opinionin, është konceptimi i këtyre varrezave si masive, dhe vendosja e tyre gjeografike në një nga kufijtë e pretendimeve historike të Greqisë. E vërteta është se këto varreza janë simbolike, pasi ato nuk kanë brenda tyre as 5 për qind të ushtarëve grekë të vrarë në Shqipëri, të cilët kanë mbetur maleve pa adresë dhe të paidentifikuar, pasi në tërësi ishte një ushtri sulmuese, që kishte mobilizar dhe vullnetarë. Vendshtrirja e tyre gjeografike nga Bularati në Këlcyrë, dhe më tej drejt juglindjes, është një fitore e politikës greke ndaj asaj shqiptare, firmosur së fundi nga qeveria “Berisha”, dhe që Edi Rama po e shkëmben me heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Pra, po i merr diçka për një gjë që ua kishim dhënë. Kaq është çmimi politik.
Histeria ndaj zhvarrimeve apo gjetjes së ushtarëve të vrarë në Shqipëri, nuk është një gjest që na nderon. Sidomos kur bëhemi “luanë” me të vdekurit dhe pula me të gjallët.

Δεν υπάρχουν σχόλια:

Ενισχύστε οικονομικά την προσπάθεια μας!

Ετικέτες

ενημέρωση (2161) ενημέρωση-informacion (1417) Αλβανία (904) ορθοδοξία (422) ιστορία-historia (373) Εθνική Ελληνική Μειονότητα (366) ελληνοαλβανικές σχέσεις (311) ορθόδοξη πίστη - besimi orthodhoks (277) Εθνική Ελληνική Μειονότητα - Minoriteti Etnik Grek (251) Β Ήπειρος (238) ορθοδοξία-orthodhoksia (231) ορθόδοξη πίστη (222) εθνικισμός (195) διωγμοί (162) τσάμηδες (122) shqip (119) Κορυτσά-Korçë (118) Κορυτσά Β Ήπειρος (103) informacion (100) Αρχιεπίσκοπος Αναστάσιος (97) ορθόδοξη ζωή (96) ορθόδοξη ζωή- jeta orthodhokse (75) διωγμοί - përndjekje (60) ορθόδοξο βίωμα (59) εθνικισμός-nacionalizmi (56) ορθόδοξη εκκλησία της Αλβανίας (55) Ελλάδα-Αλβανία (48) ανθελληνισμός (44) Ελληνικό Σχολείο Όμηρος (43) πολιτισμός - kulturë (43) Ι.Μ Κορυτσάς - Mitropolia e Shenjtë Korçë (42) besimi orthodhoks (40) Γενικό Προξενείο Ελλάδος Κορυτσά (39) Ορθόδοξη Αυτοκέφαλη Εκκλησία της Αλβανίας - Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqiptare (37) ιστορία ορθοδοξίας (36) βίντεο (34) Shqipëria (32) ΕΠΑΝΑΣΤΑΣΗ 1821 (32) κομμουνισμός- komunizmi (30) πνευματικά (27) Μητρόπολη Κορυτσάς - MItropolia e Korçës (23) απόδημος ελληνισμός-helenizmi i diasporës (22) πολιτική-politikë (22) αλβανικά (21) εκπαίδευση (21) Αρχαία Ελλάδα (20) helenët-Έλληνες (19) κομμουνισμός (19) Greqia (17) Βλαχόφωνοι Έλληνες (15)