Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Κυριακή 15 Οκτωβρίου 2017

ECFR: NË SHQIPËRI LULËZON DROGA DHE PASTRIMI I PARAVE. KLANET MAFIOZE PO LAJNË HESAPET ME NJËRI-TJETRIN. RAMA I KA PËRKEQËSUAR GJËRAT

 





Ekspertja bullgare, Vessela Tcherneva, në një analizë për “European Council of Foreign Affairs” thekson se Shqipëria po vuan nga ndarjet e thella politike, ndërsa klanet mafioze po lajnë hesapet me njëra-tjetrën, shkruan Tirana Today. Sipas Vessela Tcherneva, në këtë vend lulëzon trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Ndërsa kryeministri Edi Rama, sipas Tcherneva ka bërë më të keqen duke nxitur separatizmin në trevat e Ballkanit të banuar nga shqiptarët veçanërisht në rastin e Maqedonisë, shkruan Tirana Today. Ajo i bën apel Brukselit që të kthejë sytë nga Ballkani Perëndimor të mos përfundojë në tensionet dhe trazirat e shumta si në të kaluarën, shkruan Tirana Today.
Shqipëria vuan nga ndarje të thella politike, ku politikat dhe marrëdhëniet e klaneve ndërthuren në një rrjetë hakmarrjesh dhe korrupsioni. Trafiku i drogës dhe pastrimi i parave, lulëzojnë nën këtë mjedis. Në vend se të përgjigjet për këto dështime të qeverisjes, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka bërë më të keqen kohët e fundit duke rritur spektrin e Shqipërisë së Madhe, dhe ushqyer frikën e separatizmit shqiptar në Maqedoninë fqinje”, thotë Vessela Tcherneva.
Analiza e plotë nga Vessela Tcherneva:
Është urgjente që BE të lëvizë përtej “stabilokracisë”, dhe t’i kundërvihet udhëheqësve politikë nacionalistë dhe kleptokratë
Ballkani nuk është më aq emocionues sa dikur. Dhuna në shkallë të gjerë, që e shndërroi rajonin në një shqetësim kryesor të politikës evropiane në vitet 1990, nuk është më një tipar i politikës ballkanike. Natyrisht ky është një progres. Por mungesa e dhunës, nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesën e problemeve.
Dobësia e vazhdueshme ekonomike, rritja e frustrimit të opinionit publik me udhëheqësit, dhe tensionet etnike të përtërirë, kanë krijuar një përzierje të paqëndrueshme nën sipërfaqen e qetësisë. Ndërsa vëmendja e Evropës ndaj këtyre çështjeve ka pasur ulje-ngritjet e veta, aktorët e jashtëm – më së shumti Rusia, por edhe Turqia dhe Kina, kanë filluar të ripromovojnë veten në rajon.
Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë stabilitetin dhe ndikimin në oborrin e vet të trazuar, do të duhet të ri-angazhohet me Ballkanin. Anëtarësimi në BE, duhet të mbetet një pjesë e rëndësishme e angazhimit evropian. Por duke pasur parasysh problemet akute në rajon, dhe ritmin e ngadaltë të zgjerimit, Brukseli duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm dhe konkretë që mund të sjellin një ndryshim për publikun lokal, dhe të ndryshojnë dinamikat negative në rajon. Kjo duhet të përfshijë rritjen e investimeve evropiane në ekonomitë e Ballkanit, përmirësimin e ndihmës teknike për qeveritë e rajonit, dhe ç’është më e rëndësishmja, mbajtjen e liderëve të Ballkanit në standarde më të larta politike.
Sëmundja ballkanike
Paqja ka sjellë një rritje të moderuar ekonomike, dhe uljen e varfërisë në Ballkanin Perëndimor. Por korrupsioni dhe papunësia, sidomos ajo e të rinjve, që varion nga 39 për qind në Malin e Zi në 54 për qind në Bosnje dhe Hercegovinë, mbetet një plagë e vazhdueshme. Jo rastësisht, pakënaqësia me politikën dhe politikat është gjithashtu në rritje – 71 për qind e qytetarëve në rajon, nuk kanë besim në efektivitetin dhe paanshmërinë e sistemit gjyqësor.
E gjitha kjo do të thotë se njerëzit kanë një pritshmëri shumë të ulët për të ardhmen e tyre. 43 për qind e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, kanë menduar të emigrojnë diku tjetër. Përtej sfidave të ngjashme ekonomike, të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë të përbashkët tensionet e ndezura etnike, megjithëse secila ka specifikat e veta.
 Bosnja dhe Hercegovina
 Bosnja dhe Hercegovina, vuan ende nga stanjacioni dhe mosmarrëveshjet, edhe 22 vjet pas përfundimit të luftës së saj civile. Ndarjet në Bosnje dhe Herzegovinë midis tre grupeve etnike, janë thelluar gjatë 10 viteve të fundit. Pak prej institucionet shtetërore funksionojnë siç duhet (në një mënyrë multietnike). Për shembull, Banka Qendrore ka tre udhëheqës konkurrentë me njëri-tjetrin, dhe ushtria ka gjasa të shpërbëhet përgjatë vijave etnike në rastin e ndonjë krize. Besnikëria etnike, ka rezultuar të jetë më e fortë sesa ndaj çdo institucioni të ndërtuar nga të huajt.
Kosova
Kosova po përpiqet të krijojë një qeverisje të mirë, teksa përballet me tensionet e ripërtërira me Serbinë. Kryeministri aktual i Kosovës dhe heroi i luftës, Ramush Haradinaj, u gjykua dy herë në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë, madje kërcënoi se do të paraqesë një kërkesë për një të tretën e territorit të Serbisë. Prishtina ka arritur gjithashtu të ndezë tensionet me Malin e Zi, gjatë përcaktimit të kufirit mes të tyre.
Maqedonia
Në Maqedoni, një krizë e brendshme politike ka shkaktuar tensione ndëretnike, dhe madje edhe dhunë. Përleshjet e përsëritura nuk bëjnë më dhe aq përshtypje, por kriza më e madhe vazhdon. Udhëheqës si ish-kryeministri Nikola Gruevski, vazhdojnë të luajnë me “kartën etnike” për përfitime politike, gjë që rrezikon ndezjen e dhunës.
 Mali i Zi
Mali i Zi arriti t’i bashkohet NATO-s, dhe t’i shpëtojë një përpjekje të dukshme për një grusht shteti të ndihmuar nga Rusia. Por është ende në fillim të procesit të reformave që kërkon anëtarësimi në BE, dhe ka nevojë të stabilizojë financat e veta publike.
Serbia
Së fundmi, zyrtarët nga Serbia janë po aq të prirur për të provokuar tensione rajonale. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, vuri në dukje kohët e fundit se Serbia nuk duhej ta kishte njohur kurrë Maqedoninë me emrin e saj aktual. Vërejtje të tjera të politikës serbe, i bëjnë jehonë akuzave në politikën e brendshme maqedonase, që e përshkruajnë kryeministrin Zoran Zaev dhe koalicionin e tij të ri me shqiptarët, si një hap drejt shkatërrimit të Maqedonisë, dhe krijimit të një Shqipërie të Madhe.
Rikthim tek “stabilokracia”
Gjendja e “sëmurë” e Ballkanit, ka pasur një efekt të drejtpërdrejtë tek besimi në rrugëtimin evropian. Vetëm 39 për qind e publikut në rajon, vazhdon ta shohë anëtarësimin në BE si diçka të mirë për ekonomitë e tyre. Më keq akoma, udhëheqësit e Ballkanit e shohin tashmë në mënyrë cinike të gjithë procesin e pranimit. Sikurse e përshkroi një politikan lokal: “Ne e gënjejmë BE-në se jemi seriozë në lidhje me reformat, dhe ata na gënjejnë se ata janë seriozë sa i përket pranimit tonë në union”.
Dikush mund ta kuptojë cinizmin e tyre. Publiku evropian, duket se e kundërshton shtimin e anëtarëve të rinj në BE, dhe është mjaft i gatshëm t’ia thotë këtë ballazi qeverive të tyre. Në mungesë të një procesi efektiv të pranimit, kërkimi për stabilitet në periferi të Europës i ka motivuar udhëheqësit e BE-së që të bëjnë një sy qorr ndaj kërcënimeve të opozitave dhe autoritarizmit në rajon.
Raportet e vendeve të Freedom House “Kombet në Tranzicion”, dhe renditjet e demokracive për vitin 2016, tregojnë se pothuajse të gjitha vendet në rajon përjetuan një rënie në indekset e demokracisë së tyre. Rënia më e madhe ishte në Maqedoni, e cila mbeti e zhytur në një krizë politike në pjesën dërrmuese të vitit të shkuar.
Një “stabilokraci” e tillë, siç është e njohur rajon, përforcon problemet themelore të Ballkanit Perëndimor. Ajo nxit korrupsionin, nxit rininë të largohet nga vendi, dhe e shtyn rajonin larg BE-së. Është urgjente që BE-ja të lëvizë përtej stabilokracisë. Trajtimi i sfidave ekonomike, është një rrugë e qartë për të dhënë rezultate konkrete.
Integrimi në infrastrukturë, transport, energji dhe fushën dixhitale janë të gjitha në axhendën e procesit ekzistues të Berlinit, që synon të rifreskojë procesin e pranimit. Në fakt, në vendet e Ballkanit Perëndimor ekziston një mbështetje e fortë publike për më shumë bashkëpunim rajonal.
Kjo nismë e udhëhequr nga Gjermania, duhet të çojë në krijimin e një fondi të infrastrukturës, por çdo përpjekje serioze do të kërkonte nga vendeve anëtare dyfishimin e fondeve në dispozicion. Por sfida e vërtetë, do të jetë e natyrës politike. BE-ja nuk duhet të lejojë udhëheqës si Gruevski të qëndrojnë në pushtet për një kohë më të gjatë se sa në çdo vend kandidat. Me kalimin e kohës, liderë të tillë dëmtojnë parimin e kontrollit dhe balancës, dhe bien ndesh me parimet themelore të qeverisjes demokratike.
Kjo do të thotë se Brusekli lipset të jetë më shumë politik dhe më ndërhyrës, por vetë institucionet e BE-së nuk kanë traditë në ndërmarrjen e kësaj rruge të vështirë. U desh ndërhyrja e SHBA-së për të zgjidhur krizën e fundit në Maqedoni, edhe pse zyrtarë të ndryshëm të lartë të Bashkimit Evropian e patën vizituar Shkupin disa herë përpara delegacionit amerikan.
Pra, shtetet anëtare duhet të marrin një rol udhëheqës. Vende si Holanda që kanë një histori të gjatë të punës mbi sundimin e ligjit dhe çështjet e të drejtave të njeriut, duhet të kenë një qëndrim më të spikatur. Dhe madje edhe pas Brexit, Britania e Madhe mund të përfshihet në diskutimet lidhur me çështjet e sigurisë. Liria e medias dhe legjislacioni i OJQ-ve, janë fusha të tjera të ndjeshme ku shtetet e veçanta anëtare (si Franca apo Spanja), mund të luajnë një rol të rëndësishëm.
Investimi në konsultimet teknike me qeveritë, se si të riorganizohen sektorët jetikë publikë, si shëndetësia dhe arsimi, do të sjellin gjithashtu përfitime të mëdha. BE-ja nuk mund të supozojë se vetëm biznesi, do të sigurojë si zakonisht stabilitetin në Ballkan. Ky i fundit, do të kërkojë “martesën” e mekanizmave të pranimit, me ambicien ekonomike dhe qartësinë politike.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Δεν υπάρχουν σχόλια: