Ενίσχυση του έργου!

Ενίσχυση του έργου!

Δευτέρα 28 Ιανουαρίου 2019

Një vizitë “e hershme” e Homerit në shqip, tashmë online


Homeri është një zeje e vështirë. Por shqipja e vogël dhe krenare, një ndër shumë të paktat gjëra me të vërtetë të bukura të këtyre anëve, i është qasur poetit të madh pa droje dhe ja ka dalë. Namin e madh për përkthimin e Homerit, “Iliadës” dhe “Odisesë” e kanë Gjon Shllaku dhe Pashko Gjeçi. Që kanë sjellë në gjuhën tonë vargjet e eposit kryesor të kulturës perëndimore. Spiro Çomorra ka sjellë disa këngë të Odisesë në një përkthim afër standardit të shqipes, ndërkohë që vitet e fundit një tjetër përkthyes, Ilia Ballauri nga Korça, ka plotësuar me kontributin e vet serinë e shqipërimit të dy poemave madhështore. 
Mirëpo përpjekje më të hershme ka dhe ato vijnë nga figura si Naim Frashëri, me siguri një gjë e rrallë në arealin kulturor shqiptar e më gjerë. Një i mahnitur nga bukuria e antikitetit, një figurë poliedrike në kuptimin e shpërhapjes së interesave, që nga bota helene e deri te kultura e madhe perse. 
Arkivi Dixhital i Elbasanit, një faqe shumë interesante online e cila publikon materiale të ndryshme historike për këtë qytet dhe më gjerë, ka hedhur së fundmi në internet një përkthim të Iliadës nga Naim Frashëri. Botimi është i vitit 1924, nga shtypshkronja/libraria “Dhori Koti” në Korçë, por që i referohej një botimi të mëhershëm nga Shoqëria “Dituria” në Bukuresht në vitin 1896. 
Iliadha e Omirit-, titulli flet vetë për shqipen jugore të Naimit që edhe emrat e heronjve i përafron me greqishten. Aqilheu, Isiodhi, Odhisja, Elinët, janë tingëllimat e “çuditshme” të emrave që sot i tresim ndryshe, por që i kuptojmë. Ndërkohë që Naimi i vë emrin Ylyveri, Eridës, hyjnesha e grindjes e cila hodhi mollën e famshme me mbishkrimin “më të bukurës”. 
Është përkthyer vetëm kënga e parë dhe botimi ka një parathënie të gjatë historike të Naimit që bën një kalim nga antikiteti deri në kohët moderne duke mos harruar Dantin dhe Tasin “që vanë mi jurmët t” Omirit e të Virgjilit”. Për Naimin gjithësesi “bes’ e re s'kishte shijën e besavet të vjetra në vjershët”, duke na shfaqur kështu një admirim sipëror për kulturën antike, një mahnitje që ishte karakteristike dhe premisë edhe për Rilindjen europiane. 
Naimi rendit Miltonin “i Ingilterësë”, pastaj Lamartini e në Persi, Firdevsiu. Ai kujtohet edhe për poetët bejtexhinj të traditës bektashiane në shqip, Hasan Zyko Kamberi, Nezimi dhe Hixhretiu. Poetë të cilët liriku shqiptar i “damkos” me një “faj që s’faletë e të metë që s’ndjehetë kurrë”. Kanë përzjerë gjuhën shqipe me fjalë të huaja, një thuajse obsesion ky i Naim Frashërit që e mbyll parathënien e vet me një këshillë apo porosi nëse  mund ta quajmë kështu: 
Ësht’ e gjerë gjuha jonë dh’e bukurë shumë, ka fjalë fort të mira për të vënë në vënt të fjalëvet të huaja

http://www.respublica.al/ 

Δεν υπάρχουν σχόλια: